Politikanët e babëzitur e gjunjëzuan Republikën (VIDEO)

  • 17 December 2017 - 07:37
Politikanët e babëzitur e gjunjëzuan Republikën (VIDEO)

Udhëheqja e keqe e vendit, nga politika aktuale, për gati dy dekada, që nga viti 1999 e deri më sot, ka bërë që të mos ketë asnjë perspektivë zhvillimore, por kjo politike e ka plandosur këtë shtet dhe i ka nënshtruar këta qytetarë, duke e rrezuar shtetin në gjunjë këtë shoqëri që nga viti 1999 e deri me sot, nga një qeverisje krejtësisht e korruptuar në të dyja nivelet, qendror dhe lokal, duke mos punuar asgjë për qytetarët, por vetëm për veten dhe mafio-oligarkët e inkriminuar. Me këtë qeverisje të kapur nga krimi dhe korrupsioni, analistët nuk shpresojnë se do të kemi dalje nga situata e rëndë, kur në Kosovë një e treta e popullatës po jetojnë në varfëri të skajshme. Edhe sipas gjetjeve të ASK-se "varfëria e plotë në zonat rurale është 30.7 për qind, ndërsa 26.7 për qind, zonat urbane". Edhe analistët politikë, por edhe qytetarët e zakonshëm, në kërkim të fajtorit, gishtin ia drejtojnë politikës në pushtet, në të gjitha nivelet. Njohësi i politikave ekonomike, Mustafë Kadrijaj, thotë se kjo gjendje mbretëron, ngase skena politike që nga paslufta është zhytur në afera korruptive, por duke u bazuar në rrethanat që ka kaluar Kosova me protektorat ndërkombëtar, në njëfarë mënyre dështimet fillestare kanë qenë të pranueshme. "Por fatkeqësia është se kjo dozë e korrupsionit u rrit edhe më shumë edhe mbas pavarësisë duke rënduar jetën ekonomike dhe mirëqenien e qytetarit. Këtu kemi një diskrepancë të madhe në mes të njerëzve të pushtetit dhe njerëzve të lidhur me pushtetin dhe qytetarëve. Në politikë dhe në pushtet kemi politikanë milionerë, që nuk mundë ta arsyetojnë atë pasuri që e disponojnë, ndërsa në anën tjetër kemi një qytetar më të varfër në Evropë dhe rajon. Sot kemi ekonomi informate, ku mbi 30 për qind është informalitet, kemi po ashtu edhe papunësi mbi 30 për qind dhe krejt së bashku një varfëri ekstreme mbi tridhjetë për qind", potencoi ai për "Kosova Sot".

Nuk ka ndryshime me garniturën e njëjtë

Analisti politik Reshat Badallaj shpresën e ndryshimit e sheh vetëm me ndërrimin e plotë të kësaj klase politike nga pushteti. "Në fakt këta kanë punuar vetëm për interesa të tyre personale duke e dëmtuar buxhetin e shtetit dhe në anën tjetër kanë rritur papunësinë dhe kanë rritur fukarallëkun deri sa ka prekur popullatën. Falë Zotit që kjo popullatë që janë në varfëri të skajshme jetojnë me qykë të zorit, si themi ne, që nuk kanë as bukë në sofër, nuk kanë para as për ilaçe, tjetra është që populli ynë falë Zotit janë duar lirë dhe për gjynah të Zotit ndihmojnë të varfëritë dhe jemi solidar si popull dhe e treta, kurbetçinjtë sado kudo ndihmojnë dhe nuk e lënë as kë të vdes urie. Përndryshe në qoftë se populli i varfër shpreson në këto banda politike, jo vetëm që i ka marrë lumi po edhe kufomën ja lënë jashtë: bandat politike, kryebanditët dhe banditët të këtyre bandave janë lidhur me mafio-oligarkët që e rrjepin shtetin deri në palcë dhe shiko secili si janë bërë si sheikët e Arabisë", tha Badallaj për Kosova Sot. Ndërsa analisti Gani Qarri ka pohuar se në vend të veprimeve të vendosura për forcimin e ligjit dhe konfirmimit të gjithanshëm e sa më të gjerë të shtetë- sisë së vendit, përpjekjeve për ruajtjen interesave të shtetit tonë dhe qëndrueshmërisë politike në rajon, pengimin dhe mbrojtjen nga ndërhyrjet inkriminuese të Serbisë në Kosovë, klasa politike vendore, që nga viti 1999, jo vetëm se shkatërroi çdo gjë, por e lëshoi edhe popullin në të dy gjunjët e po e rrëzon përfundimisht edhe vetë shtetin e Kosovës, duke mos punuar asnjëherë për qytetarët. "Me keq qeverisjen dhe sponsorizimin e pashembullt të korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha instancat e shtetit, kjo klasë politike, jo vetëm se denigroi tërësisht Kosovën, por u bë shkas edhe i ngecjeve të pareshtura dhe bllokimeve të njëpasnjëshme të vendit tonë edhe në skenën e politikës botërore, ku përveç kundërshtimeve të njohura të Serbisë, Rusisë dhe Kinës, qëndrimet refuzuese, sa vijnë e shtohen edhe nga shtetet e tjera ndaj Kosovës", u shpreh ai për "Kosova SOT".

