Policia braziliane nis hetim ndaj lojtarëve argjentinas

  • S.A /
  • 07 September 2021 - 10:06
Policia braziliane nis hetim ndaj lojtarëve argjentinas

Policia federale e Brazilit e ka nisur një hetim ndaj dyshimeve se katër lojtarë të Argjentinës i shkelën rregullat e Covid-19, që për pasojë pati pezullimin e ndeshjes kualifikuese mes Brazilit dhe Argjentinës për Kupën e Botës të dielën. Ndeshja në Corinthians Arena u ndërpre pak minuta pasi nisi, kur autoritetet braziliane të shëndetësisë u futën në fushe për ta kundërshtuar paraqitjen në lojë të Emiliano Martinezit dhe Emiliano Buendias së Aston Villës, si dhe dyshes së Tottenhamit Giovani Lo Celso dhe Sergio Romero.

Zyrtarët brazilianë besojnë se katër futbollistët në fjalë paraqitën të dhëna të rreme në kufi për ta shmangur izolimin e detyrueshëm pas mbërritjes në Brazil. Në bazë të ligjit kombëtar të Brazilit, të huajt që udhëtojnë nga Britania e Madhe duhet patjetër të futen në karantinë për 14 ditë sapo të mbërrijnë në Brazil. 

Besohet se lojtarët e Argjentinës kishin deklaruar se kishin qenë vetëm në Caracas, për t’u përballur me Venezuelën në ndeshjen e kaluar kualifikuese, duke e fshehur faktin se kishin qenë në Britani të Madhe së fundmi. Pak orë pas pezullimit të ndeshjes, lojtarët e Argjentinës u larguan nga Brazili, por zyrtarët thonë se ata dhanë dëshmi në polici paraprakisht.

(Kosova Sot Online )