Tre versione për vdekjen e gazetares pa dalë autopsia, mjeku: Ja ç’mund t’i ketë ndodhur Adelajdës

  • 02 November 2017 - 18:16
Tre versione për vdekjen e gazetares pa dalë autopsia, mjeku: Ja ç’mund t’i ketë ndodhur Adelajdës

Ende pa dalë përfundimet e ekspertizës mjeko-ligjore, policia nxitoi të nxjerrë një diagnoze nga e cila sipas saj, vuante 31-vjeçarja e ndjere, gazetarja Adelajda Xhamani, ndërsa mediat shpallen si shkak të vdekjes, atakun kardiak, duke përhapur edhe panik në popullatë për shkak të moshës tepër të re të gazetares.

Në deklaratën e asaj dite policia tha se 31-vjeçarja vuante nga epilepsia, ndërsa në mediat elektronike dhe rrjetet sociale u pretendua për një atak në zemër. Madje edhe në këtë pikë informacioni ishte i dyzuar pasi në disa media online përshkruhej atak dhe disa të tjera arrest kardiak, që sipas specialistëve janë dy terma krejt të ndryshëm mjekësore. Për të qenë sa më transparent me publikun iu drejtuam ekspertëve kardiolog në QSUT ku morëm kontakt me shefin e këtij shërbimi profesor Petrit Bara.

Në sqarimin e tij dr Bara thotë se termi atak kardiak i përdorur për të përshkruar një goditje në zemër është i gabuar dhe nuk ekziston në literaturën mjekësore. Mjeku rendit disa nga sëmundjet akute të zemrës që cilësohen si tepër kërcënuese për jetën, të cilat sipas tij nuk shfaqen si rrufe në qiell të pastër, por shumë më herët se gjendja e pacientit të agravohet. Bara thotë se termi atak i zemrës me shumë gjasë është përdorur në vend të atakut epileptik, një çrregullim i trurit që karakterizohet nga kriza të përsëritura dhe të paprovokuara por që nuk përbëjnë kërcënim për jetën, aq më tepër në mosha të reja që nuk janë kuruar nga epilepsia apo sëmundjet kardiake. Ataku epileptiku shoqërohet me shenja paralajmëruese që zgjasin nga 3 deri në 5 minuta si dhe lë gjurmë tek pacienti, si shkumëzim nga goja kafshim gjuhe, humbje kontrolli etj.

Ndryshe nga ataku epileptik termi tjetër i përdorur në media, arresti kardiak është ndalimi i rrahjeve të zemrës që çon në paralizim të frymëmarrjes dhe pengim të dërgimit të gjakut në tru. Për rrjedhojë pacienti humb vetëdijen dhe nëse nuk merr ndihmën emergjente pëson vdekjen. Por sipas mjekut edhe arresti nuk ndodh pa një shkak dhe pa lënë gjurmë.

Shefi i Shërbimit të Kardiologjisë në QSUT thotë se duhet treguar kujdes nga përdorimi i medikamenteve qetësuese si morfina apo peditina, që mund të çojë deri në arrest kardio-respirator te pacientët që kanë kaluar në jetë një parainfarkt ose një infarkt miokardi. Por edhe në këtë rast mjeku përjashton moshat e reja që nuk kanë shfaqur simptoma të mëhershme.

Mjeku thotë se në raste fatkeqësish, duhet të pritet fjala e mjekësisë ligjore për shpalljen e shkakut të vdekjes, ndërsa bëri thirrje që njerëzit të mos i injorojnë shenjat paralajmëruese që jep zemra kur diçka nuk shkon mirë me të. 

(Kosova Sot)