Lidershipi pasurohet, populli varfërohet

Analisti politik Ali Hertica thotë se pas raporteve të fundit që alarmojnë për gjendjen kaotike sociale dhe ekonomike në vend, qeveria do të duhej të punonte nonstop 24 orë pa ndalë në zhvillimin e reformave. "Situata është e rëndë përballë fakteve që flasin se varfëria e plotë në zonat rurale është 30.7 për qind, ndërsa 26.7 për qind zonat urbane, sipas gjetjeve të ASK-së. Ndërkaq, Qeveria e Kosovës kishte premtuar se në vitin 2018 do të ketë rritje të buxhetit në Skemën e Ndihmës Sociale për 5 për qind, që do të mbulonte më shumë se gjysmën e popullsisë, 61 përqindëshin që marrin këto ndihma, e të largoheshin nga varfëria ekstreme, por deri më tani nuk ka shenja të përmirësimit të kësaj gjendje kaotike të shoqërisë", u shpreh ai."E gjithë kjo katrahurë e mjerimit, e një varfërie ekstreme vjen si pasojë e lidershipit që kemi në krye të shtetit, politikave të subjekteve në të cilat janë të instaluar oligarkët dhe bandat e plaçkitjes së shtetit pa u dhënë llogari askujt në sistemin e drejtësisë dhe pa u frikësuar nga askush, ku qytetari është duke e zhvilluar jetën në vete, pa ndihmën e institucioneve dhe shtetit kështu që jeta e qytetarit është një jetë e varfër, e lodhshme dhe e degraduar", tha Ali Hertica për 'Kosova Sot. Ndërsa, analisti Ragip Guraziu thotë se kjo klasë politike nuk po e ndërton, por po e shkatërron shtetin. "Kjo klasa politike kosovare që nga viti 1999 e deri më sot, në të dyja nivelet, si ne nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal, duke mos punuar asgjë për qytetarët, por vetëm për vetën dhe mafio-oligarkët e inkriminuar, duke u shantazhuar në krime dhe më shumë për xhepat e tyre përplot shtetin e Kosovës e degraduan aq shumë sa e rrëzuan përtokë dhe nuk dihet se kur do zgjohet dhe të ngrihet shteti ynë", tha Guraziu për "Kosova Sot".

Gati dy dekada ngecje dhe papunësi

Papunësia dhe varfëria e skajshme nuk mund të kenë shërim, me këtë klasë politike që po qeveris vendin tash e dy dekada, edhe sipas analistit Faton Mehmeti."Në gamen e gjatë të sfidave dhe problemeve me të cilat po ballafaqohet Kosova është edhe fenomeni i varfërisë. Varfëria paraqet një kancer për shoqërinë, sidomos shoqërinë shqiptare te Kosovës, kur kihet parasysh fakti se çdo vit Kosovës pothuajse i shtohen mbi 35 mijë të rinj që janë të aftë për punë dhe se rreth 60 për qind e strukturës së shoqërisë kosovare përbëhet kryesisht nga të rinjtë e moshës 15-35 vjeçare", u shpreh ai."Që nga paslufta e deri më sot, edhe pse ka pasur rënie dhe ngritje të vazhdueshme të varfërisë, megjithatë termi varfëri ka qenë termë, që e ka preokupuar shoqërinë tonë. Sipas Raportit nga Banka Botërore "Evropa Juglindore Raporti i Zhvillimeve Ekonomike" shkalla e papunësisë në Kosovës sillet rreth 45.4 për qind", vijoi më tutje Mehmeti. "Të gjitha këto probleme pa dyshim se duhet t'i zgjojnë nga gjumi institucionet e Kosovës, në mënyrë që të ndërmarrin mekanizma lidhur me zbutjen e gjendjes së varfërisë dhe papunësisë në Kosovë. Në të kundërtën, institucionet kosovare do të përballen me probleme të ndryshme, sidomos në procesin e liberalizimit të vizave, por në të njëjtën kohë edhe me një imazh jo të mirë të shtetit", tha Faton Mehmeti për "Kosova Sot".

