Kampionia olimpike: Jam krenare që hyra në histori të Kosovës

  • E.K /
  • 24 July 2021 - 17:50
Kampionia olimpike:  Jam krenare që hyra në histori të Kosovës

Distria Krasniqi sot preku majën e karrierës së saj. Xhudistja fantastike kosovare sot e fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 48 kilogramë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Pas triumfit, Krasniqi  deklaroi se koleksionit të medaljeve të saj i ka munguar vetëm medalja olimpike, të cilën e mori sot me plot meritë, teksa u shpreh krenare që u bë pjesë e historisë së Kosovës.

“Koleksionit të medaljeve të mija i ka munguar vetëm medalja olimpike dhe jam shumë e lumtur që sot e mora medaljen e më e lumtur që ajo medalje është e artë. Jam shumë krenare që jam bërë pjesë e historisë së Kosovës pas shumë mundi e sakrifice” – tha kampionia olimpike.

Ajo tha se ndërrimi i kategorisë nga deri 52 kilogramë deri 48 kilogramë rezultoi vendim me vend.

“Po ndërrimi i kategorisë ishte vendim me vend edhe jam shumë e lumtur që e kemi marrë këtë vendim me trajnerin tim” – tha Distria.

E pyetur se a mund të presim medalje në Lojërat e tjera Olimpike ajo tha: “Shpresoj që po, unë do vazhdoj të punoj njësoj si deri tash për Lojërat Olimpike Paris 2024” – përfundoi Distria Krasniqi.

Kjo ishte medalja e dytë e artë në Olimpiada. Para Distria Krasniqit të artën e kishte fituar Majlinda Kelmendi në Lojërat Olimpike të vitit 2016.

Përveç saj, Kosova në këtë Olimpiadë paraqitet edhe me 10 sportistë tjerë, katër nga të cilët janë në xhudo, e prej të cilëve priten medalje tjera olimpike.

(Kosova Sot Online)