Presidenti kërcënon me pushkë Serbinë që i bëri favore e koncesione (VIDEO)

  • 16 April 2018 - 10:27
Presidenti kërcënon me pushkë Serbinë që i bëri favore e koncesione (VIDEO)

"Pa dyshim, Hashim Thaçi shpeshherë me deklarata të veta po del joserioz dhe në njëfarë mënyre po tallet me popullin, si kur e përmendi pushkën ndaj Serbisë. Megjithatë, ai gjatë tërë kohës, sa ka qenë si kryeministër e tani edhe si president, nuk ka guxuar as me fjalë t'i përgjigjet Serbisë, e lëre më me pushkë!!! Ai e ka ngritur gishtin kërcënues, por edhe duke zvarritur Gjuriqin, natyrisht në koordinim me Aleksandër Vuçiqin dhe agjentët e tij, kurse në të njëjtën kohë fshehtas negocion me Vuçiqin për pranimin e autonomisë territoriale serbe", është shprehur analisti Bislim Aliu për gazetën "Kosova Sot" 

Analistët politikë e kanë pritur me vlerësime shumë kritike, duke e vlerësuar joserioze dhe madje tallje të Hashim Thaçit me popullin, deklarimin e tij para një jave, kur ai gjoja përmend pushkën ndaj Serbisë, përderisa është personalisht ai që gjatë tërë kohës sa ka qenë kryeministër e tani edhe president nuk ka guxuar as me një fjalë të vetme t`u përgjigjet kërcënimeve të Serbisë, e lëre më të flasë për pushkët. Madje analistët theksojnë se kjo lojë është bërë vetëm për të mbuluar shkarjet dhe gabimet e mëdha që i ka bërë Thaçi deri më tani në dëm të sovranitetit të shtetit të Kosovës, në negociatat me Serbinë, pasi që pushteti i Kosovës, i kryesuar nga Hashim Thaçi, në dialogun e Brukselit, e ka pranuar pothuajse krejtësisht si legjitime platformën serbe, e cila mohon të drejtën e ekzistencës së Republikës së Kosovës, e tani po ai Hashim Thaçi po mundohet të luajë rol se gjoja po e kërcënon Serbinë me armë, kur është ai që pranon që vetë të bisedojë me Serbinë brenda një konteksti të kërcënimit të përhershëm e aktiv të sovranitetit e integritetit të Kosovës nga ana e Serbisë. Po ashtu analistët theksojnë se është vetë Hashim Thaçi ai që me pushtetarët tjerë ia mundësoi Aleksandër Vuçiqit dhe pushtetit në Serbi që të bëhen faktori kryesor, pa të cilin nuk mund të formohet Qeveria e Kosovës, kurse Serbia arriti që përmes procesit të normalizimit Kosovë-Serbi të normalizojë marrëdhëniet me BE-në, duke zhvilluar tashmë negociatat e anëtarësimit, ndërkaq Kosova me pushtetarë të korruptuar nuk i ka normalizuar marrëdhëniet me BE-në

