Stuhia Dennis sjell anijen fantazmë, brenda saj nuk kishte asnjë anëtarë të ekuipazhit

  • 18 February 2020 - 09:29
Stuhia Dennis sjell anijen fantazmë, brenda saj nuk kishte asnjë anëtarë të ekuipazhit

Një histori e pazakontë për anijen transportuese MV Alta të gjatë mbi 77 metra që lundron nëpër ujëra pa anëtarë të ekuipazhit, ka tërhequr vëmendjen e mediave botërore.

Anija misterioze transportuese që lundron nën flamurin e Tanzanisë, në shtator të vitit të kaluar është vërejtur për herë të fundit nga marina mbretërore e Britanisë së Madhe në Atlantik. 

Anija fantazmë është vërejtur duke lundruar pranë brigjeve afrikane gjashtë muaj më parë, kurse tani është parë në brigjet e Irlandës, pas stuhisë Dennis që goditi këtë vend.

Anija transportuese MV Alta është vërejtur të dielën, kurse zëdhënësi i rojeve bregdetare në Waterford, ka thënë se lokacioni aktual i anijes është si rezultat i stuhisë, duke pranuar se e kanë kontrolluar dhe se brenda saj nuk e kanë gjetur askënd.

Në anën tjetër menaxheri për shpëtimin e anijeve John Tatan, pretendon se kjo anije “është një në milion”.

“Ka bredhur deri në brigjet afrikane, në perëndim të brigjeve spanjolle, në Angli e deri të Irlanda. Kurrë më herët nuk kam parë diçka të tillë”, ka shtuar ai.

Megjithatë ajo çfarë mbetet mister është se si ka ndodhur që anija e prodhuar më 1976, të përfundojë duke lundruar në Oqeanin Atlantik, duke mos pasur as edhe një njeri në të.

(Kosova Sot Online)