Rashica është rikthyer, por Werderi s’rrezikon me të

  • G.G /
  • 07 January 2021 - 14:00
Rashica është rikthyer, por Werderi s’rrezikon me të

Ylli kosovar ka nisur të ushtrojë me ekipin, por nuk do të jetë pjesë e Werder Bremenit këtë fundjavë ndaj Leverkusenit. Rikthimi i 24 vjeçarit pritet të ndodhë më 16 janar kundër Augsburgut

Milot Rashica po shkon me hapa të sigurt drejt rikthimit në fushën e blertë.

Ylli kosovar iu bashkua këtë javë ekipit në stërvitje dhe çdo ditë e më shumë po forcohet pas lëndimit që e kishte pësuar në kofshën e këmbës së majtë.

Edhe pse është i gatshëm, Werder Bremeni nuk e ka ndërmend të rrezikojë me vushtrriasin.

Në fakt, trajneri Florian Kohfeldt nuk do ta ftojë përfaqësuesin kosovar për ndeshjen e fundjavës ndaj Bayer Leverkusenit, loja e parë për sivjet në Bundesligë.

“Milot Rashica është rikthyer, por nuk është ende kandidat për lojën me Leverkusenin”, ka thënë trajneri gjerman.

Kjo lë të kuptohet se 24 vjeçari mund të ftohet dhe të luajë për ekipin Gjelbër e Bardhë më 16 janar në ndeshjen me Augsburgun.

Rashica i ka humbur në fakt gjashtë ndeshje zyrtare shkaku i lëndimit.

Ai është i vendosur ta rikthejë formën ideale pasi viti 2020 nuk ishte prej më të mirëve për të.

Ish-futbollisti i Vushtrrisë dhe Vitesses dëshiron të luajë sa më shumë në pjesën e dytë të kampionatit dhe ta japë kontributin e tij para se të largohet gjatë verës që vjen në drejtim të një klubi më të madh evropian. 

(Kosova Sot Online)