Real Madrid e nis keq Ligën e Kampionëve, humb në Madrid

  • A.P /
  • 21 October 2020 - 21:14
Real Madrid e nis keq Ligën e Kampionëve, humb në Madrid

Real Madridi ka humbur me rezultat 2-3 kundër Shakhtar Donetsk në Alfredo Di Stefano sonte duke e nisur sonte keq Ligën e Kampionëve. Pjesa e parë e përcaktoi fituesin e kësaj ndeshje ku Shakhtar shënoi tre gola. Shakhtar hyri në këtë ndeshje pa 10 lojtarë titullarë, të cilët munguan shkaku i infektimit me COVID-19

Real Madridi e ka nisur keq Ligën e Kampionëve duke humbur me rezultat 2-3 në shtëpi kundër Shakhtar Donetsk.

Pavarësisht mungesave Shakhtar e nisi shumë më mirë këtë ndeshje ku e dominoi Realin me raste dhe gola. Zinedine Zidane kishte bërë disa ndryshime duke pushuar disa lojtarë të formacionit të parë dhe startuar me disa sulmues.

Shakhtar golin e parë do ta shënonte në minutën e 29-të ku do të shënonte Tete. Katër minuta më vonë do të shënohej edhe një autogol nga Varane që do ta ngriste epërsinë e Shakhtar në 0-2.

Shakhtar do të shënonte edhe një gol në minutën e 42-të për të shkuar në pushim të pjesës së parë me një epërsi solide me anë të Salomon.

Në pjesën e dytë Zidane do të inkuadronte menjëherë në lojë Benzemën i cili edhe do të bënte paksa ndryshimin në lojën e Real Madridit.

Por do të ishte Luka Modric  që do të shënonte golin e parë për Real Madridin pas një depërtimi individual të tij për të ngushtuar epërsinë në minutën e 54-të.

Real Madridi vazhdoi me sulmet dhe Vinicius Junior me të hyrë në lojë do ta shënonte golin e dytë në minutën e 59 duke shfrytëzuar një gabim të mbrojtjes së mysafirëve.

Pavarësisht tentimeve të shumta Real Madridi nuk arriti që të shënoi golin e barazimit, edhe pse Valverde shënoi në minutën e 90-të por që goli i tij u anulua për pozitë jashtëloje nga VAR.

Ky është një start i keq i Realit në Ligën e Kampionëve pasi që fillon me humbje ndeshjen e parë e ku është në Grupin B ku është Shakhtar, Borussia Monchengladbach dhe Inter.


(Kosova Sot Online)