Vidic zbulon emrat e sulmuesve më të mirë me të cilët është përballur, injoron Torresin

  • S.A /
  • 12 September 2022 - 14:13
Vidic zbulon emrat e sulmuesve më të mirë me të cilët është përballur, injoron Torresin

Vidic zbulon emrat e sulmuesve më të mirë me të cilët është përballur, injoron Torresin. Nemanja Vidic ka emëruar katër sulmuesit më të mirë me të cilët është përballur në Premierligë, por çuditërisht Fernando Torres nuk është njëri prej tyre. Torres dhe Vidic patën disa “beteja legjendare” gjatë përballjeve të mëhershme, derisa mbahet mend paraqitja e shkëlqyer e ish-sulmuesit të Liverpoolit gjatë përballjes kundër Manchester Unitedit në mars të vitit 2009, kur “Të Kuqtë” fituan 4:1 në “Old Trafford”.

Ish-sulmuesi spanjoll kishte shënuar njërin nga golat e fitores në atë ndeshje. Ai deri te goli erdhi pasi vodhi një top pikërisht nga Vidic.

Megjithatë, ish-mbrojtësi serb ka zgjedhur disa sulmues tjerë, që sipas tij janë më të mirët dhe të fortit, me të cilët ai është përballuar gjatë kohës sa luante te Manchester Unitedi. Ai përmendi ish-sulmuesit; Didier Drobga, Sergio Aguero, Luis Suarez dhe Peter Crouch. “Përvoja ime e parë ishte Peter Crouch. Nuk kisha parë kurrë një lojtar dy metra të gjatë më parë. Ai luajti për Liverpoolin dhe ne luajtëm me ata në një ndeshje Kupe në ‘Anfield’. Po mendoja ‘Uau, çfarë mund të bëj sot me këtë djalë?’. Pastaj pashë Bellamy pranë tij, jo një lojtar i madh, por shumë i shpejtë. Ai vraponte në hapësirë, Crouch hidhej në ajër. Nuk kisha parë kurrë futboll të luhej kështu. Unë kurrë nuk kisha parë një lojtar ‘9’ dhe një lojtar të mprehtë dhe të shpejtë pranë tij. Dija si t’i trajtoja individualisht, por jo të dy në të njëjtën kohë. Luajta përkrah Wes Brown, ishte një lojë e vështirë. Një lojë e gjatë. Ne humbëm 1-0”, tha Vidic për “The Athletic”.

Në lidhje me Drogban, i cili u përjashtua me karton të kuq në finalen e Ligës së Kampionëve të vitit 2008 për shkak se kishte goditur Vidicin. Ish-mbrojtës i Interit e përshkroi legjendën e Chelseat si “lojtar shumë i zgjuar që do të hynte në trurin e mbrojtësve”.

Kurse, 40-vjeçari për ish-sulmuesin e Manchester City, Agueron, tha: “Kam luajtur kundër Agueros kur ata na mundën 4-1 në sezonin me Moyes. Ai (Aguero) duket sikur nuk është i interesuar për futbollin në fushë. Ai nuk duket si një djalë që do të vrapojë 10 metra dhe më pas – bang – ai bën sprintin. Jam i bindur se Aguero ka lindur si mbrojtës. Ai e di se ku do të vijë topi dhe ku mund të sulmojë. Kjo ishte ndeshja ime më e keqe për United”. Ish-reprezentuesi i Serbisë tutje foli edhe për Luis Suarezin, me të cilin ishte përballur në ndeshjet që Manchester Unitedi i luante kundër Liverpoolit, duke thënë se sulmuesit nga Uruguai nuk i mbaronte energjia asnjëherë. “Unë nuk mendoj se ai e di saktësisht se çfarë është duke bërë, por ai ia del. Ai është shumë i drejtpërdrejtë dhe i uritur për të shënuar. Ai vrapon për 90 minuta”, deklaroi Vidic. Nemanja Vidic ishte pjesë e “Djajve të Kuq” nga viti 2006 deri më 2014. Ai në total regjistroi 300 paraqitje, teksa vlerësohet si një nga mbrojtësit më të mirë në histori të klubit dhe Premierligës. 

(Kosova Sot Online )