Ismet Munishi flet për të gjitha: Fitorja në derbi, lufta për titull, transferimi i madh që mund të ndodhë te Gjilani dhe forma e dyshes Cale-Torrasa

  • S.A /
  • 28 September 2021 - 14:56
Ismet Munishi flet për të gjitha: Fitorja në derbi, lufta për titull, transferimi i madh që mund të ndodhë te Gjilani dhe forma e dyshes Cale-Torrasa

Gjilani i Ismet Munishit ka marrë një fitore të madhe në fundjavë, duke mposhtur në derbi lokal Dritën, me rezultat 2-0.  Kjo fitore e ngjit Gjilanin në vendin e pestë në renditje me nëntë pikë, tri më pak se lideri Ballkani.

Një skuadër e projektuar për titull, tashmë ka filluar të vjelë frytet e punës së Ismet Munishit, një trajner që gjithmonë ka ngritur cilësinë e çdo skuadre që ka drejtuar. Munishi në një intervistë për Telegrafin, ka folur për të gjitha, duke filluar nga nisja e vështirë, te fitorja në derbi, forma dhe lëndimet e lojtarëve, por edhe gjykimi në gjashtë javët e para. 

Fillimisht, ‘Ismet Baba’ foli për pikët e marra dhe fitoren në derbi, duke thënë se Gjilani ka merituar më shumë me atë që ka dhënë në fushë.

“Nuk jam i kënaqur me pikët që kemi, pasi kemi luajtur mirë në shumicën e ndeshjeve, kemi dominuar, por në realizim të golave kemi çaluar. Fitorja në derbi na ka dhënë vetëbesim dhe besoj që do të vazhdojmë fuqishëm luftën tonë për titull deri në fund”, ka thënë fillimisht Munishi.

‘Timonieri’ i njohur është ndalur edhe te gjykimi në gjashtë javët e para, kur dihet se këtë sezon ka filluar të implementohet edhe VAR në futbollin tonë. “Kemi përmirësime me VAR. Kam rezervat e mia për disa ndeshje, sidomos me Ulpianën. Në përgjithësi në ndeshjet e Gjilanit me Ulpianën, Prishtinën dhe Dukagjinin”, deklaroi ai.

Sipas trajnerit, Gjilani ka mundur të marrë më shumë pikë: “Kemi mundur të jemi më mirë, por të gjitha skuadrat kanë kriza. Besoj që e kemi kaluar. Nuk jam i kënaqur me numrin e pikëve, pasi kemi krijuar shumë, por me rëndësi që as ekipet tjera nuk janë larguar me pikë”. Ka pasur disa lojtarë të tij që kanë shkëlqyer këtë fillim sezon, por edhe nga ata që kanë luajtur më pak. Munishi flet për formën e tyre, por edhe dëmtimet.

“Realisht me disa lojtarë jam shumë i kënaqur me disa jo. Por është detyrë e imja t’i kthej në formë dhe t’i bëjë gati për ndeshjet e radhës. Unë e shoh kampionatin si maratonë dhe nuk do t’i përshpejtoj gjërat. Sa i përket Elton Cale dhe Agustin Torassa, të dy janë të lënduar”.

“Torrasa ka marr një dëmtim në brinjë në ndeshje me Ulpianën dhe ajo ndërhyrje nuk është sanksionuar. Është duke stërvitur i veçuar dhe nuk është gati për lojë. Sa i përket Cale, nuk është ende 100 për qind dhe nuk do ta rrezikoj. Në ndeshjet që luhet fortë, nuk do të luajë. Ka pasur një paraqitje fantastike me Feronikelin dhe vetëm kur të besoj që ndeshja është për të do të luajë”, deklaroi Munishi. Rivalët për titull, sipas tij, janë tre, por asnjëri nga ta nuk ia ka mbushur syrin, që do të jetë më i mirë se Gjilani.

“Rivalët për titull janë tre: Prishtina, Drita dhe Ballkani. Këta të fundit kanë ndryshuar pak në përbërje, janë skuadra të mira të tre rivalët. Por, ta them të drejtën asnjëra nuk më bind për titull. Besoj që ne do të jemi ata, por luftë do të ketë deri në fund”, nënvizoi Munishi. Tutje Gjilani mund të përforcohet edhe më një emër të njohur të futbollit shqiptar, pasi Donjet Shkodra është në bisedime me drejtuesit e klubit.

Donjet Shkodra me numër 90

“Po. Klubi është në bisedime me Donjetin. Dëshira e tij ekziston që të vijë te Gjilani. Palët janë janë bisedime, ende nuk ka diçka konkrete. Kaq mund të them për këtë gjë”, përfundoi ‘Special One’ i futbollit kosovar.

Gjilani në mesjavë luan në shtëpi ndaj Llapit që nuk kanë marrë asnjë fitore deri më tani. 

(Kosova Sot Online )