Dëgjojeni Amerikën!

  • 11 shkurt 2019 - 12:59
Dëgjojeni Amerikën!

Aliu: Rrezikimi i marrëdhënieve me Amerikën nuk mund të jetë assesi alternativa kosovare

"Vënia e vonuar dhe e pakoordinuar e taksës nga ana e qeveritarëve më shumë e ka dëmtuar sesa ndihmuar pozicionin e Kosovës në dialog. Për këtë, politikanët tanë, që qeverisin prej gati dy dekadash, duhet të japin llogari se pse nuk e vendosën taksën vite më herët, por lejuan miliarda euro fitime për mafio-oligarkët që kontrollonin tregun, tërësisht informal, me produktet nga Serbia.

Megjithatë, taksa e vonuar e dha efektin e saj të fuqishëm politik, sepse e bëri Kosovën të shfaqej si shtet serioz dhe jo i nëpërkëmbur në korridoret e Brukselit. Aspirata jonë evropiane dhe partneriteti i përhershëm e vëllazëror me SHBA-në duhet ta kthejnë lidershipin kosovar në brazdën e duhur, që i bie të lënë mënjanë inatet personale dhe kundërthëniet e brendshme për interesin e shtetit", thotë analisti Florim Zeqa për gazetën "Kosova Sot

Analistët politikë, por edhe qytetarët, duke qëndruar me sy e vesh drejtuar përballë zhvillimeve të fundit politike që po ndodhin rreth Kosovës, procesit në pritje të bisedimeve me Serbinë për një marrëveshje finale historike dhe taksës së vendosur nga autoritetet e Kosovës për t'iu kundërvënë politikës destruktive diplomatike të shtetit serb, kërkojnë një unifikim të politikës kosovare me qëllim të ndryshimit të kursit të dialogut në interes të shtetit të Kosovës të bashkërenduar me miqtë ndërkombëtarë.

Edhe analistët politikë, por edhe qytetarët, konsiderojnë se nuk ka asnjë interes serioz që Kosova të vazhdojë të shfaqë mosunitet për çështjen e pezullimit të përkohshëm të taksës ndaj Serbisë, duke mbajtur të bllokuar kështu dialogun mes dy vendeve, që ka hyrë në vitin ndoshta final drejt një marrëveshjeje përmbyllëse e historike. Po ashtu, sipas analistëve, rrezikimi i marrëdhënieve me Amerikën nuk mund të jetë assesi alternativë kosovare. Autoritetet kosovare kanë pasur të drejtë në vënien e taksës, bile me shumë vonesë e kanë vendosur, madje do të duhej të japin llogari politikanët që qeverisin prej gati dy dekadash se pse nuk e vendosën vite më herët, por lejuan miliarda euro fitime për mafiooligarkët që kontrollonin tregun, kryesisht informal. Mirëpo tani është momenti që t'i japim një shans dialogut të ristrukturuar, sepse taksa e pati efektin e saj të fuqishëm politik, pasi e bëri Kosovën të shfaqej si shtet serioze dhe jo e nëpërkëmbur në korridoret e Brukselit, mirëpo aspirata jonë evropiane dhe partneriteti i përhershëm e vëllazëror me SHBA-në duhet ta kthejnë lidershipin kosovar në brazdën e duhur.

Zeqa: Lidershipi kosovar duhet të kthehet në brazdën e duhur

Sipas analistit politik Florim Zeqa, përderisa politika kosovare nuk mund të unifikohet, e ka të vështirë të ndryshojë kursin e dialogut.

"Përderisa Kosova vazhdon të shfaqë mosunitet në çështjet madhore për vendin, armiqtë e Pavarësisë së Kosovës po avancojnë me qëllimet e tyre grabitqare ndaj territorit të shtetit tonë. Vënia e vonuar dhe e pakoordinuar e taksës nga ana e qeveritarëve më shumë e ka dëmtuar sesa ndihmuar pozicionin e Kosovës në dialog. Për këtë, politikanët tanë që qeverisin prej gati dy dekadash duhet të japin llogari se pse nuk e vendosën taksën vite më herët, por lejuan miliarda euro fitime për mafiooligarkët që kontrollonin tregun, tërësisht informal me produktet nga Serbia. Megjithatë, taksa e vonuar e dha efektin e saj të fuqishëm politik, sepse e bëri Kosovën të shfaqej si shtet serioz dhe jo i nëpërkëmbur në korridoret e Brukselit. Aspirata jonë evropiane dhe partneriteti i përhershëm e vëllazëror me SHBA-në, duhet ta kthejnë lidershipin kosovar në brazdën e duhur, që i bie të lënë mënjanë inatet personale dhe kundërthëniet e brendshme për interesin e shtetit.

