Pochettino në formën më të mirë, synon pozitën e trajnerit në Serie A

  • S.A /
  • 19 November 2022 - 15:33
Pochettino në formën më të mirë,  synon  pozitën e trajnerit në Serie A

Trajneri argjentinas  Mauricio Pochettino nuk i ka fshehur ambiciet, e ka  pranuar  se dëshiron të jetë trajner në Serie A një ditë. Këtë synim e bëri publik teksa foli edhe për italianët me të cilët punoi te Paris Saint-Germaini, Gianluigi Donnarumma dhe Marco Verratti. Trajneri argjentinas u shkarkua nga PSG verën e kaluar pavarësisht se fitoi Ligue 1. Eliminimi nga Liga e Kampionëve në raundin e 16-të i kushtoi atij me vend të punës, transmeton "Kosova Sot Online".

Pochettino në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport” e pranoi se i pëlqen që të jetë trajner në Serie A, por nuk përmendi ndonjë klub. “Po, do të më pëlqente. Të gjithë gjyshërit e mi janë nga Italia, unë kam qenë i rrethuar nga kultura italiane duke u rritur dhe gjithmonë e kam pasur objektivin që një ditë të jem trajner në Serie A. Kam punuar në Spanjë, Francë dhe Angli dhe shpresoj të kem një shans në Serie A”, tha ai.

“Është një ligë konkurruese dhe emocionuese. Unë shoh shumë ndeshje me shumë interesim. Kohët e fundit ka humbur pak peshë, por gjithsesi duhet respektuar dhe admiruar”, shtoi ish-trajneri i Tottenhamit.

Kombëtarja e Italisë dështoi të kualifikohet në Kupën e Botës për herë të dytë radhazi dhe Pochettino pranoi se dyshja italiane, Donnarumma dhe Verratti, kishin shumë presion para ndeshjes gjysmëfinale të “Play-Off”-it, kundër Maqedonisë së Veriut. “E kam përjetuar në vetën e parë. Para ndeshjes me Maqedoninë e Veriut, Marco Verratti dhe Gigio Donnarumma u terrorizuan. Ishte e qartë se ata ndjenin presionin rreth ekipit kombëtar dhe vendit”, tha 50-vjeçari. 

(Kosova Sot Online )