Tuchel i ashpër me Rudigerin: Me të i kemi pësuar 7 gola nga Brendfordi e Reali

  • E.K /
  • 21 April 2022 - 13:09
Tuchel i ashpër me Rudigerin: Me të i kemi pësuar 7 gola nga Brendfordi e Reali

Chelsea e pësoi një humbje tjetër të rëndë mbrëmë pasi u mposht nga Arsenali me rezultat 2:4.

Kjo ishte humbja e tretë radhazi në shtëpi për “Blues” në të gjitha garat.

Një gjë e tillë nuk i kishte ndodhur klubit londinez që nga viti 1993.

Në duel me “Gunners” nuk u paraqit Antonio Rudiger.

Dhe, i pyetur se përse nuk e inkuadroi qendërmbrojtësin, trajneri gjerman u përgjigj:

“I kemi marrë shtatë gola me Tony kundër Brentfordit dhe Real Madridit. Nuk është çështje individësh, është një problem i mbrojtjes dhe i skuadrës. Edhe problemet në sulm janë probleme të skuadrës”, deklaroi Tuchel.

Rudiger kishte rënie të formës në ndeshjet e fundit.

Ai po i kalon muajt e fundit të kontratës me kampionin aktual evropian dhe kjo mund të ketë ndikuar në rënien e përqendrimit të tij pasi qysh tash po mendon për klubin e ardhshëm.

Ndërkohë, ish-trajneri i PSG-së foli edhe për fjalosjen ndërmjet një tifozi të “Blues” dhe kapitenit Cesar Azpilicueta pas përfundimit të lojës.

“Nuk e di, nuk isha prezent. Kam parë gjithçka dhe të jem i sinqertë, e kuptoj tifozin”, përfundoi Tuchel.

(Kosova Sot Online)