Të hapen dosjet, shumë pushtetarë, spiunë të Serbisë (Video)

  • 13 February 2019 - 07:31
Të hapen dosjet, shumë pushtetarë, spiunë të Serbisë (Video)

Zeqa: Kjo legjislaturë e Kuvendit nuk po e merr dot guximin të kërkojë hapjen e dosjeve dhe që përfundimisht të dihet se kush kanë qenë bashkëpunëtorët e UDB-së në Kosovë!

 “Shumë gjëra i kam zbardhur në gazetën ‘KOSOVA SOT’ dhe po pres sa të fillojë edhe Gjykata Speciale dhe do t’jua them me emër atë që kam thënë deri më tani, se ishte spiun shumë i lartë në këto struktura që ka bashkëpunuar me UDB-në dhe ishte në UÇK, bile motrën e ka pasur të martuar me një oficer të lartë ushtarak në Nish, duke komunikuar me ‘toki-voki’ në serbisht gjatë luftës... Po dikujt vonë i ka dalë gjumi. Kam shkruar me kohë se kush ishin nga politikanët udbashë shumë të rrezikshëm kundër shqiptarëve, që kanë vrarë, maltretuar, që kanë burgosur dhe më vonë i kanë humbur pa shenjë”, thotë analisti Reshat Badallaj për “Kosova Sot”

Ditë më parë televizioni publik ka transmetuar një dokumentar hulumtues,  ku raportohet se ish- i deklaruari si pjesëtar i SHIK-ut, Nazim Bllaca, ishte i rekrutuar nga organet serbe të sigurisë, konkretisht UDB-së, qysh në fillim të vitit 1997. Pas këtij dekonspirimi të madh që pretendohet të jetë bërë dhe duke u bazuar në faktografi të dokumentuar, analistët e fushës dhe qytetarët shprehen të shqetësuar se si ka mundësi që një shërbim sekret, që në këtë rast mendohet për SHIK-un, të pranojë në gjirin e saj edhe agjentë të një shërbimi sekret të një shteti tjetër, e aq më pak të një shteti armik.

Sipas analistëve, do të duhej sqaruar dhe zbardhur e vërteta se çfarë kërkonte një agjent i UDB-së edhe në SHIK. Opinioni publik duhet ta dijë nëse zyrtarët e lartë të SHIK-ut, a ishin në dijeni që Bllaca ishte edhe agjent i UDB-së, apo nuk ka qenë fare dhe tani po  etiketohet. Edhe pse është folur shumë deri më tani, duke gjuajtur edhe akuza publike sa në njërin në taborin tjetër politik,  asnjëherë nuk u ndërmor ndonjë veprim ligjor dhe nuk u zbardh se kush nga politikanët e Kosovës ka qenë pjesë e shërbimit sekret të UDB-së. Prandaj, tani edhe nga ana e analistëve, por edhe nga qytetarët kërkohet që  urgjentisht të hapen dosjet dhe të zbardhen të gjithë ata që kanë qenë pjesë e UDB-së famëkeqe, me fakte, pa marrë parasysh se kush janë ata.

Zeqa: Fshehja e spiunëve, e qëllimshme

Analisti politik Florim Zeqa tha për “Kosova Sot” se hapja e dosjeve dhe zbardhja e emrave të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e UDB-së famëkeqe, me fakte, pa paragjykime dhe pa marrë parasysh se kush janë ata, do të krijonte kushtet për hapjen e një kapitulli të ri në sistemin e drejtësisë, politikëbërjes dhe vendimmarrjes në Kosovë,  por është një fatkeqësi që këtë proces po e bllokon politika për interesa të veta dhe të frikës, ngase shumë aktorë politikë do të dilnin të përlyer nga ky proces.

“Është vërtet e pajustifikueshme, pse edhe kjo legjislaturë e Kuvendit të Kosovës nuk po e merr dot guximin të kërkojë hapjen e dosjeve dhe që përfundimisht të dihet se kush kanë qenë bashkëpunëtorët e UDB-së në Kosovë! Arsyeja e këtij hezitimi është se ka ende shumë deputetë që nuk e ndjejnë veten të gatshëm për t'u përballur me këtë dukuri, shkaku i implikimit në shërbimet sekrete serbe apo të pjesëmarrjes së ndonjë familjari të tyre. Kështu, fshehja e emrave të spiunëve të UDB-së shkon në favor të mbulimit të veprave kriminale, para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë”, u shpreh ai.