Badallaj: Lidhjet e Hashimit me mafio-oligarkët

Analisti politik Reshat Badallaj theksoi për "Kosova Sot" se fjalëve që thotë Hashimi i Brojës tashmë u ka dalë boja dhe se as qytetari më i thjeshtë dhe gjysmëanalfabet nuk u beson. "Hashimi e di mirë se nuk është gjë lufta, se askush nuk e përkrah, e kam fjalën për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Hashimi i Brojës nuk është i pushkës, por vetëm fjalë të pakripë hedh në popull. Në fund të fundit, çka u bë dhe që ka premtuar Hashimi? Shume gjëra ka premtuar dhe përpos rrenave çka ka dalë... Asgjë. Ky e premtoi lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe a u bë...? Jo!. Përpos rrenave të tij dhe ne mbetëm si dele e zezë në Evropë, HASHIMI i Brojës çka tha për Ushtrinë? A u bë..., jo! Përpos rrenave të tij. Pra, këtij nuk i ka hije të tallet me popullin, sepse edhe populli i ka kuptuar dredhitë, mashtrimet e këtij matrapazi të lidhur ngushtë me mafio-oligarkët. Pra, si i thonë, Hashimi "vëllai" i Taip Erdoganit, nuk ka qenë dhe nuk është i pushkës. Si mund t´ia kthejë pushkën ky kumbarës së tij, Aleksandër Vuçiqit, kur hanë e pinë dreka e darka nëpër hotelet më luksoze të botës. Nuk e kam fjalën me ata zyrtarisht, por e kam fjalën që shtrojnë sofra tinëzisht dhe futen në pazare në dëm të Kosovës", potencoi Reshat Badallaj. Sipas Gani Qarrit, Thaçi është njeriu që me aventurat e tij, me bindjen se do bëhet i mirë dhe i pranueshëm nga Bashkësia Evropiane, duke i bërë koncesione Serbisë, me vetëdije la Kosovën jashtë BE-së, për hir të kolltukut të vet dhe frikës personale nga ndjekja e Gjykatës Speciale, pasi që me gjithë përpjekjet nuk arriti ta rrë- zojë. "Ai detyroi edhe pushtetin e Kosovës që në dialogun e Brukselit të pranojë si legjitime fusnotën dhe platformën serbe, e cila mohon të drejtën e ekzistencës së Republikës së Kosovës, duke çuar kështu përpara vetëm agjendën anti-Kosovë të Serbisë, lë vendin e vet jashtë BE-së dhe varros edhe ëndrrën e shqiptarëve për liberalizim vizash dhe hyrje të Kosovës në Evropë. Ndërsa sa u takon kërcënimeve me pushkë ndaj Serbisë, urojmë që më mirë të mos vijë fare deri te një eskalacion i mundshëm ndërmjet të dy shteteve, sepse përderisa ai vetë pranon që të bisedojë me udhëheqësit serbë edhe brenda kontekstit të kërcënimit të përhershëm të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës nga ana e Serbisë, shqiptarët janë dëshpëruar aq shumë me Thaçin dhe një numër jo të vogël bashkëvendë- sish të tij turkofil, saqë jo vetëm se nuk do t'u përgjigjet më askush thirrjeve të tij për luftë, por nuk do të përkrahej as mbështetej më kurrë si më parë nga Drenica as drenicasit, të cilët na dolën krejt ndryshe ngase i kemi idealizuar, për kohë të gjatë", është shprehur analisti Qarri për "Kosova Sot". 

