Edhe një ngjarje madhore organizohet në Prishtinë

  • A.P /
  • 03 gusht 2021 - 17:31
Edhe një ngjarje madhore organizohet në Prishtinë

Nga 16 deri më 21 Gusht në Prishtinë do të mbahet FIBA European Challenger për U16 në konkurrencën e meshkujve.

Përveç Kosovës, do të marrin pjesë edhe Shqipëria, Gjibraltari, Luksemburgu, Malta dhe Moldavia, në kuadër të Grupit F. Kombëtaret do të akomodohen më 14 Gusht.

Tri ndeshje do të zhvillohen në ditë, në ora 14:00, 17:00 dhe 20:00.

Dardanët e rinj sfidën e parë e zhvillojnë ndaj Maltës, më 16 Gusht. Gjithsej do t’i zhvillojnë pesë ndeshje në grupe, ku do të përcaktohet se në cilën pozitë e përfundojnë grupin dhe garat.

FIBA Europe ka vendosur që këtë verë të gjitha garat e grupmoshave të reja të zhvillohen si Challenger, e jo si më herët në Divizione, për shkak të Covid 19. Pra, nuk do të ketë ngritje dhe ulje në Divizione.

Bordi i FIBA Evropës i besoi Federatës së Basketbollit të Kosovës edhe një organizim të madh. Kjo ngjarje ishte dashur të mbahet vitin e kaluar, ku do të merrnin pjesë 11 shtete, por për shkak të pandemisë me Covid 19 ishin anuluar të gjitha ngjarjet në basketboll.

Më herët, FIBA i besoi Kosovës organizimin e Kampionatit Evropian, Divizioni C për U18 meshkuj dhe Kampionatin Evropian, Divizioni B për U20 femra, si dhe ‘Bubble’ në shkurt të këtij viti, ku garuan Kosova A (M), Sllovakia, Islanda dhe Luksemburgu.

Edhe për këtë ngjarje, FBK do t’i zhvillojë të gjitha përgatitjet, në mënyrë që Kampionati të shkojë sipas planit. Më herët FBK ka marrë përgëzime nga FIBA për organizime. Ky organizim nuk pritet të jetë i lehtë për shkak të rregullave me Covid 19, megjithatë Federata e Basketbollit beson se gjithçka do të shkojë sipas planifikimit.

(Kosova Sot Online)