Jonida Maliqi rrëmben dy “çmime” nga Eurovisioni

  • 18 May 2019 - 22:57
Jonida Maliqi rrëmben dy “çmime” nga Eurovisioni

Në kulmin e emocioneve të finales së madhe, këngëtarja shqiptare Jonida Maliqi ka performuar këngën e saj “Ktheju tokës” e dyta dhe ka elektrizuar skenën e madhe të Eurovizion 2019, duke dhuruar një performacë të jashtëzakonshme.

E kuruar deri në detaje, duke theksuar më shumë se gjithçka elementët etnikë që harmonizohen me tematikën e këngës, Jonida përcolli te publiku i Eurovisionit, por edhe tek miliona shqiptarët që e ndoqën nga ekrani, krenarinë e origjinës.

Edhe skenografia ishte gjithashtu e njëjtë me interpretimin e këngëtares gjatë natës së dytë të festivalit, me dritat kuq e zi, ndërsa Jonida qëndronte në mes të një rrethi zjarri.

Kënga e Jonida Maliqit është vlerësuar maksimalisht nga publiku dhe zëri i saj mahnitës nga kritika muzikore. Pavarësisht rezultatit në fund të kësaj finaleje, në fakt, Jonida i ka rrëmbyer dy “çmime” nga Eurovisioni. Ajo është vlerësuar si artistja me zërin më të mirë femëror, si edhe këngëtarja që ka kënduar live më mirë se të gjithë kolegët e saj në garë.

Image
Image

Po të kujtoni vitin e kaluar, edhe Gent Bushpepa, këngëtari ynë përfaqësues i Shqipërisë, u vlerësua nga kritika muzikore si këngëtari që këndoi më mirë live se të gjithë të tjerët. Këtë e konfirmoi edhe Ermal Meta, këngëtari shqiptar që përfaqësonte Italinë në Eurovision, kur erdhi në Shqipëri pas Eurovisionit.

Publiku e ka shoqëruar interpretimin e Jonidës me shumë brohoritje dhe duartrokitje. Vendet europiane mund ta votojnë Jonidën kur votimet të hapen në mesnatë.


(Kosova Sot Online)