Kosova U17 humb nga Turqia U18, por fiton përvojën e duhur për “Elite Round”

  • E.K /
  • 12 November 2021 - 20:07
 Kosova U17 humb nga Turqia U18, por fiton përvojën e duhur për “Elite Round”

Kombëtarja e Kosovës U17 e ka zhvilluar miqësoren e dytë me Kombëtaren e Turqisë U18.

Ndeshja e luajtur të premten në fushën me bari natyral në Kompleksin e FFK-së në Hajvali u mbyll me shifrat 0:1. Loja në përgjithësi ishte e baraspeshuar dhe shumë e fortë në mesfushë, me disa raste shënimi nga të dyja ekipet.

Dardanët, ndonëse në moshë më të re se kundërshtarët, patën paraqitje shumë të mirë dhe u treguan rivalë të barabartë gjatë gjithë ndeshjes.

Megjithatë, ashtu sikurse në ndeshjen e parë edhe këtë herë turqit arritën të gjejnë golin pas minutës së 80-të, kur një harkim nga krahu i djathtë e shfrytëzoi Muhamed Mustafa Pinarci, duke e dërguar topin në rrjetë.

Përzgjedhësi Arsim Abazi pas ndeshjes u shpreh i kënaqur me paraqitjen e ekipit në këto dy ndeshje miqësore dhe optimist se edhe në fazën “Elite Round” të kualifikimeve ekipi i tij do të tregojë lojëra të mira dhe do të arrijë kualifikimin e shumëpritur në Evropianin “Izraeli 2022”.

Shorti për këtë fazë do të tërhiqet më 8 dhjetor, derisa ndeshjet e këtij rrethi do të luhen në pranverën e vitit të ardhshëm.

(Kosova Sot Online)