Basel triumfon edhe në “Elbasan Arena”, Partizani i jep lamtumirën Europës

  • A.P /
  • 29 July 2021 - 23:20
Basel triumfon edhe në “Elbasan Arena”, Partizani i jep lamtumirën Europës

Basel tregon sërish forcën ndaj Partizanit, pasi e mposhti me rezultatin 0-2 edhe në “Elbasan Arena”, duke siguruar kalimin për në turin e tretë të Conference League, me rezultatin e përgjithshëm 5-0.

Gjigantët zviceranë ishin favoritë që në letër dhe vulosën kualifikimin që në ndeshjen e parë në “St. Jacob’s Park”, ku fituan 3-0, por nuk e kishin nënvlerësuar aspak as ndeshjen e kthimit në Elbasan, ku dominuan dhe morën një tjetër sukses.

Pas dy golave në ndeshjen e parë, mesfushori zviceran Valentin Stocker u bë sërish protagonist, duke shënuar golin e avantazhit në minutën e 38’, pasi ishte në vendin e duhur dhe shtyu në rrjetë një top të grushtuar fillimisht nga Alban Hoxha.

Menjëherë pas startit të pjesës së dytë, ishte sulmuesi brazilian Arthur që dërgoi topin në rrjetën e Hoxhës për herë të dytë dhe mbylli njëherë e mirë llogaritë, ndërsa Partizani u tregua i pafuqishëm për të shënuar qoftë edhe një gol të vetëm.

Merr fund kështu aventura europiane e Partizanit të Ilir Dajës, që eliminohet në turin e dytë të Conference League, megjithatë duhet thënë se fati nuk u tregua aspak bujar me ta, duke u vënë përballë një kundërshtar si Baseli. 

(Kosova Sot Online)