Lidershipi kosovar duhet të udhëhiqet nga arsyeja e shëndoshë për kthimin e besimit tek miqtë ndërkombëtarë dhe gjithnjë duhet të jetë në nivelin e përgjegjësisë shtetërore, për ndërtimin e një platforme të dobishme e përfituese për shtetin dhe për një negocim të kufizuar, të guximshëm e të kushtëzuar ndaj Serbisë dhe vetëm në interes të shtetit e qytetarëve. Me një mirëkuptim mes subjekteve politike, Kosova mund të sigurojë unitetin nacional politik për vazhdimin e dialogut duke mbrojtur territorin dhe ruajtur shtetësinë Republikës së Kosovës deri në njohjen reciproke dhe pa i dëmtuar në asnjë rrethanë raportet me SHBA-të dhe BE-në. E kanë me plot të drejtë diplomatët amerikanë që këshillojnë se vetëm një udhëheqësi politike e matur dhe me një vizion mund të çojë në një marrëveshje të dobishme për vendin, gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë, në qendër të së cilës do të ishte njohja e ndërsjellë.

Kjo klasë politike në pushtet dhe opozitë e kanë shansin historik dhe mundësinë për të krijuar rrethanat për të përmbyllur një kapitull të vështirë me Serbinë. Kjo është e mundur vetëm përmes një procesi transparent të vendimmarrjes në dialog me ndërmjetësim dhe garanci të fuqishme ndërkombëtare për moscenueshmëri të territorit dhe sovranitetit të shtetit të Kosovës. Kosova nuk e ka asnjë arsye të paguajë çmim për marrëveshje finale me Serbinë, përkundrazi duhet të kërkojë dëmshpërblim nga kjo e fundit për dëmet e luftës, gjegjësisht për plaçkitjen dhe shkatërrimin masiv të pronave dhe bizneseve shqiptare", theksoi Zeqa për "Kosova Sot".

Badallaj: Nuk mund të shtyjmë bjeshkën me gjoks 

Analisti Reshat Badallaj thotë për "Kosova Sot" se deri më tani "bandat" e politikës kosovare, siç i quan ai, janë bërë horë lidhur me dialogun."Personalisht mendoj se deri tani kanë qenë humbje kohe dhe harxhim i buxhetit të shtetit. Nuk kanë qenë kurrë të bashkuar, gjithmonë të përçarë dhe të papjekur, të papërgatitur dhe me biseda krye në vete, pa u dhënë leje as populli dhe as Kuvendi i Kosovës. Pezullimi i përkohshëm i taksës është vetëm behania e çervishit një lugë gjalpë dhe lufta për bajraktarizëm që po tregon jo unitet. Ramush aga me shumë të drejtë e ka, por kur flet Amerika është diçka tjetër, sepse ne nuk mund të shtyjmë bjeshkën me gjoks. Kam bindje të plotë se Amerika është në dijeni me këta matrapazë dhe hajna dhe nuk do të ndryshojë politikën e saj karshi Kosovës. Amerika ka rrëzuar përtokë shumë shtete dhe qeveri kriminele dhe është duke pritur se brenda dhjetë minutash e rrëzojnë përtokë edhe këtë grup të vogël mafiozësh që e kanë kapur shtetin dhe nuk e lënë të marrë frymë", theksoi analisti Badallaj për "Kosova Sot".

"Taksa me shumë vend, është dashur shumë më herët, t´u zihet bishti me derë Serbisë fashiste dhe atyre sllavo-jugorëve që i bënin shumë sherre Kosovës dhe pasuroheshin me Kosovën dhe atyre bashkëpunëtorëve të ngushtë shqipfolës, por u doli gjumi vonë dhe më mirë vonë se hiç, por mbajeni mend se kjo nuk e ka gjatë, kam thënë herët, sepse kjo punë po shihet se është e gatuar dhe pritet të thyhet pogaçja atje në Amerike dhe kësaj i bie shtyje mace kryet e buallit, po të kishte shtet do të jepeshin llogari këto banda që na sollën sherre që nuk vendosën me kohë. Pra, kjo është ajo që po them të papërgatitur, të paditur dhe që nuk e kanë pasur interesin e shtetit dhe të qytetarëve të saj, por vraponin pas hajnisë. Personalisht përkrah qëndrimin e palëkundur të Gjermanisë se nuk duhet të lëvizin kufijtë e Kosovës për asnjë milimetër, sepse sherri është diku tjetër dhe jo si shprehen këta shqipfolës për interesa të tyre personale", potencoi analisti Reshat Badallaj.

