Gjesti i ulët në përfundim të derbit në ‘San Siro’, futbollisti i Milanit rrezikon pezullimin

  • A.P /
  • 19 October 2020 - 18:23
Gjesti i ulët në përfundim të derbit në ‘San Siro’, futbollisti i Milanit rrezikon pezullimin

Milani u rikthye të fitojë një ndeshje derbi pas thuajse 5 vitesh dhe entuziazmi mes kuqezinjve ishte tejet i madh, madje pati edhe nga ata si Davide Calabria, që mes gëzimit të pamasë, kaluan edhe caqet e festimit.

Mbrojtësi anësor u kuqezinjve, teksa përqafohej me shokët e tij të skuadrës, u tregoi gishtin e mesit atyre pak tifozëve zikaltër që ishin në shkallët e ‘San Siro”-s, në një gjest tejet fëmijëror dhe që nuk ka aspak lidhje me futbollin në nivele të tilla.

Gjesti i Calabrias nuk u ka shpëtuar fotografëve të pranishëm, që arritën të fiksojnë imazhin, që vetëm për pak minuta bëri xhiron e botës, ndërsa tani mbrojtësi rrezikon të përballet edhe me një pezullim të paktën një javor.

Megjithatë siç përcaktohet nga rregullorja, Calabria do të dënohet vetëm nëse gjesti i tij i ulët është mbajtur shënim nga arbitrat apo vëzhguesit e Federatës, pasi për rastin në fjalë nuk mund të shërbejnë si referencë as fotografia dhe as pamjet filmike.


(Kosova Sot Online)