Ronaldo kurrë s’do ta njollosë historinë duke iu bashkuar Barcelonës apo Manchester Cityt, thotë ish-bashkëlojtari i tij Fabio

  • S.A /
  • 18 October 2021 - 12:18
Ronaldo kurrë s’do ta njollosë historinë duke iu bashkuar Barcelonës apo Manchester Cityt, thotë ish-bashkëlojtari i tij Fabio

Cristiano Ronaldo ka punuar zellshëm për ta fituar një reputacion si njëri prej më të mirëve i të gjitha kohëve dhe ai kurrë nuk do ta njolloste historinë duke iu bashkuar Barcelonës apo Manchester Cityt, sipas ish-bashkëlojtarit të tij te Manchester Unitedi, Fabio. Kalimi i Ronaldos në City ishte afër të bëhej në verë, kur portugezi njoftoi se po largohej nga Juventusi. Por Fabio beson se ky ishte vetëm një thashethem i shpikur nga menaxheri i portugezit, Jorge Mendes, dhe se Ronaldo në asnjë mënyrë nuk do ta mendonte kalimin në Etihad për ta dëmtuar reputacionin e vet. Ish-mbrojtësi i Unitedit Fabio, i cili luajti përkrah Ronaldos nga viti 2007 deri në vitin 2009, ka thënë për ESPN: “Nuk mund ta parafytyroja. Kur më treguan, nuk mund ta besoja”.

“Ishte Pedro, i cili luan këtu me mua (FC Nantes), i cili tha: ‘Ronaldo në Manchester City pothuajse e kryer’. Unë i thashë: ‘E pamundur’. Nuk e besoja në atë çast”, tregoi ai.

“Nuk e di nëse kjo ishte shpikur nga Jorge Mendes, menaxheri i tij, për të krijuar diçka sepse kështu ndodh tani. Unë nuk besoja se ai do të shkonte në City, për shkak të historisë së tij në United, për shkak të asaj që unë e di për të nga ato dy vite sa luajtëm së bashku. Do të kishte qenë e vështirë për të ta kishte guximin për të luajtur për Cityn sepse ai e ruan shumë atë histori. Njëlloj, mendoj se ai nuk do të luante kurrë as për Barcelonën.”

Ai shtoi: “Ronaldo e çmon shumë historinë që e ka bërë kudo që ka qenë. Cristiano Ronaldo luajti për klubet që donte dhe që ëndërronte të luante. Manchester, Real Madrid dhe Juventus. Prandaj, mendoj se ai nuk do ta njolloste atë histori”.

(Kosova Sot Online )