"Po na i marrin votat dhe po na e kthejnë shpinën?

Protestues ndaj kësaj gjendje është edhe qytetari i thjeshtë, pa punë, që mezi mbijeton duke shëtitur në kërkim të ndonjë pune, nga kushdo që i ofrohet një mundësi. Hasan Matoshi, një cigareshitës i moshuar, thotë se nuk ka mundur të gjejë punë tjetër dhe po shet cigare sa për kafshatën e gojës. Mirëpo, sipas tij, vetëm ikja e krejt kësaj kaste politike nga pushteti dhe dalja në skenën e politikanëve të pakorruptuar, të bashkuar me qytetarët, do të mund t'i sillnin ndryshime këtij vendi."Politika i ka fajet krejt, politika krejt këto të zeza i ka bërë, nuk lëshojnë pe, badihava, nuk lëshojnë pe vetëm ia hedhin fajin njëri-tjetrit, sepse përtojnë të punojnë", tha Matoshi për "Kosova Sot". Ai shton se më mirë do të ishte vetë kjo klasë politike të dorëhiqet, sepse edhe qytetarët e thjeshtë mund të qeverisin më mirë se këta që nuk shohin përtej interesave të tyre. Islam Matoshi, një qytetar tjetër i papunë, mezi ia del të mbijetojë së bashku me familjarët e tij, duke punuar me karrocë dore te tregu i gjelbër. "Vështirë kështu është boll, por nuk ke se çka me ba. Një apo dy euro mezi i nxjerr gjithë ditën e ndodh ndonjëherë që nuk fitoj hiq... kush është fajtor...nuk po dihet kush çka po bën. Qeveritë po ndërrohen njëra pas tjetrës, por secila që po vjen njësoj nuk po bën më mirë asnjëra nga tjetra asgjë. Kam provuar të gjej edhe ndonjë punë tjetër, por kot, pa të njohshëm s'mund të bësh asgjë. Ne të njohshëm nuk kemi, asgjë jo, dhe po duhet me punu, çfarëdo që po mundemi", tha Islam Matoshi për "Kosova Sot". Qytetari Bedri Ismaili del çdo ditë në tregun e punëtorëve të krahut dhe thotë se këtë zanat e bën që 40 vjet, sepse nuk ka mundur të gjejë as një mundësi tjetër. Sipas tij, faji për këtë mjerim social dhe papunësi është politika në pushtet."Fajtor janë qita të mëdhenjtë qeveritarë. Me mujt me gjet një punë më të mirë prej kësaj ishim larguar që moti po ku me gjet punë. Fabrika nuk ka. S'ka asgjë hiq... këta veç po na i marrin votat dhe më pastaj për ne nuk po mendon askush. Është vështirë për ta mbajtur familjen me këtë punë, sepse të ardhurat nuk janë kurrfare e kërkah", tha Ismaili për gazetën "Kosova Sot". Të njëjtin zanat e bën edhe Mehmet Veseli, me të njëjtat halle e telashe."Për krejt këtë gjendje konsideroj që është fajtore Qeveria e Kosovës, për shkak se jemi shumë që kemi mbetur kështu në rrugë. Unë jam me 8 anëtarë të familjes për ta siguruar një kafshatë të bukës dhe atë jo gjithherë mundemi me e gjet. Unë jam i ardhur këtu nga fshati Baks i komunës së Skenderajt dhe ndodh që këtu presim punë nga dy javë ditë e nuk vjen për të na pyetur kush se çka presim e çka mund të bëjmë këtu. Kushtet janë tepër të rënda dhe këtu po na shohin të gjithë, duke ndenjur në rrugë gjatë gjithë ditës dhe ndodh tepër shpesh që të kthehemi në shtëpi pa asnjë cent në xhep. Pra, fajtore është Qeveria e Kosovë, sepse jam me 8 anëtarë dhe as social nuk më japin, e kam pasur atë dhe ma kanë hequr", tha Mehmet Veseli. Sipas tij, akoma më e rëndë i bëhet gjendja kur është i detyruar që të paguajë qira për një shtëpi ku banon, në përpjekje të gjetjes së punës për shkollimin e fëmijëve dhe ushqimin e familjes.

(Kosova Sot)