Një faturë dështimesh

Qarri thotë se Hashim Thaçi me bashkëpushtetarët mundësoi që Aleksandër Vuçiqi dhe pushteti në Serbi të bëhen faktorë vendimtarë edhe në shtetin tonë, pa të cilët së fundi nuk mundi të formohej as Qeveria e Kosovës, duke rritur kështu jo vetëm influencën serbe në Kosovë, por edhe peshën e Serbisë në Bruksel dhe forcuar bindjen para BE-së, se jo shqiptarët si popull properëndimor, por Serbia dhe serbët janë ata që duhet të integrohen në Bashkimin Evropian. Prof. Muhamet Kelmendi vlerëson se të gjitha proceset e nisura në raport me Serbinë nga ish-kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, janë të regjistruara në një faturë dështimesh dhe në dëm të Kosovës, andaj ai bën lojëra për t'i fshehur ato. "Që para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, e sidomos pas fillimit të gjoja bisedave teknike me shtetin serb nën mbikëqyrjen e BE-së, që u bënë kryesisht nën udhëheqjen e Hashim Thaçit, ne kemi ngecje në raportet me integrimin e Kosovës në UE dhe në institucionet tjera euroatlantike. Bisedimet me Thaçin si kryeministër u bënë kryesisht pa parime dhe pa mbështetje të Kuvendit të Republikës dhe të popullit të Kosovës. Kryesisht eci çështja në drejtim të dëmtimit të Kosovës në shumë fusha, si të brendshme, ashtu edhe të jashtme", theksoi Kelmendi për "Kosova Sot". Madje ai këto dështime i numëron një nga një: "Në kuadër të integrimeve kemi: 1. Ngecje në integrimet në kuadër të organizmave ndërkombëtarë, si në Këshillin e Evropës, ashtu edhe në BE dhe në OKB, 2. Kemi mosanëtarësim të Kosovës në UNESKO, në Interpol dhe në shumë mekanizma rajonalë e më gjerë, 3. Njohjet nuk ecën sikundër pritej dhe madje kemi tërësisht ngecje dhe heqje të njohjeve, 4. Në raport me shtetin serb u nënshtrua Kosova dhe tërësisht u vu në pikëpyetje sovraniteti i vendit dhe shtetësia, 5. Në BE humbi Kosova nivelin që e kishte kundruall shtetit serb dhe 6. Tërësisht i ndihmoi Kosova Serbisë me çdo masë dhe me çdo marrëveshje shtetit serb, që brenda një periudhe jo të gjatë nga shteti që ishte i bombarduar, pas asnjë ndryshim pozitiv kundruall Kosovës, u bë shteti faktor dominues në Ballkan", theksoi profesor Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot". Ai madje vlerëson se duke u vu nën ndikimin e faktorëve të jashtëm, të cilët donin dhe bënë që Kosova të nënshtrohet, brenda vendit, në Kosovë u rritën ndarja, korrupsioni dhe krimi. Po aq gjykim negativ ka edhe analisti Bislim Aliu. "Pa dyshim, Hashim Thaçi shpeshherë me deklarata të veta po del joserioz dhe në njëfarë mënyre po tallet me popullin, si kjo kur e përmendi pushkën ndaj Serbisë. Megjithatë, ai gjatë tërë kohës, sa ka qenë si kryeministër e tani edhe si president, nuk ka guxuar as me fjalë t'i përgjigjet Serbisë, e lëre më me pushkë!!! Ai ka ngritur gishtin kërcënues, por edhe duke zvarritur Gjuriqin, natyrisht në koordinim me Aleksandër Vuçiqin dhe agjentët e tij, kurse në të njëjtën kohë fshehtas negocion me Vuçiqin për pranimin e autonomisë territoriale serbe? Pushteti i Kosovës i kryesuar nga Hashim Thaçi në dialogun e Brukselit, asnjëherë nuk e ka pranuar platformën serbe, e cila mohon të drejtën e Republikës së Kosovës. Ai me paraqitjen tij gjoja se po kërcënon Serbinë, e në anën tjetër është vetë ai që pranon të bisedojë me Serbinë brenda kontekstit të kërcënimit të përhershëm të sovranitetit dhe të integritetit të Kosovës nga ana e Serbisë! Z. Thaçi me pushtetarët e tjerë ia mundësoi Aleksandër Vuçiqit dhe pushtetit të Serbisë që të bëhet faktori kryesor, pa të cilin nuk mund të formohet Qeveria e Kosovës?! Përmes dialogut dhe procesit të normalizimit Kosovë- Serbi, Serbia arriti t'i normalizojë marrëdhëniet me BE-në, duke zhvilluar negociatat për anëtarësimin e saj, ndërkaq Kosova me pushtetarë të korruptuar nuk i ka normalizuar marrëdhëniet me BE-në", është shprehur Aliu. 

Burjani: Ky njeri nuk e ka zanat politikën

Sipas analistit Blerim Burjani ky lloj ekzaltimi i Hashim Thaçit flet më së miri se ky njeri nuk e ka zanat politikën, por e lakmon atë dhe e bën për interesa profitabile personale."Hashim Thaçi në esencë nuk është politikan, por është thjesht një njeri që duket që e ka pëlqyer politikën. Lufta në Kosovë e bëri atë një njeri me pretendime politike, pa marrë parasysh eksperiencën e tij që nuk e kishte të politikanit, ai udhëhoqi Kosovën në kohën e paqes prej periudhës së UNMIK-ut e deri më tash i vetëdijshëm se ka shumë të meta, e njëra nga ato është injoranca ndaj inteligjencës. Njeri që nuk ka profesion, edhe pse historian, asnjëherë nuk ishte as mësues katundi e as arsimtar, pra kurrë nuk e kishte ushtruar dhe nuk ishte asnjëherë i punësuar, përveç politikës me të cilën është gjetur më së miri", ka theksuar Burjani. Ndryshe, sipas Ali Herticës, analist politik, pas kërcënimitparalajmërimit me pushkë kundër shtetit serb, nuk ka ndonjë veprim tjetër veç fshehjes së veprimit dinak të Hashim Thaçit, për pazaret që po bën me homologun e tij serb, Vuçiq."Tani është diçka e pakuptimtë kur ta ngrehësh gishtin dhe të fillosh të ulesh në tavolinë të bisedimeve më atë që sot ka plan dinak për ta ndarë shtetin e Republikës, duke e shpallur një lloj autonomie substanciale për serbët e Kosovës, me planin e kishës serbe të udhëhequr nga peshkopi Pavli, është veçse një çmenduri politike. Kosova duhet të jetë ajo që jep kontribut t'i stabilizojë raportet me Serbinë vetëm kur serbët e Kosovës do të binden të jenë plotësisht nën urdhrat e shtetit të Kosovës dhe jo nën urdhrat e shtetit serb", tha Hertica për "Kosova Sot".