“Arsyeja tjetër më e madhe e mosbërjes publike e emrave të spiunëve të UDB-së, është se ata qëllimshëm janë të instaluar në të tria shtyllat e pushtetit dhe në të dy nivelet  e pushtetit, dhe jo vetëm, për fat të keq, ata janë ata të instaluar jashtëligjshëm edhe në medie, në televizione, në gazeta, në portale dhe në të ashtuquajturat OJQ. Madje, spiunë dhe familjarë të tyre janë vendosur në pozita kyçe , bile edhe të larta në të gjitha fushat dhe segmentet më vitale të pushtetit të shtetit kudo, në Qeveri e administratë publike, në legjislativ dhe rreth tij, dhe sidomos në drejtësinë kosovare – në gjyqësor e prokurori dhe në polici, për të kontrolluar lehtësisht çdo segment të jetës në Kosovë. Pra, janë arsye të shumta pse hapja e dosjeve do të shkaktojë ‘termet’ në Kosovë”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.

Badallaj: Edhe në UÇK kishte agjentë

Analisti politik Reshat Badallaj konsideron se për kohën që bëhet fjalë, rasti Bllaca ka të bëjë me një spiun të regjimit serb të kalibrit më të lartë të shkolluar dhe të rekrutuar për punën që i ishte ngarkuar, e që, sipas Badallajt, të tillë ka pasur dhe ka akoma në mesin e ish- pjesëtarëve të SHIK-ut, sepse  të tillët kanë bashkëpunuar me UDB-në edhe pas luftës.

“Po të kishte shtet ligjor në Kosovë, dhe mjerisht nuk ka, sepse shteti që nga pas lufta e deri më sot  është i kapur dhe është drejtuar nga udbashët, nga kopilët e Titos të Serbosllavisë, mafio-oligarkët dhe hajnat e peshave të rënda,  dhe po e them këtë qëllimisht se përndryshe do të hidhen në sitë dhe shoshe të gjithë ata të SHIK-ut dhe të Shtabit të Përgjithshëm, se sa udbashi shqipfolës i Serbisë është inkuadruar në këto struktura të larta. Bile, disa banditë dhe kryebanditë të SHIK-ut, a dini ju se pikërisht këta spiunë, këta vrasës, këta mercenarë janë  dekoruar edhe me merita dhe si veteranë të luftës dhe sot vjelin buxhetin e shtetit. Shikojeni Azem Sylën në procesin ‘TOKA’ edhe pas luftës a bashkëpunoi me serbianët për hajni dhe dallavere dhe ka të ngjarë se ky jo vetëm që ishte në dijeni të këtij spiuni, këtij vrasësi me pagesë dhe para të majme.

Serbia fashiste ka futur në gjirin e UÇK-së njerëzit sa për të përçarë strukturat e UÇK-së dhe pastaj për t´ia lënë këmbët e arushës. Ky nuk është i vetëm që ishte në këto struktura, sepse  ka edhe shumë të tjerë.  Dhe, kush e kupton veç e thashë më lart se nuk ka shtet, ngase  përndryshe a e dini se me sherrin e këtij grupi tradhtarësh se sa ushtari dhe komandanti ka rënë në pritë dhe janë vrarë dhe janë masakruar nga forcat serbe dhe të mercenarëve rusë?!”, u shpreh Badallaj për “Kosova Sot”.

 

Të hiqen maskat, të tregohen emrat

Analisti politik Ragip Guraziu mendon se Nazim Bllaca do të jetë shembull për të keq për gjeneratat e reja. “Prandaj, edhe unë pyes se si ka mundësi që një shërbim sekret të pranojë në gjirin e saj edhe agjentë të një shërbimi sekret të një shteti tjetër, e aq më pak të një shteti armik. Dhe jo vetëm Nazim Bllaca... Siç jemi në dijeni, ditë më parë televizioni publik ka transmetuar një dokumentar ku raportohet se Nazim Bllaca ishte i rekrutuar nga organet serbe të sigurisë, konkretisht UDB-së, qysh në fillim të vitit 1997. Kishte dëshmi apo jo dëshmi si po kërkohet nga të tjerët,janë faktet që dëshmojnë, sepse Nazim Bllaca me familje nuk dihet a është në Serbi apo i transferuar në ndonjë shtet tjetër!

Mendoj që ka edhe Nazima të tjerë në rast se televizioni publik hulumton dhe do të mundë të bëjë edhe  dokumentarë të  tjerë. Së pakut Nazim Bllaca doli publikisht para gjithë botës për të na treguar një marre me faqe të zezë,edhe në dëm të UÇK-së, dhe kjo ndodh derisa nuk janë verifikuar si duhet personat që janë rekrutuar në UÇK,  dhe tani ka ndodh kjo”, u shpreh ai. “Kur kemi parasysh se Nazimi doli publikisht dhe nuk i dihet fati se ku është, tani gati  të gjithë ata që vuajnë dënimin në burg janë prekur me deklaratat e Nazim Bllacës dhe ishin ortakë të së keqes, dhe ja që  Nazimin e lanë pas dore.

