Lidershipi kosovar, dikur ujepnin çmime, sot i quajnë kriminelë! (Video)

  • 15 February 2018 - 11:32
Lidershipi kosovar, dikur ujepnin çmime, sot i quajnë kriminelë!  (Video)

METAMORFOZA E FRIKSHME E UDHËHEQËSVE TË KOSOVËS

Kelmendi: Mjafton të shikohet pasuria e mafiozëve dhe e politikanëve dhe kludimi del qartë: Vjedhje, krim dhe korrupsion!

"Dikur Kosova udhëhiqej nga kolosët e shqiptarisë dhe Evropës, siç ishin: Dr. Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Adem Demaçi etj., njerëz që i nderoi dhe i çmoi edhe bota. Këta mbetën në histori të popullit për vlerat dhe kontributin e tyre. Ndërsa, sot është e kundërta. Njerëz që ndiqen nga Evropa për krime, vrasje, korrupsion, mashtrime dhe haraç janë në krye të shtetit. Kjo është për të ardhur keq, andaj edhe Kosova ndodhet në agoni. Kosova, vendi më i varfër në Evropë, më i korruptuari në botë dhe me regres për çdo ditë, kjo tregon më së miri se ku e ka sjellë vendin kjo klasë politike", tha analisti politik Faton Mehmeti për "Kosova Sot" 

Përderisa gjatë viteve të 90-ta politikën në Kosovë e udhëhiqnin personalitetet me vizion të qartë kombëtar dhe me duar të pastra, si Ibrahim Rugova e Adem Demaçi, të cilët bota i vlerësoi si personalitete të jashtëzakonshme dhe i nderoi, mes tjerash, me çmimin më prestigjioz në Evropë - çmimi Sakharov për liri të mendimit, rasti i Demaçit më 1991 e Rugovës më 1998, në dhjetë vjet pas pavarësisë, sipas analistëve politikë, politika në Kosovë ka degraduar aq shumë saqë po udhëhiqet nga persona që bota i vlerëson si kriminelë të jashtëzakonshëm, për të cilët ka krijuar edhe Gjykatë Speciale. Sipas analistëve, nuk ka se si të shpjegohet fakti se në vendin më të varfër të Evropës, edhe pse 10 vjet pas pavarësisë, pushtetarët abuzivë e të kamur në të dyja nivelet e qeverisjes janë mbi ligjin, kanë bërë milionat, shpenzojnë si të ishin sheikë, shëtitën nëpër jahte dhe avionë privatë, jetojnë në pallate, ndërkaq populli mezi mbijeton.

Analisti politik Faton Mehmeti vlerëson se në vend që Kosova të ecte përpara, duke marrë për model ata që betejën për shtet e nisën në kohët më të vështira, kasta politike e pasluftës vetëm sa e ka degraduar atë bazament të ndërtuar me shumë sakrifica dhe kështu po e dëmton edhe imazhin e shtetit të ri- Kosovës."Dikur Kosova udhëhiqej nga kolosët e shqiptarisë dhe Evropës, siç ishin : DrIbrahim Rugova, Fehmi Agani, Adem Demaçi etj., njerëz që i nderoi dhe i çmoi edhe bota. Këta mbetën në histori të popullit për vlerat dhe kontributin e tyre, ndërsa sot është e kundërta. Njerëz që ndiqen nga Evropa për krime, vrasje, korrupsion, mashtrime dhe haraç janë në krye të shtetit. Kjo është për të ardhur keq, andaj edhe Kosova ndodhet në agoni. Kosova, vendi më i varfër në Evropë, më i korruptuari në botë dhe me regres për çdo ditë, kjo tregon më së miri se ku e ka sjellë vendin kjo klasë politike", tha analisti politik Faton Mehmeti për "Kosova Sot".

Parti apo banda?

Sipas Mehmetit, çdo popull në botë do të vuante nga një klasë politike e korruptuar dhe kriminale e tillë dhe tani fati i keq i Kosovës është që ka këtë klasë politike në pushtet."Më tepër ngjajnë në banda se në parti politike, kjo ka sjellë deri tek kjo gjendje që populli çdo ditë e më tepër po ikën nga atdheu për një jetë më të mirë, pasi këtu nuk ka të ardhme. Kosova, nga personalitete nderi kombi ka rrëshqitur në banditë, që ndiqen nga bota. Fatkeqësia e Kosovës është pikërisht nga kjo klasë politike", ka potencuar më tutje ai.

