Kërkesa për Konferencë ndërkombëtare, rrezikim i Pavarësisë (Video)

  • 03 shkurt 2019 - 12:36
Kërkesa për Konferencë ndërkombëtare, rrezikim i Pavarësisë (Video)

Bojaj: Ambasadori amerikan, Philip Kosnett, me të drejtë ua ka përplasur derën politikanëve tanë të papjekur e axhami

 “E ashtuquajtura ‘Konferencë Ndërkombëtare për Kosovën’ do ta anashkalonte rolin e SHBA-së mbi Kosovën, përfshirjen imediate të Rusisë në dialog dhe kthimin e Kosovës në pikën zero, të para 24 marsit të vitit 1999. Ky është ‘progresi’ që i sollën Kosovës kjo kastë politike në pushtet, të cilët me veprimet e papërgjegjshme po i rrezikojnë seriozisht raportet me shtetin mik, SHBA-në, që na shpëtoi nga zhbërja fizike. Pavarësia dhe sovraniteti i shtetit tonë aq ngushtë janë të lidhur me SHBA-në saqë nuk mund të imagjinohen pa mbështetjen e fuqishme amerikane”, thotë analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot”

Analistët politikë po shprehin shqetësimet e tyre lidhur me zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës, pasi që sipas tyre me plot të drejtë dyshohet se disa nga politikanët kosovarë janë në gjendje ta prishin Kosovën edhe me aleatët si SHBA-ja dhe BE-ja, vetëm e vetëm për interesa të ngushta personale. Ky dyshim bazohet edhe në një skandal që mund të ketë ndodhur në debatet politike të këtyre ditëve e që është kapur edhe nga ambasadori amerikan në Prishtinë, z. Kosnett, i cili tha se ka dëgjuar zyrtarë kosovarë duke thënë se Kosovës më nuk i duhet SHBA-ja! Analistët, por edhe qytetarët, sikurse edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, theksojnë se një qasje e tillë e distancimit nga SHBA-ja  rrezikon ta çojë vendin drejt lindjes, prandaj duhet të ndalet sa më parë.

Sipas analistit politik Florim Zeqa, nuk ka asnjë dyshim që zhvillimet e fundit e dëshmuan se politikanët kosovarë për interesat e tyre personale janë në gjendje ta prishin Kosovën me aleatet e saj strategjikë, si SHBA-ja dhe BE-ja. “Më tepër se skandal për pushtetarët e Kosovës është deklarata e ambasadorit amerikan, Philip Kosnett, i cili tha se ka dëgjuar zyrtarë të Kosovës duke thënë se Kosovës më nuk i duhet SHBA-ja. Qasja vrastare për shtetin e pushtetarëve të kriminalizuar është duke e dërguar Kosovën drejt lindjes. Kërkesa për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën nga ana e kryeministrit Haradinaj, përveçse bie ndesh me shpalljen e pavarësisë dhe vendimin e GJND-së, drejtpërdrejt atakon interesat dhe investimet amerikane në Ballkan. Andaj, sa më parë duhet të ndalet kjo qasje ndaj SHBA-së e zyrtarëve shtetërorë të Kosovës. Është fat i mirë që amerikanët e dinë që kosovarët janë populli më pro amerikan në botë, përndryshe sa për këta udhëheqës sharlatanë të shtetit të Kosovës me të vërtetë brenda natës SHBA-të do të zëvendësoheshin me Rusinë dhe ‘çizmen’ serbe në Kosovë”, u shpreh ai për “Kosova Sot”.

Po na udhëheqin bandat

Njohësi i zhvillimeve politike, Hysni Aliu, thotë se populli i Kosovës në asnjë fazë nuk është pyetur se çfarë do dhe si dëshiron të zgjidhen problemet.“Ne jemi nënçmuar, jemi fyer dhe nënshtruar e manipuluar nga të gjithë si jashtë ashtu edhe brenda. Unë besoj që është koha të aktivizohet populli, në mënyrë që gjërave t’u jepet drejtimi i duhur.

Po them populli, sepse ne nuk mundemi t’u besojmë mashtrueseve ordinerë që vendosin taksa kur t’u teket, heqin taksen kur t’u teket, që energjinë e shfrytëzojnë për ta luftuar njëri-tjetrin dhe për ta mashtruar popullin. Taksa është vetëm mashtrimi i radhës që po u bëhet shqiptarëve nga jashtë e brenda”, u shpreh ai.“Thënia që SHBA-të nuk na nevojiten më tutje është një gjë e thënë nga ndonjë kriminel i përdhelur pikërisht nga vetë ata, pra mua s’më befason, sepse kriminelët nuk i njohin miqtë, nuk njohin nënë as baba, njohin vetëm krimin, paranë dhe perspektivën kriminale”, theksoi Aliu për “Kosova Sot”.“Për mendimin tim taksa është vetëm manipulim me ndjenjat e popullit.

