Aubameyang e ka zgjedhur klubin e preferuar nëse largohet nga Barcelona

  • E.K /
  • 18 August 2022 - 12:52
Aubameyang e ka zgjedhur klubin e preferuar nëse largohet nga Barcelona

E ardhmja e Pierre-Emerick Aubameyangut në Barcelonë është vënë në dyshim të fortë.

Transferimet që i bëri këtë verë gjiganti katalunas kanë bërë që dyert e largimit nga “Camp Nou” për sulmuesin gabonez të jenë të hapura.

Robert Lewandowski do të jetë një titullar i padiskutueshëm dhe për Auban nuk do të ketë hapësira tek “Blaugrana”.

E duke e pasur parasysh krizën financiare, katalunasit po mundohen të shesin sa më shumë lojtarë, përfshirë këtu edhe ish-futbollistin e Milanit, Borussia Dortmundit e Arsenalit.

Mediumi britanik “Daily Mail” raporton se 33 vjeçari i ka dy opsione nëse largohet nga Spanja, Manchester Unitedin ose Chelsean, të cilët janë të interesuar për shërbimet e tij.

Gjithnjë sipas këtij mediumi, futbollisti afrikan do ta preferonte më shumë ekipin nga “Stamford Bridge” sesa atë nga “Old Trafford”.

Barça synon t’i sigurojë deri në 30 milionë euro nga shitja e sulmuesit të rrezikshëm, i cili megjithatë nuk tregoi mjaftueshëm për gjysmë sezoni në “Camp Nou” për ta bindur trajnerin Xavi Hernandez që ta konsiderojë atë si të pashitshëm. 

(Kosova Sot Online)