Solskjaer: Pogba qëndron dhe rinovon, duam të fitojmë trofe

  • A.P /
  • 22 August 2021 - 12:35
Solskjaer: Pogba qëndron dhe rinovon, duam të fitojmë trofe

Ndërkohë që mediat europiane shkruajnë çdo ditë për një interesim të fortë të Paris Saint Germain dhe Real Madrid për shërbimet e francezit Paul Pogba, trajneri i Manchester United, Ole Gunnar Solskjaer duket i bindur që mesfushori do të qëndrojë në “Old Trafford”.

Pas një starti fantastik të sezonit si për “djajtë e kuq” ashtu edhe për Pogba, që asistoi në 4 nga golat e shënuar, tekniku norvegjez shprehet se Pogba nuk do të largohet këtë verë, madje se kanë nisur edhe negociatat për rinovimin.

“Pritshmëritë e mia janë që Pogba të jetë te Manchester United edhe në muajin shtator, kur të ketë përfunduar merkatoja. Nuk do të largohet këtë verë, madje kemi nisur bisedimet për rinovim, pasi një lojtar si ai është shumë i rëndësishëm për ekipin”, deklaroi Solskjaer.

Sfida e parë dha sinjale mjaft të mira jo vetëm për francezin, por edhe për “djajtë e kuq”, që duket se janë rikthyer në garën për të fituar titullin kampion, që mungon prej verës së 2013-ës në “Old Trafford”.

“Skuadra ka lëvizur mjaft mirë në edicionet e fundit të merkatos dhe puna ime është të marr më të mirën prej lojtarëve që kam në dispozicion. Duam të argëtohemi, por edhe të fitojmë, pasi tifozët duan trofe dhe besoj që jemi në rrugën e duhur për t’i kënaqur”, tha Solskjaer.

(Kosova Sot Online)