Bandat dhe mafia kontrollojnë gjithçka

  • 11 shkurt 2019 - 12:54
Bandat dhe mafia kontrollojnë gjithçka

Hertica: Skandali në Drenas tregoi se ligji nuk funksionon në Kosovë dhe duhet një Vetting i thellë

"Sot, jemi të gjithë dëshmitarë, se rrjetet e krimit të organizuar të politikës së inkriminuar, kanë shndërruar Kosovën në një vend kriminal, ku bandat dhe mafia kontrollojnë gjithçka. Fatkeqësisht, ajo që tanimë dëshpëron më së tepërmi popullin e Kosovës, është fakti se më të rrezikuarit në këtë shoqëri mbeten personat, të cilët marrin guximin të zbulojnë aferat korruptive, apo aq më rëndë, ato që nga halli detyrohen të lajmërojnë rastet e abuzimeve seksuale edhe tek policët e inkriminuar, të cilët në vend të ndihmës i keqpërdorin vetë, siç dëshmoi së fundmi edhe rasti në Drenas", thotë analisti Gani Qarri për gazetën "Kosova Sot" 

Analistë, njohës të rrethanave politike në vend dhe qytetarët vlerësojnë se Kosova e pasluftës është shndërruar në një vend kriminal, ku bandat dhe mafia kontrollojnë pothuajse gjithçka. Ata thonë se personat që lajmërojnë apo zbulojnë rastet e abuzimeve seksuale, siç ishte rasti ne Drenas apo edhe aferave korruptive, janë të rrezikuar po që se i lajmërojnë këto raste. Sipas tyre, duhet medoemos ligji i Vettingut, në prokurori, gjykata e polici e më pas edhe në politikë. Skandali në Drenas na tregon se në Kosovë ligji nuk funksionon dhe se këto institucionet duhet të pastrohen njëherë e mirë që t'i japin llogari ligjit e jo njerëzve të politikës.

Analisti Gani Qarri, për gazetën "Kosova Sot", thotë se për shndërrimin e Kosovës në një shtet funksional, pikësëpari duhet të bëhet rrëzimi i tërësishëm i kësaj kaste të inkriminuar politike nga pushteti, përndryshe kurrë nuk do të ketë arsim, shëndetësi, prokurori, drejtësi, as sundim të vërtetë të rendit dhe ligjit në këtë vend. "Rasti i Drenasit e dëshmoi më së keqi, se si krimi i organizuar në arsim, polici, drejtësi, mjekësi dhe politikën shtetërore ka bërë që Kosova të shndërrohet në një shtet banane, ku nuk sundon ligji dhe drejtësia,por bandat kriminale dhe mafioze që e kanë kapur gjithë shtetin. Pushtetarët aktualë, tash e dy dekada me radhë, kanë dëshmuar se janë fatkeqësia më e madhe që në këtë periudhë kohore ka mundur t'i ndodhte popullit dhe shtetit të Kosovës", është shprehur ai. Sipas Qarrit, dështimin më tragjik të prokurorisë dhe gjithë sistemit të drejtësisë në vend e dëshmoi edhe dorëheqja e imponuar e paradokohshme e prokurorit special Elez Blakaj, i cili në letrën e tij publike sqaronte në hollësi ndërhyrjet dhe presionet deri nga vetë kryeprokurori i katapultuar politik i shtetit, kërcënimet dhe pasigurinë totale për prokurorët dhe gjykatësit, për kryerjen e punës dhe detyrave të tyre në mënyrë të drejtë dhe sipas ligjit.

"Sot, jemi të gjithë dëshmitarë se rrjetet e krimit të organizuar të politikës së inkriminuar kanë shndërruar Kosovën në një vend kriminal, ku bandat dhe mafia kontrollojnë gjithçka. Fatkeqësisht, ajo që tanimë dëshpëron më së tepërmi popullin e Kosovës, është fakti se më të rrezikuarit në këtë shoqëri mbeten personat, të cilët marrin guximin të zbulojnë aferat korruptive, apo aq më rëndë, ato që nga halli detyrohen të lajmërojnë rastet e abuzimeve seksuale edhe tek policët e inkriminuar, të cilët në vend të ndihmës i keqpërdorin vetë, siç dëshmoi së fundmi edhe rasti në Drenas. Kjo vërteton edhe një herë më tepër se jo vetëm që është bërë i domosdoshëm, por edhe i pakalueshëm ligji i Vetting-ut, duke filluar me një Vetting të thellë e rrënjësor, pikësëpari në prokurori me shkarkimin e kryeprokurorit të imponuar nga klani 'PRONTO', gjykata e polici e më pas edhe në gjithë politikën e kriminalizuar vendore", është shprehur ai. Së këndejmi, sipas Qarrit, skandali në Drenas, përfundimisht tregoi se ligji dhe sistemi i drejtësisë, as që funksionojnë në Kosovë dhe se katër shtyllat kryesore lëngojnë nga ky mosfunksionim.