 Produktet serbe mund të ndalen edhe ndryshe, me barriera të tjera të paevidentuara, ashtu siç po bën Serbia me produktet e Kosovës. Mund të ndalen produktet serbe edhe nëpërmes të kushtëzimit të biznesmenëve kriminelë pro serbë, që operojnë në Kosovë. Si rrjedhojë, unë besoj që taksa është vendosur vetëm për t’u shërbyer kriminelëve udhëheqës të shtetit që ta kthejnë imazhin e tyre që është shtrirë për tokë, në mënyrë që serish populli të mashtrohet, të besojë serish në ta, dhe sërish të njëjtit kriminelë ta copëtojnë vendin tonë”, vlerësoi ai për “Kosova Sot”.

Ndërsa analisti politik Reshat Badallaj konsideron se pa më të voglin dyshim është shumë e vërtetë që nga paslufta e deri më sot këto banda politike kanë punuar për interesa të ngushta politike të bandave të tyre dhe për interesa të tyre personale, që do të thotë për bandat që të kapin pushtetin dhe së dyti, se si të pasurohen duke e vjedhur pushtetin që edhe patën sukses.

“Dhe, a ka më idiotizëm dhe naivitet më të madh se të thuhet se Kosova nuk i duhet Amerikës. Kjo është përtej skandaloze, që këta njerëz urgjentisht duhet burgosur, ose këta banditë dhe idiotë që duhet dërguar në spitalin psikiatrik. Po, ku mund t´u lihet Kosova në duart e këtyre banditëve, këtyre hajnave, këtyre tradhtarëve që shesin tokat tona sllavo jugorëve... Kësaj kopeje banditësh, hajnash dhe tradhtarësh, duhet mbyllur goja njëherë e përgjithmonë që flasin kundër Amerikës, këtë e bëjnë që këta banditë të vjedhin më tej vendin”, tha Badallaj për “Kosova Sot”.

Bojaj: Propozimi i Haradinajt, i papërgjegjshëm

Analisti dhe publicisti Ramiz Bojaj thotë se antishqiptarët janë edhe antiamerikanë dhe është fat i keq që Kosova udhëhiqet nga klanet mafioze antishqiptare.

“Pushtetarët e Kosovës ka kohë që kanë dëshmuar se janë të papërgjegjshëm, kontrovers e të pacipë, të cilët nuk njohin rregull, ligj e as Kushtetutë. Këta që me vite e shkatërruan, e vodhën, e rropën dhe e kriminalizuan Kosovën, sot e kanë vënë në pikëpyetje edhe vetë ekzistencën tonë si shtet. Në këtë kontekst janë atakuar edhe vetë profili shtetëror i Kosovës, sovraniteti, integriteti, Kushtetuta, por janë lënduar tej mase edhe raportet me aleatët tanë shekullorë, SHBA-të.

Këta që i futën thikat e ndarjes së Kosovës, këta futën kurthe edhe për miqtë tanë tradicionalë, të dëshmuar me shekuj. SHBA-ja është sponzorizuesi më i madh i paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë, pra edhe në Kosovë. Qëndrimi amerikan ka qenë dhe është i prerë: duan paqe dhe stabilitet me çdo kusht. Janë aleancat antiamerikane e antishqiptare, të cilat janë bërë bashkë për prishjen e këtij stabiliteti në këtë pjesë të globit. Stabilitet do të thotë qartësi, përgjegjësi, por edhe guxim”, u shpreh ai.“Pushtetarët tanë, të frikësuar nga drejtësia e me akuza të rënda në qafë, hapin teza konspirative, tema të nxehta, me të cilat kërcënojnë paqen dhe stabilitetin këtu.

Ambasadori amerikan, Philip Kosnett, me të drejtë ua ka përplasur derën politikanëve tanë të papjekur e axhami, duke kërkuar më shumë përgjegjësi e maturi në proceset në të cilat po kalon Kosova. Kosova është në një situatë të rëndë, të cilën e sollën pushtetarët tanë analfabetë, të papërgjegjshëm e të pabesë. Edhe propozimi i kryeministrit Ramush Haradinaj, për konferencë ndërkombëtare, e cila, sipas ambasadorit Kosnett, do të hapte derën për diskutimin e çështjeve që tashmë janë vendosur, përfshirë edhe Pavarësinë e Kosovës dhe se do ta përfshinte Rusinë që vetëm se do ta ndërlikonin punën, ishte veprim i papërgjegjshëm”, tha Bojaj për “Kosova Sot”.

