Korrupsioni dhe krimi i organizuar e kanë shkatërruar Kosovën (Video)

  • 07 February 2018 - 09:58
Korrupsioni dhe krimi i organizuar e kanë shkatërruar Kosovën (Video)

BREZI I RI DUHET TË MOBILIZOHET KUNDËR KËSAJ POLITIKE TË  DËSHTUAR

Analistët: Në Prishtinë udhëheq de-fakto 'Devolli'

"Kudo në pushtet, si në nivel lokal, ashtu edhe në atë qendror, shteti është kapur nga njerëzit e shërbimit të UDB-së dhe nga shërbyesit e ndryshëm, si ndaj udhëheqjes komunale e qendrore, ashtu edhe ndaj faktorëve të huaj, të cilët nuk ia duan të mirën shtetit. Në Prishtinë udhëheq de-fakto 'Devolli Company'", thotë Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot"

Analistët politikë vlerësojnë se shteti i Kosovës, e sidomos kryeqyteti Prishtina, po vuan, përpos prej ndotjes së ajrit, edhe prej një ndotje tjetër shumë të rrezikshme e që quhet korrupsion pandemik dhe krim i organizuar. Sipas analistëve, po aq rëndë po e rrezikon shtetin ndotja e korrupsionit dhe krimit të organizuar, aq sa ndotja e ambientit me helmet që sjellin sëmundjet kancerogjene për qytetarin. Pra, veç ambientit, është edhe ndotja e rëndë e korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke e pllakosur rëndë drejtësinë, ekonominë, arsimin, shëndetësinë, shkencën dhe kulturën, sepse shikuar si tërësi ka metastazuar rëndë kjo ndotje e korrupsionit dhe krimit të organizuar, e cila po na gërryen për afro 19 vjet. Pas protestës kundër ndotjes së ajrit në Prishtinë e në Kosovë, analistët politikë, por edhe qytetarë të moshës së re- studentët, mendojnë se është koha e fundit që rinia të mobilizohet dhe të mos heshtin, por të çohen në protesta kundër ndotjes shkatërruese që po vjen nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, të cilat po rrezikojnë seriozisht të ardhmen e qytetarëve dhe fëmije të tyre. Sidomos është brezi i ri ai që e ka për obligim, si e ardhmja e këtij vendi, që të ngrehin zërin lart e fuqishëm në protesta kundër oligarkëve politikë,kundër mafio-oligarkëve të inkriminuar, që e kanë kapur shtetin, kundër nëntokës kriminale, kundër zhvatjeve, mashtrimeve,abuzimeve,vjedhjeve dhe gënjeshtrave. Janë të rinjtë ata që duhet përmes protestave të kërkojnë përgjegjësinë dhe përgjigjet se si kjo klasë politike, si në nivelin qendror,po ashtu edhe në Komunën e Prishtinës me Shpend Ahmetin, u pasuruan aq shpejt, prej momentit kur morën pushtetin. Ata duhet që të ngrenë zërin në protesta kundër oligarkisë politike dhe mafio-oligarkisë së inkriminuar që kanë dëshmuar se qëllimi i tyre parësor ishte dhe është pasurimi kriminal, që e kanë bërë Kosovën një shtet privat të tyre, që kanë kapur Gjyqësorin dhe Prokurorinë e Shtetit, të cilët fjalës VETTING ende nuk ia kanë mësuar kuptimin dhe rëndësinë,përveçse kur e lexojnë në gazetën "KOSOVA SOT"!

Sipas analistëve, është momenti i fundit kur të rinjtë përmes protestave duhet treguar vendin kësaj klase politike, si në nivelin qendror, po ashtu edhe në atë komunal, që nuk do të tolerohet ky shtet i kapur dhe kryeqytet i privatizuar i oligarkisë politike aktuale, mafio-oligarkisë se inkriminuar dhe i propagandistëve të tyre mashtrues media, njerëz të afërm me UDB-në, që zhvatjet,hajnitë,krimin dhe mashtrimet e kësaj mafio-oligarkie i heshtin dhe i arsyetojnë, duke u tallur kështu keq me të gjithë qytetarët e vendit, ndërkaq që rinia studentore akoma po hesht!

