Selena Gomez fshiu ‘Instagram-in’, shefi i aplikacionit shprehet i zhgënjyer

  • 20 June 2019 - 08:13
Selena Gomez fshiu ‘Instagram-in’, shefi i aplikacionit shprehet i zhgënjyer

Selena Gomez ka preferuar të flasë gjithmonë hapur për efektin e rrjeteve sociale në jetën e saj. Ajo ka treguar shpesh se më së shumti “Instagram-i” ka ndikuar shumë keq në shëndetin e saj mendor. Së fundmi Seelna ka njoftuar se nuk do ta përdorë më si aplikacion, sepse ka ndikuar shumë në vetëvlerësimin e saj. “E kam përdorur shumë, por mendoj se është jo i shëndetshëm për të rinjtë, duke përfshirë veten time, duke shpenzuar gjithë atë kohë duke u fiksuar pas atyre komenteve. Nuk më bën të ndjehem mirë për veten time dhe ta shikoj ndryshe trupin tim”, tha aktorja në një emision.

Tashmë Gomez e ka fshirë adresën e saj të ‘Instagram-it’ dhe e përdor vetëm kur duhet të ndajë diçka tepër me rëndësi me fansat e saj. Siç duket kjo gjë nuk i ka pëlqyer aspak shefit ekzekutiv të aplikacionit, Adam Mosseri. Në një emision radiofonik të “BBC” ai ka treguar se është ndjerë i zhgënjyer nga fjalët e Gomez dhe se do të dëshironte të fliste me të për ta përmirësuar “Instagram-in”.

Do të doja të dëgjoja diçka prej saj. Nëse ka diçka specifike që ajo mendon se po punon ose nuk po punon në platformë,  do të doja ta dëgjoja. Ne na pëlqen kritika, na pëlqen të ndajmë biseda”, është shprehur Mosseri. Kujtojmë se më herët Selena ka qenë personazhi më i ndjekur në “Instagram”, ndërsa sot ajo renditet në vendin e tretë pas Cristiano Ronaldo dhe Ariana Grande. 

(Kosova Sot Online)