PSG-ja e shqetësuar se Neymari s’do t’ia dalë të rikthehet në kohë për Real Madridin

  • S.A /
  • 23 December 2021 - 10:30
PSG-ja e shqetësuar se Neymari s’do t’ia dalë të rikthehet në kohë për Real Madridin

Mungesa e Neymarit në javët e fundit i ka shkaktuar telashe Paris Saint-Germainit dhe tani klubi francez druhet se braziliani mund të mos ia dalë të shërohet në kohë nga lëndimi për përballjen me Real Madridin në Ligën e Kampionëve.

Klubi parisien i ka Lionel Messin dhe Kylian Mbappe, por do të ishte shumë më i lumtur sikur ta kishte sulmin e kompletuar kur të rifillojë gara më prestigjioze evropiane.

Sipas RMC Sport, drejtuesit e PSG-së druhen se Neymari nuk do të mundë të riaftësohet në kohë nga lëndimi i nyjës së këmbës për ndeshjen e parë të 1/8 së finales në shkurt.

Besohet se braziliani do ta ketë shëruar plotësisht lëndimin deri në mars, kur PSG-ja dhe Real Madridi do të përballen në ndeshjen e kthimit.

Neymari mungon që prej 28 nëntorit, kur u lëndua, por po mendon ta ngutë rikthimin në fushë në mënyrë që të luajë në ndeshjet e rëndësishme të klubit.

Braziliani ka hasur në telashe të mëdha me lëndime qëkur iu bashkua PSG-së në vitin 2017 dhe kishte munguar në ndeshje të rëndësishme në Ligën e Kampionëve, si kundër Real Madridit dhe Manchester Unitedit. 

(Kosova Sot Online )