E gjobitën Dallkun, reagon kryetari i Dukagjinit: Ju ekspertët e FFK-së kurrë nuk mund të na mbyllni gojën kur ka padrejtësi

  • S.A /
  • 20 May 2021 - 11:21
E gjobitën Dallkun, reagon kryetari i Dukagjinit: Ju ekspertët e FFK-së kurrë nuk mund të na mbyllni gojën kur ka padrejtësi

Armend Dallku është gjobitur së fundmi me 300 euro nga Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Trajneri i Dukagjinit u dënua pas kritikave që ia kishte bërë gjyqtarit kryesor të ndeshjes, Genc Nuza, në finale të Kupës së Kosovës kundër Llapit.Në arsyetimin e këtij Komisioni, thuhet:

“Armend Dallku, kryetrajneri i KF “Dukagjini”, me nr ID 000613M83.Pas përfundimit të ndeshjes, në prononcim për media akuzon gjyqtarin kryesor për favorizimin e FC “Llapi”. Sipas xhirimeve televizive. Bazuar në nenin 40 paragrafi 1 pika C të Rregullores disiplinore;

DËNOHET me gjobë në shumë prej 300 eurosh. Afati i pagesës është tetë (8) ditë nga data kur vendimi bëhet i plotfuqishëm (Rregullorja disiplinore neni 11 paragrafi 1)”.

E pas këtij vendimi, kreu i klubit nga Rrafshi i Dukagjinit, Fabian Veseli, reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale.

Sipas tij, askush dhe asnjëherë nuk do të mund t’ua mbyllë gojën drejtuesve apo zyrtarëve të Dukagjinit.

Kur bëhet fjalë për padrejtësi, ai insiston se ky klub nuk do të heshtë asnjëherë.

“Ju ekspertët e FFK-së mundeni të na denoni,mundeni të na demtoni,mundeni të keni 120 min tendencë me referin tuaj Genc Nuza, por një gjë si Kryetar i këtij klubi u’a them, kurrë në jetën tuaj gojën për padrejtesi nuk mundeni te na e ndalni …”, ka shkruar Veseli.

Llapi e fitoi Kupën e Kosovës pasi fitoi me penallti, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Klinasit u ankuan në referim në këtë ndeshjes.

(Kosova Sot Online)