Ruben Dias: Muri i pathyeshëm që e ndryshoi tërësisht mbrojtjen e Manchester City

  • G.G /
  • 06 May 2021 - 11:02
Ruben Dias: Muri i pathyeshëm që e ndryshoi tërësisht mbrojtjen e Manchester City

Arritja e Ruben Diasit nga Benfica në Manchester City verën e kaluar shënoi një pikë kthese në përpjekjet e pareshtura të skuadrës së Pep Guardiolës për sukses në Evropë.

Guardiola kishte hasur në vështirësi për ta zëvendësuar Vincent Kompany, i cili ishte larguar në vitin 2019 dhe City kishte dështuar plotësisht në Premierligë dhe në Ligën e Kampionëve shkaku i brishtësisë në mbrojtje.

Sezonin e kaluar, trajneri spanjoll u detyrua shpesh të luante me mesfushorët Fernandinho dhe Rodri në qendër të mbrojtjes. Kjo e nxiti atë të bëjë kërkime të thella në tregun e transferimeve verën e kaluar.

City i shpenzoi 56.6 milionë euro për ta blerë Diasin nga Benfica dhe 41 milionë euro të tjera për ta blerë Nathan Ake nga Bournemouth.

I pari e ka arsyetuar cdo cent deri tani këtë sezon, duke e ndryshuar plotësisht mbrojtjen e City dhe duke i rritur dukshëm shanset për sezonin më të suksesshëm në historinë e klubit.

Paraqitjet e tij në dy ndeshjet e City kundër Paris Saint-Germain në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ishin të nivelit më të lartë, thjesht të përkryera.

Në Ligën e Kampionëve, skuadra e Guardiolës i ka pranuar vetëm katër gola në 12 ndeshje këtë sezon. Ndërsa në Premierligë, 24 gola në 34 ndeshje deri tani. Vetëm Atletico Madridi, 22, dhe Lille, 22, kanë pranuar më pak gola në pesë ligat kryesore evropiane.

Sezonin e kaluar, për shembull, City i pranoi 35 gola në 38 ndeshje në Premierligë dhe e mbylli sezonin me 18 pikë më pak se kampioni Liverpool.

Dias, i cili e ka krijuar një partneritet të fortë me të luhatshim John Stones në qendër të mbrojtjes, është njeriu kryesor i kësaj mbrojtjeje të pathyeshme.

(Kosova Sot Online)