Enver Memqaj, ylli i ri i Kombëtares së Kosovës që e ëndërron NBA-në

  • S.A /
  • 23 August 2021 - 16:05
Enver Memqaj, ylli i ri i Kombëtares së Kosovës që e ëndërron NBA-në

Enver Memqaj është një basketbollist që premton shumë në të ardhmen. Ai është lindur dhe rritur në Bosnje e Hercegovinë, por është pjesë e ekipit të të rinjve të ekipit kombëtar të Kosovës. Ai i zbulon objektivat e tij për të luajtur për Kombëtaren A të Kosovës, në ndonjë klub evropian dhe ëndrrën për të luajtur një ditë në ligën më të fortë në botë – NBA. Enver Memqaj është ylli i ri i basketbollit kosovar.

18 vjeçari është lindur dhe rritur në Bosnje e Hercegovinë, por në mendjen dhe zemrën e tij ka qenë dhe është gjithmonë Kosova.

18 vjeçari është pjesë e Kombëtares U-18 të Kosovës dhe këtë fanellë e vesh me nder dhe me krenari.

Lojtari i lindur më 27 maj të vitit 2003 e dha një kontribut të madh në suksesin e ekipit të të rinjve të Kosovës, i cili së fundmi u shpall kampion për tërinj në FIBA European Challenger Basketball U-18.

Alo qendra e gjatë 200 centimetra ndihet krenar që mundi t’i ndihmonte “Dardanët e rinj” drejt suksesit në këtë garë prestigjioze.

“Ndihem shumë i lumtur fillimisht që luaj për vendim tim e më pas edhe për rezultatet. Ky sukses është një motiv shtesë për mua që të vazhdoj edhe më tutje të rritem si lojtar. Jemi një grup i mirë i lojtarëve, të cilët mendoj se, nëse vazhdojmë me këtë ritëm, edhe sukseset nuk do të mungojnë”, deklaron  Memqaj .

Natyrisht, në mendjen e tij qëndron Kombëtarja A e Kosovës, të cilën synon ta përfaqësojë pas pak vitesh. Ai është i lidhur ngushtë me vendin e prindërve të tij.

“Për mua, ta përfaqësoj Kosovën në arenën ndërkombëtare është nder dhe krenari e veçantë. Edhe pse jam lindur dhe jam rritur në Bosnje, mendja dhe dëshira ime ishte gjithnjë që të luaj për Kosovën. Me këtë frymë jemi rritur në shtëpi edhe nga prindërit që të mos e harrojmë prejardhjen tonë. Shpresoj që me lojën dhe punën time, sadopak të kontribuoj në zhvillimin dhe rezultatet pozitive të Kosovës në garat ndërkombëtare”, vazhdoi basketbollisti i ri prizrenas.

Aktualisht, Memqaj është pjesë e klubit KK Bratstvo në Bosnje e Hercegovinë.

Ai synon të rritet si lojtar aty e më pas të mendojë për eksperiencat e radhës. Për këtë është duke punuar edhe individualisht.

“Edhe në nivel të klubit jam shumë mirë. Jemi duke punuar fort për sezonin e ardhshëm. Tani edhe pse është koha e pushimeve, jam duke u përgatitur edhe individualisht në disa teknika dhe mangësi në lojën time, të cilat me punë shpresoj që t’i eliminoj”, shprehet tutje basketbollisti kosovar.

Të ardhmen e tij, ai e sheh në ndonjë ekip cilësor evropian, edhe pse nuk e përjashton mundësinë që të luajë edhe në basketbollin kosovar.

“Edhe pse kohët e fundit është investuar shumë në basketbollin kosovar, edhe kushtet për lojtarët janë përmirësuar, t’ju them të drejtën synimet e mia janë më shumë për ekipe evropiane. Të ardhmes nuk i dihet, ndoshta ndonjë ofertë dhe projekt serioz do ma ndryshojë mendjen, por tani për tani synimet e mia janë ligat evropiane”, tregon Memqaj.

“Synimet e mia janë që të vazhdoj të piqem si lojtar e në të ardhmen të ndryshoj edhe ambient. Synim primar është Euroliga, pasi që edhe stili im i lojës më shumë i përshtatet teknikës evropiane”, nënvizon tutje përfaqësuesi i ri kosovar.

Si çdo lojtar, edhe Memqaj e ka ëndërruar gjithmonë ligën elitare amerikane të basketbollit.

“Natyrisht se po. NBA mbetet ëndërr e çdo basketbollisti, por nuk dua të ngutem, dua të shkoj hapave të sigurt. Fillimisht me karrierën në Evropë e pastaj të mendoj për NBA. Të ardhmes nuk i dihet kurrë”, shprehet optimist ai.

Memqaj në fund ka treguar se më së shumti i pëlqen basketbollisti amerikan, Kevin Durant.

Por, motiv shtesë për të si evropian vitet e fundit janë edhe Luka Dončić dhe Giannis Antetokounmpo, të cilët edhe pse lojtarë të dalë nga Evropa, i kanë arritur majat në basketbollin Amerikan (NBA).

(Kosova  Sot Online )