Pasuria e paligjshme të konfiskohet

Profesori universitar Muhamet Kelmendi tha për "Kosova Sot" se jo vetëm Prishtina, por po vuan tërë Republika, lidhur me të bëmat kriminale të bëra tash e 18 vjet në vendin tonë. "Kosova vuan për ekonomi pa kriminalitet dhe për një gjendje shoqërore e sociale të stabilizuar dhe ku masat mund të jetojnë në një jetë më normale. Veç gjendjes së rëndë në fushën politike, ku krimi dhe tradhtia e ka kapur tërë shtetin, tash kemi edhe ndotje kriminale të hapësirës së vendit. Republika e Kosovës e ka një Ministri të Planifikimit Hapësinor, por ajo si tërë pushteti shtetëror, nuk funksionon. Kosova po humb në vit rreth 50 mijë hektarë të tokës bujqësore, kuptohet me ndërtime pa plane dhe në vendet e tokës së bukës", u shpreh ai. "Kudo në pushtet, si në nivel lokal, ashtu edhe në atë qendror, shteti është kapur nga njerëzit e shërbimit të UDB-së dhe nga shërbyesit e ndryshëm, si ndaj udhëheqjes komunale e qendrore, ashtu edhe ndaj faktorëve të huaj, të cilët nuk ia duan të mirën shtetit. Në Prishtinë udhëheqë de-fakto 'Devolli Company', si dhe ajo e përcakton vijën gjoja të ndërtimit të vendit. Krimi i natyrës së tillë është futur që shumë kohë në Polici. Aty udhëhiqet ky mekanizëm i shtetit nga njerëzit e përafërt me UDB- në serbo- jugosllave", vijoi më tej Kelmendi. "Në tërë nivelin komandues të Policisë janë ulur elementet që janë objekte të hetimeve penale për punën e tyre gjatë pushtimit dhe tash. Mjerisht, kështu është gjendja edhe në Prokurori. Vetë kryeprokurori vjen nga një prind, i cili i ka shërbyer tërë jetës pushtuesit. Kuptohet se kështu edhe ky tash është në shërbim të faktorëve të ndyrë politikë. Aspak më mirë nuk është gjendja as në gjykata. Mbi 80% të gjyqtarëve vijnë nga ishregjimi ose janë pjesë e përkrahësve të regjimit që ishte në fuqi deri në vitin 1999", tha ai për "Kosova Sot". Kelmendi po ashtu ka pohuar se këto situata duhet të ndërrohen. " Po, për këtë kërkohen masa të rrepta juridike dhe penale. Kjo, jo vetëm në kuptimin e largimit të të gjitha forcave kriminale nga organet e tilla, por edhe dënimin e tyre dhe konfiskimin e pasurisë së krijuar, ku asnjëri nuk mund ta arsyetojë me të ardhurat e veta", theksoi ai.

Qasja thellësisht e gabuar e politikës

Analisti politik Arsim Haziri vlerë- son se arsyeja pse përcillemi vazhdimisht prej problemeve të panumërta përgjithësisht moskrijimit të mirëqenies, është qasja e gabuar e politikës sonë, politikë e cila është shndërruar në mjet për t'u arritur objektivat e liderëve politikë. "Pra, qëllimet e liderëve në fuqi janë arsyeja pse jemi në këtë mosfunksionim të plotë shtetëror. Ata, duke tejkaluar kauzat nacionale, kanë shtyrë më tej objektivat e tyre, objektiva të cilat kanë pamundë- suar zhvillimin dhe sistematizimin e një shteti të së drejtës. Pra, emëruesi i përbashkët i gjithë këtij degradimi sistematik është politika, pra ndotja e saj në mënyrë të plotë. Kësaj ndotje domosdoshmërish duhet t'i prijë një riformatim sistematik për t'u përcjellë Kosova me procese, të cilat ndikojnë në konsolidimin e vendit", u shpreh ai. "Unë e shoh të konsiderueshme inicimin e protestave kundër kësaj ndotje politike, e cila ndotje e ka neglizhuar sferën e përgjithshme", tha Haziri për "Kosova Sot". Sipas analistit Mustafë Kadrijaj, burimi i të gjitha të këqijave në vendin tonë është inkriminimi dhe korruptimi i klasës politike dhe pushtetarëve, si në nivel qendror edhe atë lokal. "Depërtimi i korrupsionit në çdo institucion ka bërë që edhe institucionet që i luftojnë këto dukuri të jenë pre e këtyre njerëzve të korruptuar, që detyrohen të heshtin ose të joshen përmes mitës. Mendoj që edhe bashkëpunimi në mes të Ministrisë së Ambientit, Ministrisë së Rendit dhe Komunës së Prishtinës më shumë ka qenë hutim i opinionit dhe mbulim i mospunës së tyre sesa që kanë arritur ndonjë efekt. Të vetmin efekt që kanë arritur ato dy ditë shtimi i stresit tek qytetarët se si do të dalin nesër në punë si do i përcjellin në shkollë fëmijët e tyre, po ashtu edhe efektin tjetër mbulimi i aferave të ministrave përkatës dhe Komunës së Prishtinës. Ai bllokim i Prishtinës ato dy ditë ka krijuar përshtypjen sikurse Kosova me qenë në alarm lufte ose sikur të kishte ndonjë paralajmërim për ndonjë sulm terrorist", u shpreh ai. "Kjo Qeveri sikur nuk u mjaftua me mospunën e tyre, shkoi edhe më tutje duke stresuar qytetarët dhe duke bllokuar kryeqytetin për dy ditë që e pa që nuk dha efekt dhe u vërtetua që nuk është ndotja nga veturat, por nga prodhuesi i energjisë elektrike në Kastriot, ish-Obiliq. Më e rënda është ku secili qytetar është i vetëdijshëm se nga vjen ndotja, e për habi ministrja e Ambientit në televizionin publik të Kosovës thotë e di nga vjen ndotja, ndërsa të nesërmen në Parlament deklarohet që nuk e di", tha Kadrijaj për "Kosova Sot". Kjo nuk nënkupton tjetër gjë veç mosinteresimit të pushtetarëve për qytetarin, prandaj përgjegjësia duhet të adresohet.

