I liroi 4 lojtarët e Prishtinës, Challandes do t’i zëvendësojë ata pas ndeshjes me San Marinon

  • S.A /
  • 01 June 2021 - 13:37
I liroi 4 lojtarët e Prishtinës, Challandes do t’i zëvendësojë ata pas ndeshjes me San Marinon

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, i ka liruar nga grumbullimi lojtarët e Prishtinës, për shkak të përfshirjes së kampiones së Superligës në parakualifikime për Ligën e Kampionëve.

Gledi Mici, Endrit Krasniqi, Leonit Abazi dhe Lumbardh Dellova u ftuan për herë të parë në Kombëtare për dy ndeshje miqësore që Kosova do t’i zhvillojë kundër Guinesë dhe Gambisë javën e ardhshme.

Por ata duhet të jenë në këtë kohë në përgatitje me skuadrën për ndeshjet parakualifikuese që nisin më 22 qershor. Prishtina ka bërë kërkesë që ata të lirohen dhe FFK-ja njofton se një gjë e tillë i është pranuar.

Ndërsa, trajneri Challandes do t’i zëvendësojë ata pas ndeshjes miqësore që Kosova e luan sot me fillim nga ora 18:00 ndaj San Marinos në stadiumin “Fadil Vokrri”. I kontaktuar nga media,  drejtori i Kombëtares së Kosovës, Muharrem Sahiti tha se trajneri do të mendojë t’i zëvendësojë pas ndeshjes së sotme, pasi momentalisht janë të fokusuar në këtë takim.

“Ende nuk është vendos sepse selektori është duke menduar për ndeshjen. Pas kësaj ndeshje mund të merret vendimi për zëvendësimin e tyre. Prishtina ka bërë një kërkesë shumë të arsyeshme për bashkëpunim, na është lutur që të shkojnë në përgatitje, pasi po dëshirojnë të përgatiten sa më mirë për ndeshjen në Champions League. E bënë kërkesën edhe na ia mundësuam, ia liruam lojtarët. Lojtarët mund të zëvendësohen edhe prej grupit që e kemi ose prej klubeve tjera, për këto vendos selektori” – tha Sahiti.

I pyetur se a mund të ketë futbollistë të Superligës të ftuar, Sahiti nuk përjashtoi mundësinë duke thënë se gjithçka është e mundur.

Pas ndeshjes me San Marinon, Kosova do ta zhvillojë në Austri ndeshjen ndaj Maltës më 4 qershor, kurse pastaj do të udhëtojë me lojtarët e ftuar në listen e dytë në Antalya të Turqisë për të luajtur dy ndeshjet tjera miqësore me Guinenë dhe Gambinë më 8, respektivisht 11 qershor.

(Kosova Sot Online )