 Aliu: Injorimi i amerikanëve, një skandal tipik kosovar

Analisti Bislim Aliu shpreh shqetësimin se zhvillimet e fundit po dëshmojnë që disa politikanë kosovarë janë në gjendje ta prishin Kosovën me aleatët, si SHBA-ja dhe BE-ja, vetëm për interesa të ngushta personale dhe kjo është e rrezikshme dhe e papranueshme për interesin strategjik të shtetit të Kosovës.

“Dhe, për këtë paraqet një skandal për pushtetarët e Kosovës deklarata e ambasadorit amerikan, i cili tha se ka dëgjuar zyrtarë të Kosovës duke thënë se Kosovës më nuk i duhet SHBA-ja! Ndaj, sa më parë duhet të ndalet kjo qasje ndaj SHBA-së e zyrtarëve shtetërorë, kur dihet realisht se kosovarët janë populli më proamerikan në botë. Kjo gjithsesi është e patolerueshme, që të prishen marrëdhëniet e shkëlqyera me SHBA-në. Ambasadori amerikan, Philip Kosnett, e kundërshtoi dhe e tha qartë si mik besnik e real i Kosovës se edhe propozimin e kryeministrit Ramush Haradinaj, për konferencë ndërkombëtare, nuk shkon në favor të Kosovës, sepse do të hapte edhe shumë dyer të tjera, pra do të hapë derën për diskutimin e çështjeve që tashmë janë vendosur, përfshirë edhe pavarësinë e Kosovës dhe do ta përfshinte edhe Rusinë, e cila do ta ndërlikonte shumë punën! Ja pra kjo është dëshmia më e mirë që flet për mbështetjen e sinqertë e besnike të SHBA-së ndaj Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran”, vlerësoi Aliu për “Kosova Sot”.

Topalli: Kosova nuk ka asnjë interes t’ia kthejë shpinën SHBA-së

Deputeti  i Kuvendit të Kosovës, Faton Topalli, beson se mund të ketë ndodhur ndonjë keqkuptim, sepse përndryshe nuk beson që në Republikën e Kosovës do të dalë dikush nga politika që do të promovonte ndonjë qasje tjetër ndaj raporteve me SHBA-në, ngase secili politikan, sikurse edhe qytetarët, e dinë se cili ka qenë dhe cili mbetet roli i SHBA-së në raport me shtetin e Kosovës. “Ne si Kosovë nuk kemi asnjë interes që t’ua kthejmë shpinën SHBA-së dhe në këtë aspekt duhet të jemi shumë të kujdesshëm, por duhet të kemi raporte dhe kontakte të rregullta, sepse interesat tona dhe të SHBA-së i dimë cilat janë, i kemi dhe ata na kanë neve miq, duhet koordinohemi edhe më tutje bashkërisht, edhe të kemi e t’i forcojmë lidhjet dhe zgjidhjet e përbashkëta.

Mendoj që është shumë e rëndësishme, jetësisht e rëndësishme, që të ruhen e të kultivohen raportet e mira me të gjithë ata që na kanë mbështetur gjatë gjithë kohës, sepse unë kam përshtypjen që edhe të të gjithë qytetarët e Kosovës ekziston një disponim i madh, skajshmërisht pozitiv, pro amerikan dhe pro evropian, që në pak vende të tjera  gjendjet një diskonim i tillë sikur këtu tek ne. Unë mendoj që edhe tani raportet tona me SHBA-në janë të mira dhe uroj që këto raporte të mira, si të nivelit qeveritar, si ato të opozitës në raport me SHBA-në, të ruhen e të forcohen si të tilla. Jam shumë i sigurt që në spektrin politik kosovar qëndrimi ndaj SHBA-së, dëshira dhe përpjekja për t’i ruajtur raportet e mira është shumë e madhe”, tha Topalli për “Kosova Sot”.

Ndarja e Kosovës duhet hedhur poshtë 

Analisti politik Gani Qarri tha për “Kosova Sot” se ndarja e Kosovës duhet hedhur poshtë me vendosmëri dhe domosdoshmërish duhet bërë me dije gjithë faktorëve relevantë evropianë dhe botërorë se një akt i tillë do të çojë në luftë të re, jo vetëm me Serbinë, por në të gjitha shtetet e rajonit.

Qarri thotë se shqiptarët vazhdojnë të mbeten i vetmi popull në këto hapësira, që janë privuar nga e drejta e vetëvendosjes, të cilët në vazhdimësi kanë humbur shumë territore dhe janë zhdukur e asimiluar në masë të madhe e mënyrë sistematike nga shtetet pushtuese dhe ato hegjemoniste fqinje, prej të cilave historikisht, ka përfituar më së shumti Serbia.“Vetëlansimi i serishëm i idesë për ndarjen e Kosovës, nga presidenti Hashim Thaçi dhe përkrahja e mbështetja që i vjen atij nga partia, jo vetëm se po rrezikojnë seriozisht ekzistencën e mëtejme të Kosovës si shtet, por po ndihmon drejtpërsëdrejti edhe tentativat e Putinit për shtrirjen dhe forcimin e serishëm të ndikimit rus në rajon.