Qytetarët: Kërcënimet e Thaçit për të përfituar poenë politikë

Gazeta ka anketuar edhe disa qytetarë lidhur me deklarimin e Thaçit për kundërvënie me armë ndaj kërcënimeve të mundshme të shtetit serb kundër Kosovës dhe ata këtë kërcënim e shohin kryesisht si joserioz, të cilin presidenti e përdor për konsum politik, për të mbuluar skandalet e tij të deritanishme dhe kompromiset e mëdha në dëm të shtetit. Kritik i ashpër për deklarimin joserioz të presidentit Thaçi është shprehur qytetari Rabit Krasniqi. "Mendoj që e ka bërë për të fituar poenë politikë, gjoja se është kryetar i denjë, gjë që pakkush beson, edhe ai atë që e ka thënë nuk e mendon seriozisht, vetëm e ka thënë për të 'shitur' diçka në treg në skenën politike", tha ai. Madje ai pohon se qëllim tjetër është edhe mbulimi i takimeve të fshehta me Vuçiqin dhe pazareve që mund të bëhen në ato takime në dëm të shtetit. Kështu mendon edhe qytetari Isuf Nitaj. Ai i mbulon gabimet e veta që i ka bërë, me nënshkrimet e veta, me bisedat e veta që i ka bërë me Serbinë dhe ato deklarata nuk përputhen me realitetin çka fol ai."Nuk e di pse i ka përmend armët Hashim Thaçi, por mendoj që ka gabuar që i ka përmendur, është gabim, tash nuk është vakti i armëve, është vakti i dialogut dhe i mirëkuptimit dhe jo i armëve", tha Nitaj për "Kosova Sot". Sadri Miftar Hadërgjonaj thotë se megjithatë nga cilësia e presidentit të vendit Hashim Thaçi mund të flasë dhe ka të drejtë të flasë, jo vetëm si president, por edhe si qytetar në favor të interesit të vendit. "Nuk e di se në çfarë kuptimi i ka përmendur armët. Hashim Thaçi ka të drejtë jo vetëm si president, por ka të drejtë edhe si njeri, si qytetar i Kosovës, e nganjëherë duhet me ia tregu dhëmbët dikujt, ani pse nuk ke dhëmbë. Ato janë lojëra që janë diplomatike", theksoi Sadri Hadërgjonaj. Sidoqoftë Hadërgjonaj thotë se dihet mirëfilli që pa ndihmën e NATO-s Kosova as nuk do të mund të ishte çliruar nga Serbia dhe as tani nuk do të mund të ruante shtetin dhe ta zhvillonte deri në këtë kohë, përballë kërcënimeve serbe, pa ndihmën e NATO-s dhe aleatëve të mëdhenj. 

Tash ky pushtet aventuror ishte i gatshëm ta shfuqizojë Gjykatën Speciale e të rrëmbejë shtetasit turq për t'i dërguar për në burgun e Stambollit dhe aventurën e re të zbatimit dhe obligimit që e ka nënshkruar z. Thaçi për të themeluar Bashkësinë e komunave serbe. Edhe tani z. Thaçi bashkë me Qeverinë po tallen prapë me qytetarët, duke arsyetuar se Bashkësia e komunave serbe është një OJQ dhe asgjë tjetër! Z. Thaçi e shkatërroi shtetin e Kosovës edhe me nënshkrimin e marrëveshjes, asokohe me Daçiqin, kur pranuan se me dy të tretat e votave, Bashkësia e komunave serbe do të ishte kategori e mbrojtur kushtetuese, pra do të ishte kategori kushtetuese? Me këtë z. Thaçi me pushtetarët e tjerë po e shkelin Kushtetutën, sepse me kushtetutë nuk ka vend për një autonomi të serbëve. Hashim Thaçi po përpiqet vazhdimisht gjoja me kartën e nacionalizmit t'i mbulojë skandalet e shumta të mëdha dhe të pariparueshme që ia shkaktoi Republikës së Kosovës, më parë si kryeministër e tani edhe si president", theksoi analisti Bislim Aliu për "Kosova Sot".