"Këtë gjendje katastrofale mund ta ndryshojë vetëm nëse krijohet një lëvizje prej intelektualësh të pakorruptuar, që tregojnë dashuri të madhe për shtetin dhe për popullin dhe që me dinjitet i zbatojnë ligjin dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Vetëm me këta Kosova do të ecën përpara dhe popullit do t'i shtohet optimizmi për një jetë më të dinjitetshme dhe më të mirë për të jetuar", tha Bislim Aliu për "Kosova Sot"

Një gjykim të përafërt ka edhe analisti Bislim Aliu. Ai thotë se derisa gjatë viteve të 90-ta politikën e Kosovës e udhëhiqnin personalitete të larta dhe të dëshmuara, si Ibrahim Rugova e Adem Demaçi, të cilët ishin të jashtëzakonshëm dhe bota i nderoi, i respektoi, por edhe i nderoi me çmimin më prestigjioz në Evropë, si çmimi Saharov; për liri të mendimit ( Demaçi më 1991 dhe Rugova më 1998), në këto dhjetë vite pas pavarësisë, politikën e Kosovës po e udhëheqin politikanët që bota po i vlerëson si kriminelë dhe për të cilët edhe e ka krijuar Gjykatën Speciale."Këta janë pushtetarë të paskrupullt dhe pa ndjenja për shtetin dhe për popullin e Kosovës, edhe pas dhjetë viteve të pavarësisë, Kosova jonë e dashur mbeti shteti më i varfër në Evropë, të cilët e rropën tërësisht shtetin dhe popullin, duke krijuar pasuri marramendëse milionëshe, duke shpenzuar parat e qytetarëve si të ishin sheikë, duke shëtitur nëpër jahte dhe avionë privatë dhe duke jetuar nëpër pallate shumëkatëshe, e popullin e lanë në gjendje katastrofale, që mezi mbijeton. Ata gjithherë ishin mbi ligjin, edhe pse gjithmonë e përsërisnin refrenin se askush nuk është mbi ligjin", vlerësoi ai për "Kosova Sot". Sipas tij, me këta pushtetarë Kosova vetëm se do të vendnumërojë, e asnjëherë nuk do të përparojë. 

Zhvatja e pasurisë publike

"Nuk ka mundësi të kemi një politikan të pasur në përmasa të gjëra dhe të dihet se të ardhurat e tij nuk janë adekuate me pasurinë e krijuar. Mjafton të shohësh pasurinë e tyre dhe del vepra penale. Mafia politike dhe ekonomike e kanë kapur vendin. Këtë duhet çliruar dhe kjo kërkon masa penale dhe ekonomike ndaj tyre", tha profesor Muhamet Kelmendi për gazetën "Kosova Sot"