 Zhvillimet e fundit në Kosovë po dëshmojnë më së miri se politikanët e saj të shitur e të shantazhuar jo vetëm që janë në gjendje t’i prishin marrëdhëniet e Kosovës me aleatët si SHBA-ja dhe BE-ja, siç vepruan disa muaj më parë me tendencën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, por edhe ta shpërbëjnë tërësisht shtetin tonë të brishtë vetëm e vetëm që ata t’i ruajnë interesat e veta personale. Për aq më tepër, deklarata e ambasadorit amerikan, i cili deklaroi “se ka dëgjuar zyrtarë të Kosovës duke thënë se Kosovës nuk i duhet më SHBA-ja”, jo vetëm se është skandal më vete, por edhe një alarm se në krye të vendit tonë janë vendosur kuislingët më të rafinuar që ka pasur ndonjëherë Kosova, të cilët kanë për mision, hiç më pak se shpërbërjen përfundimtare të Republikës së Kosovës, si konstruksion jurdiko-politik më vete dhe entitet i pavarur shtetëror”, theksoi Qarri për “Kosova Sot”. Sipas tij, tani është  koha që Haradinaj të heqë dorë menjëherë nga qeveria dhe t’i kthehet urgjentisht veprimit praktik për parandalimin e idesë të Hashim Thaçit për ndarjen e Kosovës dhe faljen e pjesëve më vitale të territorit tonë kushtetues Serbisë, për të realizuar idetë e Qosiçit dhe përmbush aspiratën e Aleksandër Vuçiqit, për gllabërimin e pasurive më jetike të vendit dhe shpërbërjen e shtetësisë së Kosovës.

“Dorëheqjen ai duhet ta ofrojë urgjentisht edhe për të hequr nga vetja barrën e përkeqësimit të marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-së, që dobëson jo vetëm raportet e konsoliduara prej vjetësh me Uashingtonin, por edhe çon ujë vetëm në mullirin e armiqve të pavarësisë së vendit tonë, në këto momente vendimtare, kur politikanët e shitur e kanë rikthyer sërish në skenë idenë e ndarjes territoriale të Kosovës, pavarësia dhe sovraniteti i së cilës nuk mund të imagjinohen pa mbështetjen e fuqishme të SHBA-së”, potencoi Gani Qarri.

Qytetarët të irrituar nga politikanët e mbrapshtë të Kosovës

Të shqetësuar janë shprehur edhe qytetarët e anketuar nga gazeta  me deklarimin e ambasadorit amerikan, sipas të cilit dikush nga politikanët e Kosovës është deklaruar se Kosovës nuk i duhet më SHBA-ja. Kjo shprehje sipas qytetarëve jo veç që është skandaloze, por shkon baras me tradhtinë kombëtare.“Kjo intervista e ambasadorit amerikan, në të cilën thotë për disa politikanë se kanë thënë që nuk i duhet më Amerika Kosovës, kjo është një akt skandaloz dhe tradhti ndaj shtetit e kombit, për të gjithë ata politikanë që kanë menduar dhe që kanë mundur të flasin në këtë drejtim, sepse nëse mendojnë ashtu, ata janë atëherë të orientuar nga lindja”, tha Selver Lenjani për ‘Kosova Sot’. “Ne këta politikanë që e kanë thënë këtë fjalë skandaloze i konsiderojmë edhe antikombëtarë, edhe antishqiptarë dhe derisa ata duan të na drejtojnë nga lindja, le të shkojnë vetë nga lindja, por popullin e Kosovës nuk mund ta bindë askush ta ndryshojë rrugën, sepse ne jemi popull pro amerikanë, pro evropianë, pro Brukselit”, theksoi Lenjani për “Kosova Sot”. Këtë mendim ka edhe qytetari tjetër, Pashk Berisha.

“Një deklaratë e tillë, kushdo që e ka dhënë atë, jo vetëm që është e pavend, por unë mendoj që është shumë e dëmshme për ne dhe ne e dimë mirë se çfarë të mirash e çfarë mbështetjesh kemi pasur dhe kemi nga SHBA-të. Kjo mbështetje vazhdon me qenë e tillë edhe sot, sepse përkrahjen më të madhe e kemi pasur prej SHBA-ve dhe kjo vazhdon me qenë ashtu, që kur ka filluar ndërtimi i këtyre raporteve nga i pari , i ndjeri president i Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili e ka trasuar, ndërtuar këtë rrugë bashkëpunimi dhe na ka lënë të lidhur në këtë bashkëpunim të përjetshëm me Amerikën”, vlerësoi ai.

Sipas Berishës, nëse flasim keq për Amerikën, kemi folur keq fillimisht për veten tonë.

 

(Kosova Sot)