Ceferin “thumbon” Juventusin: Ku ishin ata para 15 viteve?

  • S.A /
  • 20 April 2021 - 15:48
Ceferin “thumbon” Juventusin: Ku ishin ata para 15 viteve?

“Ku ishte Manchester United para se të vinte Sir Alex Ferguson? Dhe ku ishte Juventusi pesëmbëdhjetë vjet më parë? Me sa di unë ata ishin në Serie B “.

Me këto fjalë Aleksander Ceferin kritikoi edhe një herë projektin e Superligës Evropiane në fjalimin e tij në Kongresin e UEFA-s që u zhvillua në Montreux. 

“Futbolli ndryshon, futbolli nuk i përket askujt. Ose më saktë, ai i përket të gjithëve, sepse futbolli është pjesë e trashëgimisë sonë. Ne kemi nevojë për respekt për historinë, për traditat dhe për të gjitha klubet – vazhdoi numri një i UEFA-s.

Tutje ai tha se kanë nevojë për ekipe si Atalanta e të tjera që mund të befasojnë dhe mund të ëndërrojnë për sukses.

“Futbolli është dinamik dhe i paparashikueshëm. Kjo e bën atë kaq të bukur. Kemi nevojë për Atalanta, Celtic, Rangers, Dinamo Zagreb dhe Galatasaray. Këto klube janë thelbësore, sepse njerëzit duhet të dinë se të gjithë mund të ëndërrojnë. Ne duhet ta mbajmë gjallë ëndrrën ” – u shpreh Ceferin.

(Kosova Sot Online )