Jonida Maliqi rrëfehet për herë të parë për prapaskenat pas ‘Eurovision-it’: Doja të kthehesha në Shqipëri

  • 07 June 2019 - 08:16
Jonida Maliqi rrëfehet për herë të parë për prapaskenat pas ‘Eurovision-it’: Doja të kthehesha në Shqipëri

Jonida Maliqi ishte një ndër artistet më të komentuara të festivalit europian të këtij viti, jo vetëm për vokalin potent, por edhe për paraqitjen e saj skenike. Në natën finale këngëtarja dhe Shqipëria u renditën në vendin e 18-të, por pas disa ditësh kjo renditje ndryshoi duke kaluar një vend më lartë. Pas mbarimit të ‘Eurovision-it’ Jonida u shpreh se për të kishte qenë një nga eksperiencat më të bukura, por duket se gjatë rrugëtimit ka pasur edhe momente të vështira. Ditën e sotme këngëtarja u shfaq për herë të parë pas festivalit europian në një emision, në “Trokit” në “InTv”.

Jonida ka treguar se prova e parë e saj në skenë nuk rezultoi aq e mirë dhe kjo gjë e ka prekur shumë. “Në provat e para skena ishte në terr total, kishte blice dhe asgjë. Kam qarë në një intervistë pas provave, nxora pretekst se më kishte marrë malli për familjarët. Unë jam shumë e sinqertë, komunikova dhe me familjarët e mi, nëse s’do kisha standardet e mia do jepja konferencë dhe do kthehesha në Shqipëri. Për fat në provat e tjera gjithçka u rikuperua më së miri”, ka rrëfyer Maliqi. Për sa i përket komenteve të shumta për gabimet që bëri me gjuhën angleze gjatë dhënies së intervistave, Jonida u shpreh se fjalët e të tjerëve nuk e dëmtojnë aspak. Megjithatë e rëndësishme mbetet që këngëtarja shqiptare e ka shijuar shumë këtë eksperiencë dhe mori vlerësime të shumta jo vetëm nga fansat europianë, por edhe nga artistë të tjerë me emër. 

(Kosova Sot Online)