UEFA ia beson FSHF-së organizimin e ndeshjeve të Grupit G në Champions League

  • G.G /
  • 08 July 2022 - 13:57
UEFA ia beson FSHF-së organizimin e ndeshjeve të Grupit G në Champions League

UEFA ia ka besuar Federatës Shqiptare të Futbollit organizimin e ndeshjeve të Grupit G të fazës para-eliminatore në Ligën e Kampionëve të futsallit.

UEFA hodhi këtë të enjte shortin për fazën para-eliminatore të kompeticionit më të rëndësishëm për klube në Evropë në futbollin e sallës, ku Shqipëria do të përfaqësohet nga Tirana Futsal, që u shpall kampione e edicionit të fundit.

Ekipi kryeqytetas është shortuar në grupin G, së bashku me Differdange (Luksemburg), Apoel (Qipro), dhe Belfast United (Irlandë e Veriut).

Të gjitha ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në Shqipëri në datat 23-28 gusht, teksa në ditët në vijim do të përcaktohet edhe kalendari i ndeshjeve me datat kur do të zhvillohen këto përballje. Në këtë fazë marrin pjesë 32 skuadra të ndara në 8 grupe me nga 4 skuadra secila, teksa vendi i parë i çdo grupi avancon për në fazën tjetër.

Edhe vitin e kaluar FSHF mirëpriti ndeshjet e Grupit C ku bënin pjesë Tirana Futsal, Haladás VSE (HUN), FC Differdange 03 (LUX) dhe Utleira Idrettslag (NOR), duke treguar një nivel të lartë organizimi dhe duke përmbushur me sukses pritshmëritë e UEFA-s.

Organizimi i këtyre ndeshjeve në Shqipëri vije pas finales së suksesshme të UEFA Conference League, si edhe disa turneve zhvillimorë moshash. 

(Kosova Sot Online)