Kelmendi: Drejtësia e kapur (VIDEO)

  • 28 December 2017 - 13:37
Kelmendi: Drejtësia e kapur (VIDEO)

Analisti Jeton Kelmendi thotë për gazetën "Kosova Sot" se një model të tillë gjithëpërfshirës të Gjykatës Speciale, edhe përtej dyshimeve për krime lufte, i duhet patjetër shtetit të Kosovës pasi për vite të tëra, gati dy dekada, Kosova nuk arriti të këtë sistem të pavarur të drejtësisë nga politika. "Kosova ka dështuar për krijimin e organeve të pavarura të drejtësisë, që parashihen si të tilla edhe me Kushtetutën e vendit, pra që të jetë organ i pavarur dhe të funksionojë plotësisht si i tillë. Unë mendoj dhe kam bindje të plotë që drejtësia në Kosovë është një mekanizëm i kapur nga politika dhe parapolitika, dhe për këtë fajin kryesor nuk është se e kanë vetëm faktori ndërkombëtar, por para së gjithash është faktori politik vendor, bile shumë më shumë përgjegjësi kanë vendorët, sepse vendorët po qeverisin krejtësisht të pavarur nga ndërkombëtarët në këtë sistem që nga shpallja e pavarësisë dhe ndërtimi i institucioneve të reja të pavarura të shtetit të Kosovës", u shpreh ai. "Ne kemi pasur mjaft kohë që ta ndërtojmë edhe një gjykatë të tillë- Speciale, e cila do të merrej me të gjitha krimet, sikur që kanë bërë pak a shumë edhe Serbia edhe Kroacia dhe Bosnja. Mirëpo, për moskrijimin e kësaj për pasojë kemi ndikimin e të fuqishmëve të politikës, të cilët janë të paprekshëm dhe të cilët asnjë gjykatë në Kosovë nuk e ka guximin të ngrejë aktakuzë, e aq më pak t'i dënojë ata njerëz të fuqishëm të politikës, të cilët janë të inkriminuar deri në fyt në krime të ndryshme, prandaj kemi tani si reaksion të kësaj edhe krijimin e kësaj Gjykatës Speciale, kundër së cilës po ngritën tani disa njerëz të papërgjegjshëm dhe të padijshëm që po tentojnë ta zhbëjnë atë. Mirëpo, kjo nuk zhbëhet, sepse janë dy marrëveshje kontraktuale që janë bërë me faktorin ndërkombëtar pas asaj marrëveshjeje, prandaj gjithçka duhet të vazhdohet e të zhvillohet ashtu sikur që është bërë e planifikuar deri më tani", theksoi Jeton Kelmendi për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)