Kjo do të duhet të ishte një çështje  që duhet edhe  ta debatojmë. Si ka qenë e mundur Nazimi që doli në publik me deklaratat e tij dhe tani po zbulohet edhe veprimtaria e tij që po  cilësohet spiun i UDB-së”, vijoi më tej Guraziu. “Duhet të hiqen maskat dhe të zbardhen dosjet  për të dhënë përgjigje se si ka mundësi që një shërbim sekret të pranojë në gjirin e saj edhe agjentë të një shërbimi sekret të një shteti tjetër, e aq më pak të një shteti armik. Duhet të sigurohet përgjigje e saktë me hapjen e dosjeve, se  çfarë kërkonte një agjent i UDB-së edhe në SHIK, kurse tani zyrtarët e lartë të SHIK-ut thonë se janë në  dijeni që Bllaca ishte edhe agjent i UDB-së. Duhet të dihet nëse ka qenë apo nuk ka qenë fare dhe  tani vetëm po etiketohet. Pra, unë mendoj që edhe vetë  SHIK-u duhet të deklarohet se si ka mundësi që një shërbim sekret të pranojë në gjirin e saj edhe agjente të një shërbimi sekret të një shteti tjetër, e aq më pak të një shteti armik”, vlerësoi ai.

“Si ishte e mundur që  asnjëherë nuk u zbardh se kush nga politikanët e Kosovës ka qenë pjesë e shërbimit sekret të UDB-së, tani duhet urgjentisht të hapen dosjet dhe të zbardhen të gjithë ata që kanë qenë pjesë e UDB-së famëkeqe, me fakte, pa marrë parasysh se kush janë ata”, tha Guraziu për “Kosova Sot”.

Aliu: Spiunët, të shpërndarë ngado

Sipas analistit politik Bislim Aliu, Kosova është vonuar shumë në hapjen e dosjeve të UDB-së, prandaj do të duhej që ta bëjë këtë veprim me ligj dhe pa vonesë. “A thua, çfarë kërkonte një agjent i UDB-së edhe në SHIK? Ndaj, shtrohet pyetja edhe nga qytetari më i painformuar: pse asnjëherë nuk u zbardh se kush nga politikanët e Kosovës ka qenë pjesë e shërbimit sekret të UDB-së? Mendoj se duhet urgjentisht të hapen dosjet dhe të zbardhen, njëherë e mirë, të gjithë ata që kanë qenë pjesë e UDB-së famëkeqe, me fakte, pa marrë parasysh se kush janë ata. Për këtë, as kjo legjislaturë në Kuvendin e Kosovës nuk pati guxim të kërkojë hapjen e dosjeve dhe që përfundimisht të dihet, se kush kanë qenë bashkëpunëtorët e UDB-së në Kosovë.

Pse, a thua ende të mos dihen ata, që kanë qenë në shërbimin sekret serb dhe në favor të kujt shkon fshehja e këtyre emrave dhe veprave kriminale të tyre?! Më të drejtë del këtu një dilemë e madhe, a thua si u sistemuan spiunët dhe familjarët e tyre, me lehtësi dhe pa meritë në pozita kyçe, bile dhe të larta, në të gjitha fushat dhe segmentet më vitale të shtetit; në Qeveri, në administratë publike, në legjislativ dhe rreth tij dhe sidomos në drejtësinë kosovare - në gjyqësor e në prokurori e në polici dhe cili ishte roli i spiunëve të UDB-së të vendosur në OJQ, nëpër medie, në televizione, në gazeta, në portale, e të tjera, prandaj hapja e dosjeve do të shërbente për të njohur, për të identifikuar dhe për t’u distancuar nga njerëzit e tillë”, tha Bislim  Aliu për “Kosova Sot”.

Kelmendi: Mafio-politika, mburojë e UDB-ashëve

Sipas prof. Muhamet Kelmendit, një ndër faktorët kryesorë të mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë dhe të organeve të luftimit të krimit është prejardhja e kuadrit nga ish- sistemi serbomadh që nënkupton edhe shërbëtorët e UDB-së. “Kjo, për faktin, sepse mafia politike dhe ekonomike e ka krijuar mbështetjen e parë dhe shumë të madhe ndaj kësaj kategorie.

