Superliga nis sonte me derbin e moçëm

  • G.G /
  • 28 October 2020 - 12:58
Superliga nis sonte me derbin e moçëm

Sezoni i ri i ligës elitare të basketbollit do të fillojë sonte me përballjen Peja – Sigal Prishtina

Sezoni i ri i Superligës së Kosovës në basketboll do të fillojë sonte.

Me të filluar edicioni 2020/2021 do ta shohim një ndeshje derbi.

Në fakt, rivalët e vjetër, Peja dhe Sigal Prishtina do t’i matin forcat në përballjen e tyre në palestrën “Karagaçi”.

Bardhekaltrit do t’i hyjnë kësaj ndeshjeje të motivuar pas triumfit që e patën që fundmi në Superkupën e Kosovës.

Kurse, Verdhezinjtë duan ta nisin pozitivisht sezonin e ri pasi dëshpëruan në Superkupë.

Një ndeshje tjetër interesante në xhiron e parë do të jetë ajo në mes të finalistit të Superkupës, Bashkimi dhe Trepçës.

Ekipi Portokalli është mjaft i fuqishëm këtë sezon, ndërsa edhe mitrovicasit janë riorganizuar.

Në duelet tjera, Ponte Prizreni e pret Golden Eagle Yllin, kurse Rahoveci llogarit në fitore kundër Vëllaznimit.

Ndeshjet do të luhen të mërkurën dhe të enjten në mbrëmje pa praninë e shikuesve.

Në palestër mund të jenë të pranishëm vetëm 50 persona, përfshirë këtu dy skuadrat, zyrtarët e ndeshjes dhe përfaqësuesit e FBK-së.

(Kosova Sot Online)