Prof. i së drejtës dhe veprimtari i çështjes kombëtare, Muhamet Kelmendi, thotë se pozita e Kosovës para çlirimit ishte jashtëzakonisht shumë më e favorshme dhe shumë më revolucionare, ndonëse natyrisht që kishte edhe elementë të dyshimtë. "Fati deshi duke u mbështetur në interesat gjeostrategjike të SHBA-së të intervenojë ushtarakisht dhe kështu erdhi deri te çlirimi. Pas luftës u ndërtua një klasë politike e nënshtruar. Për të arritur deri te nënshtrimi, këta politikanë u lejuan të vjedhin dhe të kriminalizojnë shtetin. Ata vunë nën kontroll policinë, prokurorinë dhe gjykatat në vend, duke dërguar njerëzit e vetë dhe të kontrolluar. Nëpërmjet kësaj, klasa politike u vartësua vetë. Ajo u vu nën kontrollin dhe kërcënimin e vazhdueshëm të forcave të ndryshme dhe kështu me kërcënim dhe shantazhe e vunë nën kontroll tërësisht vendin, duke e kriminalizuar në përmasa të gjëra tërë shoqërinë kosovare", u shpreh ai. "Politikanët, të lidhur me mafiozët ekonomikë të vendit, e privatizuan tërësisht pronën e patundshme në Kosovë. Pasuria u shit pa kritere. Fabrikat u privatizuan dhe të njëjtat u shkatërruan. Pasuria kaloi në duart të mafiozëve dhe këta po kontrollohen nga ana e politikanëve. Ka ardhur koha sikundër thoshin në Shqipëri: "Më bëj të jem ministër, deputet a zëvendësministër dhe mos m'u anko më për pasuri". Mbi këtë bazë u forcuan shumë. Është shumë vështirë të vihen në bankë të të akuzuarve kategoria që kanë miliona pasuri. Ata janë pasuruar vetë dhe me paratë e vjedhura po blejnë edhe politikanët që në një mënyrë kanë ndikim në politikën e Kosovës. Këtë më së miri e ka shpjeguar struktura e UNMIK- dhe ajo e EULEX-it. Shumë nga ata u blenë me paratë e pista dhe ata i toleruan vjedhjet dhe krimin në vend", theksoi Kelmendi për "Kosova Sot". Ai rikujton rastet e ish-zyrtarëve të UNMIK-ut dhe atyre në KEK, që thotë se patën vjedhur me miliona euro, ose zyrtarët në EULEX që u akuzuan nga gjyqtarja angleze, por pa përjashtuar këtu edhe vjedhjet në Policinë e Kosovës dhe aferën e për pasaportave."Por, vjedhja më e madhe u bë në kontratën e lidhur midis 'Z-Mobile' dhe 'Valës'. Tash 'Vala' u dënua me 31 milionë euro nga Gjykata e Arbitrazhit. Është e pakapshme të mendohet se këtu nuk ka dorë politike. Mjafton të shikohet edhe koha se kush ishte Ministër i Energjetikës, i Telekomunikacionit ose ministër i Punëve të Brendshme, si dhe të njihen lidhjet e krimit nga pozitat e politikës me krimin në ekonomi etj. Dhe në fund, mjafton të shikohet pasuria e mafiozëve dhe e politikanëve dhe konkludimi del qartë: Vjedhje, krim dhe korrupsion", vijoi më tutje ai.

Politikanët analfabetë në krye të shtetit

Njohësi i zhvillimeve të hershme politike dhe përpjekjeve për çlirim e emancipim kombëtar e shtetëror, Ali Hertica, po ashtu thotë se që nga vitet e 90 ta shoqëria kosovare ishte nën udhëheqjen e pjesës më të ndritur, akademikëve dhe të patriotëve të devotshëm për Kombin dhe atdheun, që bota i vlerësonte plotësisht si njerëz meritorë, siç ishin fillimisht Adem Demaçi, Ukshin Hoti dhe Ibrahim Rugova, e ku në arenën ndërkombëtare u trajtuan edhe si Mandela apo Gandi i Kosovës. Sipas Herticës, sidomos pas shpalljes së pavarësisë u degraduan shumëçka nga ato vlera të luftës. Sipas tij, nga UÇK-ja dolën edhe shumë të tillë që vërtet nuk ishin politikëbërës vizionarë e me qëllime të qarta, nuk ishin të aftë politikisht dhe e sollën Kosovën në një situatë tejet të rëndë politike dhe ekonomike, duke e tjetërsuar tërë pasurinë e shtetit në prona personale, duke zhvatur dhe duke e shkatërruar atë. "Këtë kaos e sollën politikanët analfabetë që filluan aksidentalisht të udhëheqin shtetin, e që shumë shpejt përmes abuzimit dhe hajnisë në kurriz të qytetarëve janë bërë milionerë", tha Hertica për "Kosova Sot".

"Ky nivel i përfaqësimit ka krijuar përshtypjen sikurse në Kosovë nuk ekziston shtresa intelektuale dhe inteligjenca, sepse me veprimet e kësaj elite politike ia kanë mbyllur gojën shtresës intelektuale dhe për fatin jo të mirë të Kosovës shtresa intelektuale sot është lënë pas dore", tha Kadrijaj për "Kosova Sot"

Edhe analisti Mustafë Kadrijaj thotë se veprimet e elitës politike, ajo e pasluftës, në Kosovë aq shumë e kanë dëmtuar dhe devalvuar imazhin e inteligjencës së Kosovës në raport me miqtë ndërkombëtarë saqë kanë krijuar përshtypjen e një vendi ku fare nuk funksionon demokracia."Është e papranueshme që sot Kosova të shihet si një pikë e zezë në Evropë, si një vend ku lulëzon korrupsioni, vend ku anarkia është fjala e fundit në vendimmarrje, vend ku elita politike nuk ka as më të voglin respekt nga miqtë e Kosovës", potencoi ai për "Kosova Sot". 

