“Refuzova Man Unitedin” – Mane tregon se si Klopp e bindi për të kaluar te Liverpooli

  • S.A /
  • 28 May 2022 - 09:30
“Refuzova Man Unitedin” – Mane tregon se si Klopp e bindi për të kaluar te Liverpooli

Sadio Mane ka zbuluar se si e kishte refuzuar mundësinë për t’u transferuar te Manchester Unitedi në vitin 2016.

Në atë vit, senegalezi u transferua te Liverpooli nga Southamptoni për 41,20 milionë euro dhe që atëherë ka bërë 268 paraqitje për “Të Kuqtë” në të gjitha garat, duke shënuar 120 gola – përcjell Gazeta Express.

Megjithatë, gjërat mund të kishin qenë ndryshe nëse Mane do të kishte marrë një vendim tjetër atë verë.

30-vjeçari një intervistë me Jamie Carragherin për “The Telegraph” ka zbuluar se sa afër ishte për t’u transferuar në “Old Trafford”.

“Më duhet të them, isha shumë afër të shkoja në Manchester United. Kisha kontratën atje. Kisha rënë dakord për të gjitha. Ishte gjithçka gati, por në vend të kësaj mendova: ‘Jo, dua të shkoj në Liverpool’”, tha fillimisht Mane.

“Isha i bindur që të shkoja me projektin e Kloppit. Më kujtohet ende hera e parë që mora telefonatën nga Klopp. Po shikoja TV. Ishte një film aksion sepse i dua filmat  dhe ai tha: ‘Sadio, dëgjo, dua për t’ju shpjeguar se çfarë ndodhi në Dortmund’. Ishte atëherë kur ai mendoi të nënshkruante me mua për Dortmundin dhe për disa arsye nuk funksionoi”, shtoi ish-sulmuesi i Southamptonit.

“Ai u përpoq të shpjegonte dhe unë i thashë: ‘Është në rregull, ndodhi’. E fala. Më pas ai tha: ‘Tani të dua në Liverpool’. Dhe unë i thashë, ‘Mirë, Dortmundi është pas nesh, le të përqendrohemi te e ardhmja’”, ka deklaruar Mane. Ndryshe, Sane Mane ka kontratë të vlefshme me Liverpoolin deri më 30 qershor 2023.

(Kosova Sot Online )