Benzema: Doja të pensionohesha në Real Madrid por nuk ndodhi kështu

  • A.P /
  • 06 June 2023 - 18:27
Benzema: Doja të pensionohesha në Real Madrid por nuk ndodhi kështu

Real Madridi i ka dhënë lamtumirën e fundit Karim Benzemas këtë të martë.

Sulmuesi francez vendosi që t’i jep fund qëndrimit të tij 14-vjeçar në “Santiago Bernabeu".

Pasi luajti ndeshjen e tij të fundit të dielën dhe shënoi në barazimin 1:1 kundër Athletic Bilbaos, Benzemas iu organizua sot ceremonia lamtumirëse.

Presidenti i këtij klubi, Florentino Perez, e falënderoi për angazhimin e tij, duke theksuar se Benzema mbërriti në Real Madrid “si fëmijë” dhe po largohet si një legjendë.

Ndërsa, 35-vjeçari falënderoi Perezin për realizimin e ëndrrës së tij.

“Faleminderit shumë për Real Madridin. Ishte një udhëtim i mirë në jetën time. Unë kam pasur fatin të realizoj ëndrrën time si fëmijë falë presidentit. Kur të pashë, thashë ‘ai është njeriu që ka sjellë Ronaldon dhe Zidanen’. Ai është i pabesueshëm. Sot është koha për të shkuar dhe për të parë një histori tjetër. Gjëja më e rëndësishme për mua është se gjithçka që kam fituar e kam shijuar si fëmijë. Siç thashë në prezantimin tim ‘një, dy dhe tre, hala Madrid’”, tha tashmë ish-sulmuesi i “Los Blancos”.

Benzema gjithashtu tha se kishte menduar të pensionohej te klubi nga kryeqyteti spanjoll, teksa falënderoi edhe trajnerin Carlo Ancelotti e tifozët e klubit.

“Faleminderit edhe për Ancelottin, i cili më dha besimin e tij që në fillim. Kam mësuar shumë me ju. Është pak e trishtuar sepse po largohem nga klubi im. Kam nënshkruar për Madridin dhe doja të pensionohesha këtu, por që nuk ndodhi kështu. Unë do të jem gjithmonë një tifoz i Madridit. Faleminderit edhe tifozëve që më dhanë gjithmonë atë forcë. Faleminderit të gjithëve, sinqerisht”.

(Kosova Sot Online)