Shërbëtorët për të mundur të shpëtojnë nga e kaluara e tyre, si persona dhe si familje, menjëherë u vunë në shërbim të klikave politike dhe ekonomike.

Tash i gjejmë këta njerëz në polici, në AKI, në prokuroritë e Kosovës dhe kudo në gjykata. Të tillët janë të ulur edhe në pushtetin legjislativ dhe atë ekzekutiv. Nuk ka vend që nuk kanë gjetur strehë. Këta janë shërbyesit më të mirë të politikës dhe të oligarkëve ekonomikë e financiarë. Dhe, këta me klikat në pushtet, është vështirë të luftohen. Ata kanë përkrahje të madhe dhe kanë arritur të pasurohen shumë. I kemi parë se edhe në udhëheqje të organeve i kemi njerëzit e tillë. Ata po kalojnë nga një shtyllë në shtyllën tjetër.

Nga prokuroria në gjykata dhe anasjelltas. Nga policia në AKI e kështu me radhë deri në Presidencë, në Qeveri e në legjislativ. Kjo tregon se duhet shpejt të hapen dosjet. Mund të thuhet se është herët dhe se ajo do të krijojë konflikte. Por, nuk ka rrugë tjetër, sepse këta vetvetiu nuk po ikin nga pushteti.  Ndërsa, pa e bërë spastrimin  e organeve, shteti nuk ecën përpara. Me ta do të kemi vetëm fatkeqësi dhe vendi stagnon”, tha Kelmendi për “Kosova Sot”.

Qytetarët kërkojnë zbardhjen e së vërtetës

Qytetarët e anketuar nga gazeta po i përcjellin me shqetësim këto raportime, ngase në mbamendjen e tyre akoma rikujtohet deklarata e ish-kriminelit Milosheviq, i cili kishte thënë haptas se pavarësisht se ka përfunduar lufta, ai ka arritur të instalojë në sistemin  e institucioneve të Kosovës një numër të madh të spiunëve të UDB-së, prandaj tani është kërkesë e qytetarëve që të mos neglizhohet ky problem, por dosjet të hapjen dhe të zbardhet e vërteta aq sa mund të bëhet.  Për një proces të tillë angazhohet qytetari Myrteza Ponosheci. “Është i njohur Bllaca që ia kanë kufizuar, e kanë izoluar në burg shtëpiak, sepse është thënë që ai e kishte pasur përkrahjen dhe nga ana e Amerikës, por edhe nga ana e Miloshit- Milosheviqit.

Mirëpo, ai kurrë nuk doli të  flasë dhe të dëshmohet për gjëra të shëndosha, sepse nuk e dha as edhe një rast të vetëm për të treguar se ka punuar për shtet. Nuk e dha asnjë rast derisa ka me vite që po ruhet, prandaj këtu me të drejtë shtrohet pyetja se kujt duhet besuar. Milosheviqi edhe kur u dënua, kur e morën në burg, kur e dha atje një deklaratë pati thënë se  28% i kam punëtorët e mi në Kosovë që punojnë për mua, edhe nga shqiptarët, edhe nga serbët, që kanë për të punuar për të deri në fund. Mirëpo, këta ruheshin nga njëri- tjetri që t’i hapin këto dosje  tani nëse janë mbushur mend, prej  tani nëse bëhen zgjedhjet duhet të pastrohen edhe këto gjëra, sepse tani ka mjaft shembuj. Ka nga ata që kanë bërë shumë kapital pa punuar asgjë, prandaj duhet të dihet se nga e kanë bërë ata kapital, nga tre katër e 10 shtëpi trekatëshe.

Akoma asnjëri nuk është marrë në pyetje dhe nuk është hetuar pasuria, ekonomia personale e se kah e morën vëlla  këta, a u piku nga qielli apo nga e krijuan”, theksoi Ponosheci. Një zbardhje të tillë të së kaluarës së atyre, që ishin në shërbim të “djallit” e kërkon edhe qytetari Xhevat Jusufi. “Mendoj se akoma mund të ketë njerëz të tillë që janë në shërbim të  interesave të huaja, edhe të UDB-së, që për interesat personale u shërbejnë akoma shërbimeve të tilla. Mendoj që është tepër e nevojshme që të zbardhen ato dosje dhe t’i njohim kush janë ata, sepse ka njerëz që duket se po e bëjnë një vepër të mirë, e nga ana tjetër prapa shpinës punon krejt për qëllime të tjera. Fare mirë më kujtohet paraqitja që në fillim e rastit Bllaca për të cilin thoshin se  është marrë edhe me tregti të devizave e të cigareve, prandaj është mirë që të pastrohen këto gjëra”, potencoi Jusufi.

(Kosova Sot)