Franca e trondit SHBA-në, ia shkakton disfatën e parë që prej vitit 2004 në Lojëra Olimpike

  • A.P /
  • 25 July 2021 - 17:11
Franca e trondit SHBA-në, ia shkakton disfatën e parë që prej vitit 2004 në Lojëra Olimpike

Për herë të parë që prej vitit 2004, ekipi i basketbollit i Shteteve të Bashkuara ka humbur në një ndeshje në Lojërat Olimpike. Dhe si pasojë, tani është në dyshim triumfi i katërt radhazi për medalje të artë.

Franca – ekipi i cili i rrëzoi nga gara për Kupën e Botës në Basketboll dy vjet më parë – ishte ajo që ia dha SHBA-së një tjetër goditje të rëndë

Franca triumfoi 83:76 ndaj Amerikës të dielën në ndeshjen hapëse të të dy ekipeve në Lojërat Olimpike Tokio 2020, falë një trepikëshi të Evan Fournierit në çastet e fundit që i ndryshoi ndeshjen.

SHBA-ja i kishte fituar 25 ndeshje olimpike radhazi, që prej humbjes ndaj Greqisë para 17 vjetëve kur e kishte fituar medaljen e bronztë atje.

Fournier, i cili luan për Boston Celtics në NBA, i shënoi 28 pikë për Francën, ndërsa Rudy Gobert i shënoi 14 dhe Nando de Colo 13. Jrue Holiday i shënoi 18 pikë për SHBA-në, ndërsa Bam Adebayo 12, Damian Lillard 11 dhe Kevin Durant 10.

Kjo humbje nuk e rrëzon SHBA-në nga gara për medalje, por në thelb nuk i lë më hapësirë për gabim ekipi amerikan. SHBA-ja do të përballet me Iranin të mërkurën dhe me Republikën e Çekisë të shtunën në dy ndeshjet e fundit në Grupin A. Nëse i fiton të dyja, atëherë do të kalojë në çerekfinale. Nëse e humb njërën dhe rrezikon të mos përfundojnë as në top tetëshen e turneut.


(Kosova Sot Online)