Kosova i prezanton 40 sportistët e saj për Lojërat Mesdhetare

  • S.A /
  • 07 June 2022 - 14:58
Kosova i prezanton 40 sportistët e saj për Lojërat Mesdhetare

Ekipi mesdhetar i Kosovës do të përbëhet nga 40 sportistë të 13 sporteve të ndryshme për Lojërat Mesdhetare, të cilat prej 25 qershor deri më 6 korrik 2022, do të mbahen në qytetin e Oranit të Algjerisë. Listës i prin kampionia olimpike, xhudistja, Distria Krasniqi. Nga xhudoja janë edhe më së shumti sportistë, gjithsej tetë, njofton Komiteti Olimpik i Kosovës.Krahas Krasniqit, nga sporti më i suksesshëm në vend, janë edhe kampioni i Evropës 2021, Akil Gjakova, medalistja e bronztë e botës 2019, Loriana Kuka, nënkampionia e Evropës 2022, Laura Fazliu, derisa shkaku i lëndimit mungon kampionia olimpike, Nora Gjakova.

Boksin do ta përfaqësojnë pesë garues, ndërsa veçohet pjesëmarrja e Donjeta Sadikut, e cila muajin e kaluar fitoi medaljen e bronztë të botës. Listës prej pesë karateistëve i prinë, Elhami Shabani, që së fundi fitoi medaljen e bronztë të Evropës, ndërsa nga mundja është vendi i shtatë në Lojërat Olimpike Tokio 2020, Egzon Shala. Kampioni i Evropës për grupmoshën U-20, në hedhjen e gjylës, Muhamet Ramadani, përfaqëson atletikën bashkë me tre garues tjerë. Në Oran do të përfaqësohen edhe sportet si: noti (dy), taekëondo (dy), shigjetaria (tre), shenjëtaria sportive (dy), tenisi, pingpongu (dy), gjimnastika (dy) dhe badmintoni (një). Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka thënë se Oran 2022 është mundësi e mirë që edhe sportet tjera të fitojnë medalje.

“Krahas xhudos, presim medalje edhe nga boksi, karate, mundja dhe atletika, pasi kemi potencial të mirë për ta bërë këtë. Qëllimi ynë është të japim maksimumin dhe ekipi të kthehet me sa më shumë medalje”, tha Krasniqi. Në Oran marrin pjesë 3390 sportistë nga 26 shtete të Evropës, Afrikës dhe Azisë. Kosova për herë të parë në Lojërat Mesdhetare u paraqit në Tarragona të Spanjës, në vitin 2018, me ç’rast nga 40 sportistë pjesëmarrës, fitoi katër medalje, tri të arta, dhe një të argjendtë, të gjitha nga sporti i xhudos.

(Kosova Sot Online )