Vendit i duhet qeverisje ndryshe

"Këtu nuk ka asgjë prej tyre, veç duhet të mendojmë e të presim nga këta të rinjtë. Duhet të vijnë të rinjtë, sepse këta janë vjetërsuar, këta janë shkatërrues", tha Vehbi Krasniqi për "Kosova Sot" 

Lidhur me këtë zhvillim, të para dhe të pasluftës, sidomos të periudhës së paspavarësisë, gazeta ka intervistuar edhe qytetarë rasti, të cilët po ashtu denoncojnë këtë kastë politike që po qeveris vendin në të gjitha nivelet, për degradim të shtetit dhe lidhje të ngushtë me krimin e korrupsionin. Sipas qytetarëve, shpëtimi i vendit është në ndëshkimin e kësaj kaste politike dhe marrjen e qeverisjes nga politikëbërës me duar të pastra dhe krejtësisht të painkriminuar. Vehbi Krasniqi thotë se sidomos periudha pas pavarësisë ka degraduar, sepse atë moment e ka shfrytëzuar më së miri kasta politike e inkriminuar në kapjen dhe degradimin e shtetit. "Periudha pas pavarësisë ka qenë, për mendimin tim, se do të shkojë krejtësisht në rregull, por fatkeqësisht u quan sikur nga varri vampirët, këta hajnat që kinse dolën nga UÇK-ja, por në fakt këta kishin pasë qenë krejt edhe kundër UÇK-së dhe popullit të Kosovës. Tash merreni me mend që unë punoj tash e 50 vjet jashtë shtetit të Kosovës. Neve na kanë rrjep, duke ardhur lloj-lloj njerëzish, duke kërkuar e ne duke dhënë për Ushtrinë e Kosovës, për UÇK-në, e as armatimin kurrë nuk jua kanë dërguar, duke bërë e duke blerë apartamente për vete nëpër krejt botën", u shpreh ai. "E sot ku ke për të shkuar më tutje, sot populli nuk ka sigurim shëndetësor, e a e dini ju që edhe lopët kanë sigurim?!", vijoi më tej Krasniqi për "Kosova Sot".

Një gjykim të tillë ka edhe qytetari Pashk Desku. "Po ma merr mendja që arsyeja kryesore e kësaj gjendje është se i kemi këta njerëz të pashkolluar, të paformuar me identitet kombëtar dhe e kanë parë mundësinë për të fituar para, kanë menduar që çdo gjë është paraja, vlerën shtetërore e kanë kthyer në para dhe kjo ka qenë arsyeja kryesore... Paraja e madhe thonë pleqtë e ka kthyer edhe lumin përpjetë", tha Pashk Desku për "Kosova Sot".

Po aq kritik dhe i zhgënjyer me këtë kastë politike të pasluftës, që kapën shtetin dhe u lidhën ngushtë me krimin e korrupsionin për dhjet vjet të pavarësisë është edhe Hakif Berisha. "Para luftës kemi qenë më të bashkuar, kemi qenë më solidarë ndaj njëri-tjetrit, që nuk kemi kursyer as mund as kohë, as fuqinë dhe asgjë, vetëm për të arritur deri në ditën e sotme, në ditën e çlirimit dhe ta pavarësisë së shtetit kosovar. Por, unë si qytetar jam i dëshpëruar në faktorët e tanishëm politikë, nuk janë unikë, sikur që thotë një fjalë popullore më lehtë e thyen një shkop se shtatë, e këta tonët janë shkapërderdhur nëpërmjet interesave të veta personale, nën një dhe e dyta është që shihet se si është bërë korrupsioni. Po i kritikoj këtu edhe avokatët. Avokati, ai i cili e përkrah krimin, është më kriminel se krimi, e në këtë aspekt janë avokatët. Nuk ka sot asnjë gjyqtar që i mëshon sot çekiçit dhe e dënon krimin për shkak se e ka rrokur mafia shtetin tonë, për çka jemi shumë të dëshpëruar në këtë aspekt. Unë si qytetar jam i zhgënjyer shumë dhe momentalisht nuk pres asgjë", tha Hakif Berisha për "Kosova Sot". Sipas tij, politikanët nuk e dinë as vetë sa shumë janë pasuruar. 

(Kosova Sot)