Aguero e refuzoi ofertën e majme të Juventusit dhe nga €23 mln në City do t’i marrë vetëm €6 mln në Barçë

  • S.A /
  • 02 June 2021 - 09:49
Aguero e refuzoi ofertën e majme të Juventusit dhe nga €23 mln në City do t’i marrë vetëm €6 mln në Barçë

Sergio Aguero do të paguhet mirë në Barcelonë. Por, paga e tij e re në klubin e ri është shumë e vogël krahasuar me pagën që e merrte te tashmë ish-klubi, Manchester City. Sulmuesi argjentinas do të paguhet 6 milionë euro në vit në Barçë, nga 23 milionë euro në vit që i merrte në City. Pra, një dallim prej 17 milionë eurove. Por duke e parë moshën e tij, 33 vjeç tashmë, si dhe gjendjen financiare të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, Aguero do të fitojë para të mira për dy vjet në Camp Nou. Ai ishte paralajmëruar nga Barcelona se do të paguhej shumë më pak sesa në City, megjithatë.

Aguero kishte oferta më të majme edhe nga klubet e tjera, për shembull nga Juventusi, por ai i hodhi poshtë ato në mënyrë që të shkonte te Barcelona, sipas Mundo Deportivos, gazetës së afërt me klubin katalonas.

Ëndrra e Agueros ka qenë ta veshë fanellën e Barcelonës dhe të luajë përkrah shokut të ngushtë, Lionel Messi, edhe në nivel klubi.

Për më tepër, Aguero ka një mënyrë për të fituar më shumë te Barcelona. Sipas ujdisë mes tij dhe klubit, ai do të fitojë para shtesë në përputhje me numrin e ndeshjeve që i zhvillon dhe titujt që i fiton. 

(Kosova Sot Online )