Pas nisjes së hetimeve ndaj Dukës, FSHF-ja publikon një audio të Veliajt të cilën e vlerëson si kërcënuese dhe tronditëse

  • A.P /
  • 24 January 2022 - 15:28
Pas nisjes së hetimeve ndaj Dukës, FSHF-ja publikon një audio të Veliajt të cilën e vlerëson si kërcënuese dhe tronditëse

Federata e Futbollit e Shqipërisë (FSHF) e ka publikuar një audio në uebsajtin e vet zyrtar, për të cilën thotë se është e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt, duke e akuzuar atë për ndërhyrje politike në Asamblenë e Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, në prag të zgjedhjeve në shtëpinë e futbollit shqiptar.

Mediat shqiptare raportojnë se prokuroria e Tiranës i ka filluar hetimet ndaj presidentit të FSHF-së, Armand Duka, mbi dyshimet se ai e ka keqpërdorur detyrën zyrtare.

Në fakt, ishte Bashkia e Tiranës, si aksionare e klubit të futbollit Tirana, ajo e cila kërkoi hetim kombëtar dhe ndërkombëtar ndaj Dukës, të cilën e akuzon për korrupsion gjatë 20 viteve në krye të futbollit shqiptar.

Ndërkohë, FSHF-ja e akuzon Veliajn për ndërhyrje politike në futboll, duke e publikuar një audio nga, siç ka thënë, biseda e tij me anëtarët e Shoqatës Rajonale të Futbollit në Tiranë.

Kjo shoqatë është mbledhur sot në një takim punues në kryeqytetin shqiptar.

“Në këtë takim kryebashkiaku duke iu drejtuar të pranishmëve me fraza shumë të rënda dhe fjalori prej një rrugaçi dhe një të forti lagjeje, në disa momente dhe si prokuror”, thuhet në një reagim të FSHF-së.

Duka është në kërkim të mandatit të gjashtë rresht në krye të Federatës së Futbollit në Shqipëri në zgjedhjet e muajit të ardhshëm.

Ai do të sfidohet për këtë post nga komentatori i famshëm i futbollit në Shqipëri, Dritan Shakohoxha.

(Kosova Sot Online)