Guraziu: Politikanët duhet të japin llogari pse e vendosën taksën me vonesë 

"Politikanët tanë që qeverisin gati dy dekada duhet të japin llogari pse nuk e kanë vendosur vite më herët taksën, por tani, paksa me vonesë. Duhesh të jesh politikan ekspert, sidomos për të qenë udhëheqës në krye të shtetit, si kryeministër, president, kryeparlamentar, deputet etj. Kur miqtë tanë thonë se duhet të ndodhë pezullimi i taksës, atëherë duhet besuar sidomos SHBA-së dhe nuk guxojmë t'i anashkalojmë. Ata gjithnjë kanë qenë, janë dhe do të jenë në krahun e Kosovës, deri në fund. Tani është e mundshme marrëveshja, të cilën e kërkuan sërish edhe ambasadorët amerikanë në Prishtinë dhe në Beograd, përmes një editoriali të përbashkët, e që në thelb kanë njohjen reciproke. Mirëpo, pikëpyetja mbetet se a do të arrijë politika kosovare të unifikohet dhe të ndryshojë kursin e dialogut? Tani unë dua të mendoj pozitivisht, të them se PO, edhe pse po vazhdon akoma Kosova të shfaqë mosunitet për çështjen e pezullimit të përkohshëm të taksës ndaj Serbisë, duke mbajtur të bllokuar kështu dialogun mes dy vendeve.

Është tani momenti që t'i japim një shans dialogut të ristrukturuar, në njëfarë forme pati taksa efektin e saj të fuqishëm politik, sepse e bëri Kosovën të shfaqej si shtet serioz dhe jo i nëpërkëmbur në korridoret e Brukselit, mirëpo aspirata jonë evropiane dhe partneriteti i përhershëm e vëllazëror me SHBA-në patjetër duhet ta kthejnë lidershipin kosovar në brazdën e duhur. Ndryshe duhet arsyeja dhe besimi i përgjegjshëm të udhëheqë lidershipin kosovar drejt një platforme të dobishme e përfituese për shtetin dhe një negocimi të kufizuar e të guximshëm dhe vetëm në interes të shtetit e qytetarëve. Ne na duhet që Kosova të sigurojë unitetin nacional politik, sepse pa një mirëkuptim mes subjekteve parlamentare nuk mund të ketë sukses asnjë lloj negocimi. Dhe, kanë të drejtë diplomatët amerikanë, se vetëm një udhëheqësi politike e matur dhe me një vizion mund të çojë në një marrëveshje të dobishme për vendin, gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë, në qendër të së cilës do të ishte njohja e ndërsjellë"

Aliu: Duhet t'i japim një shans dialogut të ristrukturuar 

Edhe analisti politik Bislim Aliu konsideron se është një moment kritik që patjetër politika kosovare duhet të unifikohet dhe ta ndryshojë rrënjësisht kursin e dialogut tani, si një zë i bashkuar. "Edhe më tej po vazhdon Kosova të shfaqë mosunitet për çështjen e pezullimit të përhoshëm të taksës ndaj Serbisë dhe kështu po e mban të bllokuar dialogun në mes dy vendeve, që ka hyrë në vitin ndoshta final drejt një marrëveshjeje përmbyllëse e historike?

Dhe, rrezikimi i marrëdhënieve me Amerikën nuk mund të jetë assesi alternativa kosovare. Autoritetet kosovare kanë pasur shumë të drejtë në vënien e taksës, bile me shumë vonesë e kanë vendosur dhe për këtë mendoj se politikanët tanë që qeverisin prej dy dekadash duhet të japin llogari pse nuk e kanë vendosur atë vite më herët, por lejuan miliarda euro fitime për mafio-oligarkët, që vazhdimisht kontrolluan tregun kryesisht informal. Ndaj, duhet t'i japim një shans dialogu të ristrukturuar. Mendoj se taksa pati efektin e fuqishëm politik, sepse e bëri Kosovën të shfaqej si shtet serioz dhe jo i nëpërkëmbur, në korridoret e Brukselit, mirëpo aspirata jonë evropiane dhe partneriteti i përhershëm e vëllazëror me SHBA-në duhet ta kthejë lidershipin kosovar në brazdën e duhur. Ndaj, duhet të jetë arsyeja dhe besimi i përgjegjshëm t'i udhëheqin lidershipin kosovar drejt një platforme të dobishme e përfituese, për shtetin dhe vetëm në interes të shtetit e qytetarëve.

