Kosova e fiton betejën me Rumanin, jepet drita e gjelbër për zhvillimin e ndeshjeve me Kosovën në kualifikimet e “Euro 2024”

  • S.A /
  • 22 October 2022 - 14:49
Kosova e fiton betejën me Rumanin, jepet drita e gjelbër për zhvillimin e ndeshjeve me Kosovën në kualifikimet e “Euro 2024”

Federata Rumune e Futbollit (FRF) ka marrë miratimin e Qeverisë që përfaqësuesja rumune të luajë ndeshjet me Kosovën, të vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Evropian “Euro 2024”. Më 9 tetor u tërhoq shorti për grupet e fazës kualifikuese për “Euro 2024”, që do të mbahet në Gjermani.Kombëtarja e Kosovës u shortua në Grupin I, bashkë me Zvicrën, Izraelin, Rumaninë, Bjellorusinë dhe Andorrën. Pas shortit, Rumania fillojë të bënte zhurmë dhe kërkohej që përfaqësuesja e këtij vendi të mos luajë kundër “Dardanëve”.Theodor Melescanu, ish-ministri i Jashtëm i Rumanisë, kishte kërkuar nga FRF që të mos pranojë të luajë ndaj Kosovës, edhe nëse pastaj vendoset që ndeshjet të regjistrohen me rezultat zyrtar 3:0.

Megjithatë, lajmet se Rumania mund të përjashtohet nga FIFA dhe UEFA nëse nuk luan ndaj Kosovës, duket se kanë zbutur rumunët.

Federata e Futbollit që udhëhiqet nga Razvan Burleanu kërkoi mendimin e autoriteteve të vendit lidhur me këtë çështje, duke marrë parasysh se Rumania nuk e njeh shtetin e Kosovës.

Në përgjigjen për mediumin rumun “GSP”, Ministria e Punëve të Jashtme ka sqaruar se pjesëmarrja në gara të sportistëve apo ekipeve nga Rumania, së bashku me ata të Kosovës, si dhe organizimin e garave sportive në Rumani, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të federatave sportive përkatëse, nuk nënkupton dhe nuk mund të ketë efekt të njohjes nga Rumania të shtetësisë së Kosovës, transmeton Gazeta Express.

Kësisoj, sipas mediumit në fjalë, Federata Rumune e Futbollit ka marrë dritën e gjelbër për të organizuar ndeshjen kundër Kosovës, por me një kusht nga Ministria e Punëve të Jashtme, që “të mos ndërhyhet në qëndrimin e këtij shteti lidhur me statusin e Kosovës”.

Rumania e vlerëson Kosovën ende si një krahinë dhe nuk e njeh shtetësinë e saj.

Sidoqoftë, ky vend pritet që të njoftohet më mirë me Kosovën vitin e ardhshëm, kur do të zhvillojnë dy ndeshje mes vete në kuadër të këtyre kualifikimeve.

Ndeshja e parë është e paraparë që të zhvillohet më 16 qershor, me Kosovën që do të jetë nikoqire.

Ndërkaq, më 12 shtator, Kosova do të jetë mysafire e Rumanisë.

(Kosova Sot Online )