Balaj lojtari i lirë, pasi u largua nga klubi austriak

  • S.A /
  • 24 May 2021 - 13:07
Balaj lojtari i lirë, pasi u largua nga klubi austriak

Pas Ylber Ramadanit, Bekim Balaj është futbollisti i radhës i kombëtares shqiptare që mbetet pa skuadër. Sulmuesi shkodran ka pritur fundin e kampionatit austriak për t’i dhënë lamtumirën Sturm Grazit, skuadër tek e cila u aktivizua në dy sezonet e fundit, duke regjistruar 54 paraqitje në total dhe 14 gola të realizuar mes Bundesligës austriake dhe Kupës së Austrisë, edhe pse shumicën e këtyre ndeshjeve i nisi nga stoli. Ka qenë vetë bomberi 30-vjeçar që ka njoftuar zyrtarisht largimin nga Sturm Graz duke i uruar më të mirat ish-skuadrës së tij në të ardhmen. Balajt i përfundoi kontrata me klubin austriak dhe palët vendosën të mos rinovonin bashkëpunimin me ish-sulmuesin e Tiranës që tashmë është një futbollist i lirë në treg dhe të kërkojë një destinacion të ri për të ardhmen e tij. 

Me shumë gjasa Bekim Balaj do ta vazhdojë karrierën në Europë, por nuk përjashtohet as një rikthim i mundshëm i tiji në Kategorinë Superiore me Vllazninë që këtë herë i mundëson Europën dhe do ta priste krahëhapur, edhe pse paga e lartë që kërkon Bekim Balaj mund të jetë një problem, por privatizimi i klubit mund t’i ndryshojë gjërat për mirë dhe tifozët shkodranë mund të shpresojnë rikthimin e Balajt në shtëpi.

(Kosova Sot Online )