Është e mundshme marrëveshja, të cilën e kërkuan edhe ambasadorët amerikanë në Prishtinë e Beograd, përmes një editoriali të përbashkët e që në thelb e kanë njohjen reciproke. Kjo do të ishte një marrëveshje e dobishme me njohje reciproke për ruajtjen e shtetësisë së Republikës së Kosovës pa dhënë territor! Patjetër ne duhet të shohim përpara, duke nxjerrë mësime nga gabimet e bëra më herët. Duhet patjetër që Kosova të sigurojë unitetin nacional politik, sepse pa një mirëkuptim mes subjekteve parlamentare nuk mund të ketë sukses asnjë lloj negocimi.

Dhe, për këtë kanë të drejtë diplomatët amerikanë, se vetëm një udhëheqësi politike e matur dhe me vizion të qartë mund të çojë në një marrëveshje të dobishme për vendin, gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë, në qendër të së cilës do të ishte njohja e ndërsjellë? Për këtë "status quo"-ja është pengesë e humbje për Kosovën në shumë aspekte, prandaj sa më parë që të bëhen kushtet për përfundimin e saj, aq më shpejt do të jetë rruga e zhvillimit për shumë vite. Duhet pra, një transparencë në këtë proces, meqë kjo klasë politike e ka shansin e madh për të përmbyllur një kapitull të vështirë me Serbinë. Dhe duhet t'u garantojmë fëmijëve tanë një paqe të sigurt, të qëndrueshme dhe afatgjate. Ndaj, vetëm uniteti do të na sjellë vizionin për një shtet ligjor, zhvillimor e demokratik, deri në marrëveshje të leverdishme për Republikën e Kosovës, pa humbur fare territor", theksoi analisti Bislim Aliu për "Kosova Sot".

Qytetarët: Kosova po i paguan shtrenjtë pasojat e mungesës së unitetit politik

Edhe qytetarët e anketuar nga gazeta mendojnë se është koha, madje e vonuar, që politika kosovare të unifikohet dhe të ndryshojë kursin e dialogut, sepse rrezikimi i marrëdhënieve me Amerikën nuk mund të jetë assesi alternativa kosovare. Kështu thotë për "Kosova Sot" qytetari Besim Thaçi.

"Në këtë aspekt partitë politike kosovare duhet të bashkohen dhe të unifikohen pa asnjë dallim, jo që të kenë mendime të ndryshme njëri me tjetrin, por për të mirën e Kosovës të punojnë së bashku edhe unë besoj që Amerika sikur që na ka mbështetur gjithmonë na mbështetë edhe tani, sepse atë e kemi pasur dhe e kemi krah të djathtë, edhe atyre ne nuk duhet të ju ndahemi. Të bëjmë gabime për çështjen kombëtare dhe në dëm të vendit tonë nuk është mirë, sepse tani edhe ne si po e shohim vetë është moment kritik dhe strategjik që e kemi një mbështetje të madhe të Amerikës dhe nuk guxojmë t'u japim shkelm miqve ndërkombëtarë", theksoi qytetari Besim Thaçi. Qytetari tjetër, Naser Jetullahu, theksoi se është një përgjegjësi e madhe historike e politikës kosovare nëse nuk arrin tani të unifikohet rreth një qëndrimi të përbashkët nacional në mbrojtje të interesat të shtetit të Kosovës, gjë që do të ishte vetëm një përsëritje e shumë gabimeve të mëdha që shqiptarët i kanë bërë edhe në të kaluarën gjatë periudhave të ndryshme historike.

"Politika kosovare duhet të gjejë forcë dhe kurajë që të bashkohet, sepse deri më tani vetëm po na përsëriten historitë: Çdoherë në luftë e fiton dhe në tavolinë e humb dhe pastaj lamtumirë i thonë kësaj pune. Pse nuk po mund të bashkohen… shumë i ëmbël është kolltuku... kolltuku, shumë i ëmbël është kolltuku dhe ne veç e bëjnë për karrierë dhe jo për atdhe dhe ne po del që nuk jemi atdhetarë asnjë kokërr dhe krejt problemi kështu është që ne po bëjmë e po mendojmë vetëm për vetveten dhe nuk po e bëjmë një mendje që sot jemi e nesër nuk jemi dhe kemi për ta lënë krejt sikur, që e kanë lënë edhe të parët para nesh. Kështu që me këta politikanë unë mendoj që është i dëshpëruar krejt populli kosovar, por madje edhe ata të Shqipërisë, sepse e njëjta gjë po ndodh në të gjitha trojet shqiptare, hiç mos të shkojmë më tutje veç të shohim çka po ndodh në Maqedoni, që kur kemi të bëjmë me armik nuk bëhen bashkë, si me qenë një parti, por janë 100 parti", theksoi qytetari Naser Jetullahu.

(Kosova Sot)