Kush është zbulimi i Mourinhos te Roma, 18-vjeçar Felix Afena-Gyan

  • 22 November 2021 - 12:44
Kush është zbulimi i Mourinhos te Roma, 18-vjeçar Felix Afena-Gyan

Felix Afena-Gyan iu bashkua akademisë së Romës në janar të këtij viti, por zbulimi 18-vjeçar i Jose Mourinhos i pushtoi ballinat e mediave botërore të dielën pas dy golave kundër Genoas.

Sulmuesi ganez erdhi nga stoli për t’i shënuar dy gola të vonshëm në stadiumin Luigi Ferraris të dielën mbrëma, duke i ndihmuar Romës të kthehet në binarë pas dy humbjeve radhazi. Para këtij takimi, Afena-Gyan i kishte vërë vetëm dy paraqitje nga stoli në ligë këtë sezon, para se të futej në lojë nga Mourinho në Marassi kur rezultati ishte 0:0.

Afena-Gyan e theu akullin në minutën e 82-të, kur shënoi nga afërsia pasi u shërbye nga Henrikh Mkhitaryan.

Ai e dyfishoi epërsinë e Romës me një gol të jashtëzakonshëm nga rreth 30 metra largësi në minutën e 94-të.

Kjo ishte vetëm paraqitja e tretë e tij në Serie A, pasi kishte luajtur si zëvendësues edhe kundër Cagliarit më 27 tetor dhe ndaj Milanit më 31 tetor.

Felix la shenja me ekipin e të rinjve të Romës këtë sezon, duke i shënuar gjashtë gola në vetëm pesë ndeshje.

I lindur më 2003 në Gana, ai luajti futboll në vendin e vet deri në janar 2021, kur Roma e mori përmes Akademisë EurAfrica FC.

Morgan De Sanctis ishte kyc në kalimin e Felixit në Itali, pasi ai ishte mahnitur nga talenti i tij gjatë vëzhgimit të tij, saqë e siguroi atë me kontratë deri në vitin 2023.

Felix e shfrytëzoi mundësinë për të luajtur për Romën, tifoz i së cilës ishte bërë pasi e kishte shikuar rikthimin e saj të paparë kundër Barcelonës nga disfata 4:1 në ndeshjen e parë në triumf 3:0 në ndeshjen e kthimit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve në prill 2018.

Pas vetëm dy muajve në Romë, ai ftohej për t’u stërvitur me ekipin e parë të Romës nën udhëheqjen e trajnerit Paulo Fonseca, megjithëse iu desh të presë ardhjen e Jose Mourinhos për të debutuar.

(Kosova Sot Online )