Te Manchesteri nuk po mendohet ndërprerja e kontratës me Ronaldon

  • S.A /
  • 22 October 2022 - 09:47
Te Manchesteri nuk po mendohet ndërprerja e kontratës me Ronaldon

Manchester United raportohet se nuk po e mendon ndërprerjen e kontratës me Cristiano Ronaldon. Portugezi u suspendua nga aktivitetet e ekipit të parë të enjten, pasi ai një ditë më herët refuzoi që të inkuadrohej si zëvendësues në minutën e 87-të në ndeshjen kundër Tottenhamit.

Erik ten Hag pastaj e mori vendimin për suspendimin e Ronaldos, vendim që u mbështet edhe nga drejtuesit e klubit.

Së fundi u raportua se Manchester United po shqyrton mundësinë për të liruar 37-vjeçarin nga kontrata në janar, nëse paraprakisht ai nuk gjen ndonjë klub të ri.

Megjithatë, sipas Florian Plettenberg, këto raportime nuk janë të vërteta.

Gazetari nga “Sky Sports” bëri të ditur se kjo momentalisht nuk është një çështje te “Djajtë e Kuq”.

Ndryshe, Ronaldo me klubin anglez ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2023. Në marrëveshjen mes palëve, ekziston edhe opsioni për zgjatje të bashkëpunimit edhe për një tjetër vit. 

(Kosova Sot Online )