 

Studentët fajësojnë pushtetarët

 Edhe të rinjtë, kryesisht studentë të profileve të ndryshme, mendojnë se të gjitha të këqijat që po i vijnë qytetarit të Kosovës, e që ditë më parë kulmuan edhe me ndotje të ambientit, janë pasojë e politikës së ndotur nga krimi e korrupsioni, politikë e cila duhet të ndryshohet dhe të zëvendësohet me një brez të ri politikanësh të pakorruptuar që para vetes shohin interesin e qytetarit dhe jo të pasurimit të tyre personal e lidhjeve kriminale. Studenti Edin Lahi thotë se mendon që nëse politika do të ishte në nivelin që do të duhej, në nivelin evropian, ndoshta edhe ambientin do ta kishim më të pastër, sepse fokusi nuk do të bëhej vetëm kur niveli do të ishte kaq i ndotur, por do të fokusoheshin më shumë në parandalim. Mirëpo, ai thotë se nga politika e korruptuar nuk mund të presim ambient të pastër, as ndonjë gjë tjetër pozitive. "Ajo ka qenë më herët e ndotur dhe e korruptuar. Për ta pastruar politikën duhet të vijë gjenerata e re, që jemi tash, gjeneratë e cila nuk është e prekur në sistemin që ka qenë në të kaluarën, dhe vetëm kështu do të shpresoja që do të bëhej më mirë", tha Edin Lahi për "Kosova Sot". Endrit Heta është student në Fakultetin e Edukimit. Ai thotë se për të pasur një ambient të pastër ekologjik qeverisja komunale dhe ajo qendrore duhet t'i japin më shumë rëndësi gjelbërimit, porse paraprakisht krejt politike duhet të jetë vetë e pastër, sepse: "Të gjitha këto ndikojnë në mënyrë zinxhirore, deri tek ndotja e ajrit, duke mos ndërmarrë masa organizative të mbrojtjes së ajrit, ose për ta vetëdijesuar popullin përmes anketave fushatave të ndryshme, por nuk merren shumë me këto organizime...politika nuk e bën këtë, sepse po besoj që kanë punë të tjera, për ta pastruar politikën është problem, nuk kam koment", tha studenti Endrit Heta. Ai thotë se ndryshimi i mentalitetit qeverisës të korruptuar politik mbase mund të ndryshohet edhe me protesta, porse ndëshkimi më i mirë do të ishte ndëshkimi me votë. "Protestat mendoj që ndikojnë, kanë ndikim, por klasa politike nuk merret shumë me këto çështje, i kanë punët e tjera, këta i kanë punët mirë për vete, derisa ne qytetarët askund", theksoi ai. Sa i ndotur ambienti, aq e ndotur shihet politika nga krimi e korrupsioni edhe nga studenti tjetër Arben Hoxha "Ambienti po shihet që jemi ndër vendet më të ndotura në botë, por edhe politika po asaj rruge po shkon. Për ta pastruar politikën, ma merr mendja që duhet ndërruar të gjithë këta që janë tash dhe të vijnë në politikë njerëzit krejtësisht të rinj, që janë më të dijshëm ndoshta. Mendoj që përgjegjës janë niveli qendror, po ashtu mendoj që janë edhe niveli lokal, por në nivelin qendror ka probleme më shumë sesa niveli lokal. Nëse populli do të çohet në protesta, mendoj që ndoshta do të kishte ndryshime pak më të mëdha, do të priteshin ndryshime, por pa u çuar populli më shumë sesa që kanë qenë deri më tani protestat nuk do të ketë ndoshta rezultat", tha studenti Arben Hoxha për "Kosova Sot".

Ndryshimin rrënjësor në politikë, për të pasur qeverisje me duar të pastra dhe ambient e perspektivë të shëndoshë, e sheh të domosdoshëm edhe Aris Aliu."Nuk mundemi të kemi ambient të pastër pa e pastruar fillimisht politikën prej fillimit, duke ia filluar kështu edhe të tjerat vijnë. Kjo politikë nuk e meriton më tutje, sepse këta nuk e lënë as për të përparuar, as shkuar tutje rininë, veç të afërmit e vet dhe njerëzit që ata i duan. Duhet të bëhen protesta, por këta nuk po i marrin shumë parasysh kërkesat e qytetarëve, as protestat, kështu që veç duhet t'i votojmë në të ardhmen ata kush e meriton, kur të dalin, vijnë votimet dhe atëherë t'i ndërrojmë krejt këta", tha Aris Aliu për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)