Grealish i përgjigjet Roy Keane-t: Desha ta gjuaj penalltinë

  • S.A /
  • 12 korrik 2021 - 13:11
Grealish i përgjigjet Roy Keane-t: Desha ta gjuaj penalltinë

Jack Grealish i është përgjigjur kritikave të Roy Keane për mos gjuajtjen e penalltisë në disfatën e Anglisë kundër Italisë në penallti në finalen e Kampionatit Evropian 2020, duke thënë se kishte shprehur gatishmëri për të qenë njëri prej goditësve nga pika e bardhë, por vendimi kishte qenë i trajnerit Gareth Southgate. Keane i kritikoi ashpër lojtarët e rritur të Anglisë të cilët e lejuan Bukayo Sakan ta godasë penalltinë vendimtare në disfatën e Anglisë me penallti kundër Italisë në finale të Euro 2020. Goditja e Sakas nga pika e bardhë u ndalë nga Gianluigi Donnarumma dhe Anglia mbeti me zemër të thyer në Wembley të dielën.Anësori 19-vjeçar nuk ka gjuajtur penallti asnjëherë për klubin e vet, Arsenal, megjithatë atij iu la në dorë përgjegjësia e goditjes së penalltisë më të rëndësishme në finale.

“Nëse je (Raheem) Sterling apo (Jack) Grealish, nuk mund të rrish duarkryq dhe ta lejosh një fëmijë të ri (Saka) të gjuajë penallti para teje, thjesht nuk mundesh”, kishte thënë Keane pas ndeshjes.

Reklamë

Por mesfushori i Aston Villës këmbëngul se ai kishte kërkuar ta gjuante njërën prej penalltive.

 “Thashë se doja ta gjuaja një penallti. Trajneri ka marrë shumë vendime të drejta gjatë këtij turne dhe kështu bëri edhe sonte! Por unë nuk i lejoj njerëzit të thonë se unë nuk kam dashur të gjuaj penallti kur kam thënë se do ta bëja”, shkroi Grealish në Twitter si përgjigje ndaj kritikave të legjendës së Manchester United, Keane.

Lojtarët e tjerë të Anglisë që dështuan në penallti ishin 21-vjeçari Jadon Sancho dhe 23-vjeçari Marcus Rashford. Të vetmit që shënuan nga penalltia për Anglinë ishin Harry Kane dhe Harry Maguire.

Pritjet ishin të mëdha që ky ekip kombëtar i Anglisë do ta sillte më në fund trofeun evropian në shtëpi. Anglia arriti në finalen e parë evropiane në historinë e saj dhe ishte në kërkim të trofeut të parë të madh pas plot 55 vjetëve. Hera e fundit kur tre luanët e fituan një trofe të madh dhe të vetmin ishte më 1966 kur e fitoi Kupën e Botës.

(Kosova Sot Online )