Aubameyang i prishi punët me Arsenalin, Barcelona e ofron Dembelen për të

  • S.A /
  • 15 December 2021 - 10:45
Aubameyang i prishi punët me Arsenalin, Barcelona e ofron Dembelen për të

Barcelona shpreson se do të mundë t’i shfrytëzojë problemet disiplinore të Pierre-Emerick Aubameyangut në Arsenal dhe mund ta ofrojë Ousmane Dembelen në një marrëveshje shkëmbimi për të.

Aubameyangut iu hoq shiriti i kapitenit të Arsenalit dhe ai nuk do të luajë për skuadrën e Mikel Artetës as të mërkurën kundër West Hamit, pasi u kthye në klub me vonesë nga një shëtitje me anije.

Në një njoftim për media të martën, Arsenali njoftoi se Aubameyang nuk është më kapiten i ekipit të parë.

“Ne presim nga lojtarët tanë, veçanërisht nga kapiteni, që të punojnë në bazë të rregullave dhe standardeve të cilat i kemi vendosur vetë dhe për të cilat jemi pajtuar”, shkroi Arsenali në një komunikatë.

Derisa 32-vjeçari mund të rikthehet në skuadër për ndeshjen e së shtunës kundër Leeds United, e ardhmja e tij në Arsenal është e pasigurt dhe ai mund të shitet në janar.

Barcelona ka shumë nevojë për një sulmues dhe me qejf do ta afronte Aubameyangun, megjithëse paga e tij e lartë mund të jetë problem.

Sipas mediave britanike, Barça është e gatshme ta ofrojë Ousmane Dembelen në një marrëveshje të mundshme shkëmbimi.

Barça nuk është e kënaqur me Dembelen, i cili ka dëshpëruar që prej se iu bashkua klubit në vitin 2017, duke i shënuar vetëm 30 gola në 124 paraqitje.

(Kosova Sot Online )