“Sot ishte radha ime për lavdi” – flet portieri hero i Argjentinës

  • S.A /
  • 07 July 2021 - 10:22
“Sot ishte radha ime për lavdi” – flet portieri hero i Argjentinës

Emiliano Martinez nuk mundi t’i gjejë fjalët për ta përshkruar gëzimin për paraqitjen heroike në triumfin e Argjentinës kundër Kolumbisë në penallti, pasi i mbrojti tri prej pesë penalltive për ta dërguar ekipin e vet në finale të Kupës së Amerikës. Gjysmëfinalja u desh të përcaktohej me penallti, pasi takimi i rregullt prej 90 minutave nuk dha fitues duke përfunduar baras 1:1.

Martinez, i cili u përpoq t’i shpërqendrojë kundërshtarët me fjalë, ishte heroi i vërtetë i Argjentinës duke i mbrojtur gjuajtjet e Davinson Sanchez, Yerry Mina dhe Edëin Cardona nga pika e bardhë.

Ndërsa Lionel Messi, Leandro Paredes dhe Lautaro Martinez shënuan për Argjentinën, për ta siguruar një vend në finale kundër Brazilit. Duke folur pas ndeshjes, Martinez tha: “Jam pa fjalë. Ata e dërguan lojën deri në penallti ku në pyetje është fati. Sot ishte radha ime për lavdi”.

Argjentina do të përballet me Brazilin në finalen e 11 korrikut në orën 3 të mëngjesit, sipas kohës sonë lokale, në stadiumin e Rio de Janeiro Maracana.

Të dy ekipet kishin mundësi të mira shënimi për ta fituar një ndeshjen e cila ishte tejet e vrazhdët, pasi prodhoi hiç më pak se 46 faulle dhe 10 kartonë të verdhë.

Argjentina është në kërkim të trofeut të parë të madh ndërkombëtar që prej vitit 1993, kur e fitoi Kupën e Amerikës, dhe përsëri Messi ishte njeriu i ndeshjes, duke e prodhuar asistin e parë të turneut, në të cilin i ka shënuar edhe katër gola.

Pasi e pranoi një pasim fantastik nga Giovani Lo Celso pas gjashtë minutave lojë, Messi ia pasoi topin Lautaro Martinezit i cili shënoi nga afërsia për t’i dhënë epërsinë Argjentinës.

Por Kolumbia u rikthye në lojë shpejt kur e goditi shtyllën dy herë brenda një minute në fund të pjesës së parë.

Luis Diaz shënoi nga një kënd i vështirë për ta barazuar rezultatin për Kolumbinë në minutën e 60-të.

Argjentina është e pamposhtur në 19 ndeshje, që prej disfatës kundër Brazilit në gjysmëfinalen e Kupës së Amerikës 2019. 

(Kosova Sot Online )