Qytetarët: Fjala jonë nuk ka peshë te institucionet Krahas analistëve politikë, edhe qytetarët e anketuar pohojnë se ata janë shumë të zhgënjyer me indiferencën e të gjitha institucionet e shtetit. Së këndejmi, qytetari Valton Grajqevci, për gazetën "Kosova Sot", thotë se vërtet kohë të vështira kanë ardhur për qytetarët e ndershëm të vendit, sepse ata janë të rrezikuar në të gjitha raste kur ata duan që të lajmërojnë apo që të zbulojnë rastet e abuzimeve seksuale, ngase qytetarët tanë janë të rrezikuar, ashtu siç ishte rasti në Drenas apo edhe lajmërimi i aferave korruptive nëpër institucione.

"Të gjitha këto veprime tregojnë se këtë vend e sundojnë bandat dhe mafia politike, ndaj e keqja është se ne qytetarët e thjeshtë jemi në pamundësi për të vepruar, ngase fjala jonë nuk po ka peshë për institucionet. Andaj, sa më parë duhet bërë ligjin e Vetting-ut, fillimisht në prokurori, gjykata e polici e më pas edhe në skenën politike dhe jam i mendimit se për një veprim të tillë tashmë veç është një hap i vonuar", është shprehur ai. Ndërsa, qytetari Behar Popova, nga komuna e Podujevës, për gazetën "Kosova Sot", thotë se ligji për Vetting-un është i mirëseardhur edhe në Kosovë dhe kjo duhet bërë fillimisht në prokurori, gjykata e polici e më pas edhe në skene politike kosovare. "Me bërjen e Vetting-ut, këto institucione do të pastroheshin njëherë e mirë në mënyrë që kryesit e tyre veprave edhe punëve të pista do të mundeshin që të japin llogari para ligjit e jo para njerëzve të politikës", është shprehur ai.

Shkodra: Rasti i drenasit nuk është i vetmi keqpërdorim në jetën publike

Analisti Shefik Shkodra, për gazetën" Kosova Sot", thotë se rasti i Drenasit nuk është i vetmi kur është fjala për keqpërdorime në jetën publike. "Anembanë Kosovës mund të ketë afera të tilla. Për mësimdhënësit, nëpunësit administrativë, policinë, etj., duhet përmbajtje, nuk mund të shfrytëzojnë askush brishtësinë e një femre të re kudo. Por, nëse personi e shfrytëzon rastin, aq më keq me kushtëzime, ligji duhet të jetë shumë rigoroz dhe i ashpër. Ndryshe, ky vend dhe cilido, do të mbetej një oazë e krimit të organizuar, e një shoqërie që abuzohet në të gjitha aspektet nga grupe njerëzish të pamoralshëm vetë. E themi të organizuar, ngase lajmërimi i rasteve do ta rrezikonte çdonjërin që merr guxim për të lajmëruar e për të gjykuar drejt rastin. Është një si zinxhir në mënyrë të sinkronizuar nga oligarkët dhe nëntoka. Këta njerëz sikur janë të punësuar në një vend të huaj të rezervuara në shkretëtirë, meqë ligji nuk funksionon. Në këtë mënyrë askush nuk do të jetë i kursyer nga këto akte anticivilizuese. Pra, vetëm ligji duhet të jetë mbi të gjithë. Ndryshe, Vetting-u do të ishte shumë i mirë për pastrimin dhe thyerjen e këtij zinxhiri. Vetting-u është i nevojshëm më parë për figurat nëpër institucione, pastaj në polici, gjyqe, në shkolla", është shprehur për gazetën "Kosova Sot", analisti Shefik Shkodra

Hertica: Nëpër gjykata kalojnë kriminelë, që pas proceseve mbesin të pafajshëm 

Ndërsa, njohësi i rrethanave politike në vend Ali Hertica, për gazetën " Kosova Sot", thotë se kontrolli i shtetit të së drejtës, gjykatat e paanshme, të drejta dhe efikase, prokurori të pakorruptuar dhe të pakompromis në luftën kundër kriminalitetit, janë themelet e drejtësisë, mbrojtës së individit dhe interesit publik. "Skandali i fundit të dhunimit seksual të 16- vjeçares dëshmoi atë që dihej në popull si shqetësim nga këto kasta politike, se sa i kalbur është sistemi i drejtësisë. U dëshmua se nëpër gjykata kalojnë kriminelë, të cilët në fund të proceseve mbesin të pafajshëm, si dhe personat e fuqishëm nëpërmjet parasë dhe forcës politike, kalojnë çdo pengesë ligjore që sanksionon punët e tyre të dënueshme penalisht, moralisht ose në çështjet civile, gjithmonë në dëm të palës së pafuqishme ekonomike - politike, viktimë e kësaj drejtësie të kalbur", është shprehur analisti Hertica për "Kosova Sot". Sipas tij, Vettingu parasheh që të gjithë ata që nesër do t'i qasen sistemit të drejtësisë, t'i nënshtrohen skanerit të ndershmërisë së figurës dhe profesionalizmit. "Skandali në Drenas tregoi mirë fare se ligji nuk funksionon në Kosovë dhe se këto institucionet duhet të pastrohen njëherë e mirë që t'i japin llogari ligjit e jo njerëzve të politikës, i pastron vetëm Vetting-u do t'i vërë nën shënjestër kupolën e krimin nga koka e shtetit që janë të instaluar grupet kriminale të bandave", u shpreh analisti Ali Hertica.

 

(Kosova Sot)